Kriminalja e “anës rozë” të diktaturës

Postuar në 28 Shtator, 2019 13:03
Agim Baçi

 

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi përpara Asamblesë së OKBsë, se SHBA nuk do të jetë kurrë një vend socialist, teksa kujtoi viktimat e shekullit të shkuar që sollën regjimet totalitare, komuniste, ku u zhdukën mbi 100 milionë të pafajshëm për shkak të diferencave të mendimeve. Kreu i Shtëpisë së Bardhë e risolli këtë nevojë të kujtesës teksa u apeloi drejtuesve të vendeve, që ishin të pranishëm në Asamble, se duhet të ishin dinjitozë në inkurajimin e demokracisë dhe paqes për vendet e tyre. Ky apel për kujtesë pasoi rezolutën e pak ditëve më parë të Parlamentit Europian, ku u theksua se “nuk mund të ketë paqe pa kujtesë”.

Por, në fakt, sa kemi mundur ne si shoqëri pas vitit ’90 të zbardhim krimet, apo edhe më tej, të ndëshkojmë, së paku përmes një gjyqi apo disa gjyqeve, atë regjim që shpesh shkeli edhe ligjet e veta kriminale, duke pushkatuar apo dënuar pa gjyq? A kemi mundur t’i themi të vërtetat dhe të studiojmë pasojat e shtresës së dhunuar nga një sistem që vrasjen dhe internimin e ktheu në filozofinë më të rëndësishme politike, bashkë me propagandën e fuqisë së “Njeriut të ri”?

Fatkeqësisht, edhe pse janë botuar libra, edhe pse janë bërë dhjetëra emisione, edhe pse gazetat apo portale të ndryshme kanë shkruar histori të ndryshme mbi dhunën shtetërore në burgje apo kampe internimi, sërish ne nuk kemi mundur të përcjellim fytyrën e vërtetë çnjerëzore të sistemit që burgosi, internoi dhe frikësoi një pjesë të madhe të popullsisë. Në këto vite janë jo të paktë autorët që kanë dashur të japin edhe “anën rozë të ferrit”, duke dhënë një pamje të butë të ish-drejtuesve të makinës vrasëse. Në këto vite ka pasur njerëz, shkrimtarë, gazetarë, historianë, analistë, që kanë besuar se duhet të veçojmë “disa gjëra të mira” nga ajo e shkuar dhe se nuk duhet të bëjmë gjithçka të zezë. Madje, edhe më keq, një pjesë ka besuar se, për atë pjesë të shoqërisë që u burgos dhe u dhunua, mjafton dëmshpërblimi financiar. Sidomos kjo e fundit është një ironi, që i kthen të dhunuarit e diktaturës në klientë të së shkuarës, sikur atyre u janë marrë vetëm paratë e jo jeta e dinjiteti.

Përpjekjet për të shkruar në mënyrë shkencore, për të zbuluar të vërtetat makabre, për të thënë publikisht ideologjinë shtetërore të dhunimit – madje, të një dhunimi që kalonte disa herë ligjet e kohës, si në rastin e asaj që njihet “Bomba në Ambasadën Sovjetike”, kanë hasur një rezistencë të një makinerie, e cila vijon të mbrojë me fanatizëm “të shkuarën heroike”. Madje, edhe kur ka ndodhur që të nxirren me dokumente krimet, kanë qenë të afërm që kanë tentuar të hedhin në gjyq botuesit apo denoncuesit e krimeve, si në rastin e studiuesit Çelo Hoxha, të cilin e kanë hedhur në gjyq pasuesit e të denoncuarve për krime.

Vënia në vend e dinjitetit të viktimave duket edhe sfida më e madhe. Pengesë në këtë mision ka qenë historiografia dhe historianët e kohës së diktaturës, të cilët gjatë gjithë këtyre viteve kanë ndërtuar një mur mbrojtjeje për filozofinë që kanë ndërtuar dhe kanë mbrojtur, duke mos u tundur as përballë fakteve, të cilat janë ruajtur nga vetë regjimi. Mungesa e gjyqeve, të cilët do të dënonin së paku moralisht atë regjim, kanë sjellë edhe ironinë e sojit Edmond Caja. Ky i fundit, në vend të ndjesës për atë që kishte bërë si Komandant i Burgut të Qafë-Barit, hapi një gjyq për pinjollin e familjes Dine (Ermira Dine) me akuzën “Kallëzim i rremë”. Madje, edhe më keq, Caja guxoi të rrëfente për mediat plot krenari të shkuarën e tij dhe të përmendte emra ish-të përndjekurish me pretendimin se i kishte toleruar apo ndihmuar gjatë kohës që kanë qenë të burgosur nën komandën e tij. Pra, Caja, thjesht, kishte kurajën të shantazhonte, a thua se kishte qenë një i burgosur që kishte sfiduar komandantin, e jo një komandant-xhelat që kishe kaluar dhjetëra herë rregullat e kohës mbi trajtimin e të burgosurve.

Por “cajat” janë pjesë e dështimit të shoqërisë shqiptare për të analizuar atë të shkuar kriminale, për të shpjeguar shkaqet që e çojnë një shoqëri në një degradim aq të thellë të dinjitetit njerëzor. Ndaj, platforma për kujtesën duhet të jetë një prioritet, ashtu siç kanë bërë mjaft vende që kanë kaluar regjime totalitare, qofshin naziste, fashiste apo komuniste. Përndryshe, nëse do të mbizotërojë normalizimi i së shkuarës përmes kujtimeve, nëse nuk do të ketë studime, fëmijët tanë nuk do të arrijnë të shquajnë ferrin e së shkuarës, duke rrezikuar kështu të mos shquajnë të keqen që mund të kthehet sa herë që popujt nuk kanë ditur të thonë të vërtetën e tyre me zë të lartë.

Panorama 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.