Marifetet e vjetra me ndërkombëtarë

Postuar në 25 Shtator, 2019 15:41

Deri më dje opozita e drejtuar nga Lulzim Basha akuzonte ndërkombëtarët si pjesë të problemit në Shqipëri. Në kohën e protestave të veta kryetari i PD-së humbi mbështetjen e atyre që i quajnë partner për të investuar te shpresa e revolucionit. Korit kundër ndërkombëtarëve iu bashkua edhe partia e presidentit Ilir Meta duke cilësuar në këtë përballje disa ambasadorë që dolën hapur në mbështetje të qeverisë. 

Sot z. Basha ka propozuar që reforma zgjedhore të kryhet nga një strukturë ndërkombëtare meqenëse sipas përfaqësuesit të tij opozita nuk mund të hyjë në dialog me njerëz që duhet të jenë në burg. Do të mjaftonte vetëm kjo që të kuptohet se PD-ja dhe LSI-ja po kërkojnë të shkëputen me shpejtësi nga kauza e protestave që dha vetëm një element me vlerë politike: shtoi kushtin e zgjedhjeve nga BE-ja. Përndryshe, çdo axhendë e PD-së e para pak muajve po bëhet nul duke gjetur shpëtim tek artifica si kjo e sotmja. 

Teknikisht kërkesa për një rol të ndërkombëtarëve nuk është e keqe. Ajo i jep mundësi z. Basha të rikthehet në tryezë pa u njollosur se po hyn në Pazar me z. Rama dhe se po harron të gjitha ato që premtoi. Nëse z. Basha do të marrë premtimin për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale krahas atyre parlamentare ky do të ishte një sukses, por ky sukses lë në hije kriminalizimin që i është bërë prej tij z. Rama.

Sot opozita po i largohet përherë e më shumë kërkesës për largimin e kryeministrit duke ulur tonet dhe duke konformuar gjuhën politike. Zgjatja në kohë dhe manovrat e ndryshme janë asgjë më shumë sesa një mënyrë për të dalë i larë nga një proces që u provua se nuk i shkon PD-së dhe LSI-së. Të dyja këto parti nuk janë parti popullore në kauzat e veta dhe që këtej duhet të bëhet analiza dhe rezultati i protestave.

Për këtë arsye nuk ka asnjë mundësi që z. Basha të refuzojë edhe kësaj radhe ndërmjetësinë e të huajve. Në të gjithë bilancin e vet, PD-ja dhe kryetari i saj listojnë dekriminalizimin, por ai është produkt parlamentar dhe jo jashtë parlamentar. Më shumë se kaq z. Basha nuk arriti dot megjithëse duhet thënë se djegia e mandateve parlamentare ishte një akt që kërkonte padyshim guxim dhe me kosto personale.

Përtej kësaj, kryetari aktual i PD-së ka edhe një tjetër detyrë që nuk dihet nëse do ta përmbushë apo jo: neutralizimin e Sali Berishës si zëri parlamentar I PD-së. Në kushtet kur PD-ja dhe LSI-ja nuk kanë bërë asnjë ndryshim në mentalitet dhe metodë politikë nga Berisha është domosdoshmëri qëtë ndryshojnë paraqitjen dhe z. Berisha është padyshim kosto për një parti që synon të bëjë diferencën me kundërshtarin.

A do ta përmbushë dot këtë objektiv Basha? Nuk dihet për shkak sepse është e paqartë nëse e ka një të tillë. 

Këto sugjerime vijnë natyrshëm jo nga fakti se z. Basha bën zgjedhje morale, por nga tërësia e rrethanave politike që ai i krijoi vetes. Në dallim nga paraardhësi i tij, ai nuk mund të bëjë asgjë më shumë veçse të karikojë njerëzit për të ardhur në pushtet. Kjo vihet re edhe majtas ku pas z. Rama që delironte me veten dhe të cilin e besuan përtej interesit personal si njeri të ndryshimit, ka njerëz dhe politikanë që nuk duan as të artikulojnë ndonjë vizion, as projekt apo program, por thjesht duan të jenë në pushtet dhe të aderojnë në një klan ekonomik.

Ndaj e ardhmja që duket më dinamike dhe që e bën të parashikueshëm rotacionin e brezave nuk ka për të qenë domosdoshmërisht më e mirë. Politikës shqiptare do t’i mungojë tërësisht, edhe si pretendim vanitoz, dimensioni ideologjik që është premisë e mobilizimit të gjerë për t’i lënë rrugë grupimeve ekonomike që emërojnë dhe blejnë aksione pranë kryetarëve të radhës.

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.