Demokracia nuk i besohet Qeverisë - rasti i Zvicrës*

Postuar në 10 Shtator, 2019 02:29
David Eugster

 

Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar kur qeveria zvicerane më në fund nisi të gëzsonte “regjimin e fuqive të plota” që parlamenti ia akordoi asaj gjatë kohëve të krizës. Do të duhej pritur viti 1949 kur nisma e quajtur “Rikthim në demokracinë e drejtpërdrejtë” të miratohej me një shumicë të lehtë dhe ta rivendoste demokracinë në truall të sigurtë.

Në kohë krizash demokracitë ndonjëherë tregohen të ngadalta për të reaguar. Është kjo arsyeja që parlamenti zviceran i akordoi qeverisë të drejtën për të qeverisur mbi bazën e ligjit të emergjencës në prag të Luftës së Dytë Botërore. Kjo i lejoi qeverisë të merrte vendime pa konsensusin e Parlamentit, një lëvizje që do të lehtësonte punën e ekzekutivit në kohë lufte.

Ngrirja e demokracisë

Kjo qeverisje kishte një tjetër efekt anësor. Duke e përdorur gjerësisht këtë klauzolë emergjence, parlamenti e përjashtoi popullin zviceran nga statusi i të qenit pushteti i tretë në demokraci, krahas qeverisë dhe parlamentit. Klauzola e emergjencës i privonte votuesit nga e drejta për të kthyer ligjet duke përdorur instrumentin demokratik të referendumit.

Me këtë rregull të ri populli zviceran nuk mundet më të ndikonte në agjendën politike. Qeveria dhe parlamenti në praktikë e kishin vendosur sistemin zviceran të demokracisë direkte në koma artificiale.

Fundi i luftës në vitin 1945 nuk solli ndalimin e veprimit dhe abrogimin e klauzolës së emergjencës. Ndonëse ishte vendosur se Zvicra do të duhej të kthehej në funksionimin demokratik, procesi ishte shumë i ngadaltë.

Sjellje e shtetit policor patriarkal

Rikthimi i demokracisë do të kishte marrë me gjasë më shumë kohë nëse nuk do të ishin ndërmarrë dy nisma në vitin 1946 që sfiduan drejtpërdrejt fuqinë virtualisht të pakufizuar të shtatë ministrave. Megjithatë ministrat po shtynin në kohë. “Qeveria nuk ka nxitim për rikthimin e demokracisë”, lexohej në titujt e gazetave të kohës.

Kritiku më i ashpër i ligjit të emergjencës ishte një studies i të drejtës kushtetuese, Zakaria Xhakometi. Ai mendonte se refuzimi nga qeveria i kthimit në demokraci manifestonte një “sjellje të shtetit patriarkal policor”, shenjë kjo se demokracia e Zvicrës ishte në një krizë të thellë. Profesori në fjalë shkoi aq larg sa ta quante regjimin ilegal.

Zvicra, një “diktaturë provizore”

Kjo kritikë u artikulua me forcë nga profesori i të drejtës kushtetuese Hans Navaiski që kishte ikur nga Gjermania në vitin 1943. Sipas profesorit të së drejtës kushtetuese Andreas Klei, me qendër në Zyrih, kriticizmi i Naviaskit nuk ishte pa bazë.

Qeveria ishte krijuesja e kushtetutës sikurse autoriteti rregullator dhe legjislativ dhe në këto kushte ajo nuk kishte më lidhje me Kushtetutën zvicerane. Ishte lejuar që të vendoste ligjin e emergjencës brenda kompetencave të kantoneve dhe nuk duhet të monitoronte të drejtat qytetare”.

U ndërmorën dy nisma popullore për rivendosjen e demokracisë së drejtpërdrejtë.

Kur kantonet votuan në vitin 1949 në favcor të nismë së parë, qeveria dhe parlamëenti u shokuan. Nisma e dytë u tërhoq. Kundërpropozimi i tërthortë ndaj kësaj nisme të dytë sugjeronte se regjimi i prodhuar nga ligji i emergjencës nuk u abrogua deri në vitin 1952.

Kriza e demokracisë, në Zvicër dhe gjetkë, nuk filloi thjesht me ekzagjerimin e kërcënimit të asaj që po ndodhte në Gjermani në atë kohë. Pas rënies së tregjeve në vitin 1929, zërat antidemokratikë u bënë më të pranishëm në Zvicër dhe në Europë. Ata bënin thirrje që demokracia të kishte më pak pushtet, duke argumentuar se ajo frenonte qeverisjen e arsyeshme në kohë krize.

Përçmues të parlamentarizmit

Ka rrënjë historike që shpjegojnë përmbajtjen në kthimin drejt demokracisë së drejtpërdrejtë. Në vitet ’30, mendimtarët kryesorë zviceranë kishin zhvilluar tashmë atë që njihet si lëvizja politiko-kulturore e “mbrojtjes shpirtërore kombëtare”. Ky obsesion zviceran për të ruajtur dhe shpëtuar identitetin kombëtar supozohej se do të kundërvepronte ndaj kërcënimit nacionalsocialist që rridhte nga ideologjia e “gjakut dhe tokës” që propozonte Hitleri.

Mbrojtja shpirtërore kombëtare asociohej me imazhin e zviceranit të fuqishëm dhe trim që vërtiste topuzin dhe alabardën, dy armët klasike të ushtrisë mercenare zvicerane të Mesjetës. Kishte megjithatë njerëz që mendonin se ky imazh e dobësonte demokracinë.

Nazistët zviceranë dhe ministrat e qeverisë

Në Zvicër, kjo sjellje ishte më e zakonshme në forma radikale mes simpatizantëve zviceranë të nazizmit dhe fashistëve. Ata e tallnin parlamentin e zgjedhur demokratikisht dhe e quanin atë një sakat llafazan.

Megjithatë, njerëzit që ishin jashtë qarqeve të ekstremit të djathtë ishin po ashtu të bindur se modeli demokratik kishte shumcë dobësi. Gjatë periudhës mes dy luftrave dhe pas Grevës së Përgjithshme, grupe të lobimit politik nisën të përdorin metoda të reja marketimi. Synimi i tyre ishte të krijonin një imazh të armikut politik me të cilin nuk do të negociohej më në me metoda demokratike. Ishte imazhi i konspiratorit bolshevik hebre.

Shumëkush e kërkoi zgjidhjen në të ashtuquajturën formë korporatiste të qeverisjes në të cilat organizatorët profesionistë të korporatës, ngjashëm me gildët dhe vëllazëritë do të zëvendësonin parlamentet. Shteti gjithësesi, do të drejtohej nga lidershipi apo një lider i fortë.

Këto korporata federale supozohej të luanin vetëm një rol këshillimor për lidershipin autokratik. Edhe vetë qeveria ndante pikëpamje të tilla antidemokratike.

Demokracia në prag

Prirja drejt formave autoritariste të qeverisjes i mbijetoi luftës dhe qeveria dhe parlamenti ishin sërish kundër kthimit të demokracisë referendare. Parlamentari konservator katolik, Karl Uik u shprej në vitin 1948 se për një shtet ishte e mundshme që ta “demokratizonte veten deri në vdekje”: “Demokracia është e rëndësishme, megjithatë siguria e brendshme dhe ajo e jashtme e një shteti është më e rëndësishme”.

Pak parlamentarë ishin në favor të dy nismave popullore për rivendosjen e demokracisë së drejtpërdrejtë. Zyrtari i lartë i Unionit Tregëtar dhe ministri i Financave Maks Ueber ishte një ndër ta: “Është e pamundur të luftosh rrezikun e një diktaure dhe masave jodemokratike duke kufizuar demokracinë”, u shpreh ministri socialdemokrat.

Aleanca të çuditshme: Liga Voduaz

Pavarësisht të gjitha këtyre, reflekset e demokracisë së drejtpërdrejtë mund të ndjeheshin ende. Shtysa e parë erdhi me një nismë popullore të quajtur “Rikthimi në demokracinë e drejtpërdrejtë”. Ironikisht, nismëtarët e saj nuk ishin demokratë të bindur dhe pa cene. Përkundrazi, disa prej më të përkushtuarve prej tyre konsistonin në anëtarë të një organizate të quajtur Liga Voduaz.

Në origjinë, Liga ishte një bashkim grupesh në një lëvizje proteste nga kantoni frëngjishtfolës i Vod. Ishte themeluar në vitin 1933 dhe synonte ndalimin e taksimit kantonal mbi verërat lokale.

Ishte anti-centraliste dhe anti-shtetërore. Themeluesi dhe bashkënismëtari ishte një eseist dhe gazetar zviceran, Marsel Regame. Ai e urrente demokracinë dhe në vitin 1944 ai madje u ankua për rënien e Rajhut të Tretë. Ai mendonte se ideja e “çlirimit të industrisë nga kontrolli ndërkombëtar i kapitalizmit çifut” dhe bashkimi i të gjitha vendeve europiane nën një flamur, ishte e mbrojtshme.

Në fund, etërit e nismës në fjalë promovuan shpirtin e asaj kundër të cilës luftonin. Paradoksi është se ishin antidemokratët ata që hodhën farat dhe ndihmuan demokracinë e drejtpërdrejtë zvicerane që të ringrihej nga koma.

Burimi: swissinfo.ch

*Përkthimi dhe titulli: ResPublica 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.