I paparashikueshëm, sipërfaqësor dhe i pazoti

Postuar në 09 Shtator, 2019 12:49
Thanos Veremis - Historian dhe Pedagog Nderi i Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian i Athinës

 

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Xhonson, nuk përfaqëson votuesin e thjeshtë britanik, por atë minorancë të shtresës së Parisë, e cila menaxhonte dikur fatet e perandorisë. I diplomuar në Eton dhe Oxford e nisi karrierën e tij të gazetarisë pranë gazetës “The Times” si praktikant. Megjithatë u largua nga ky post pasi vuri në gojën e pedagogut të Oxfordit fjalë të pathëna nga ky i fundit. Më pas u punësua nga konservatorja “Daily Telegraph” si korrespondent në Bruksel. Nga ky pozicion lëshoi një sërë sulmesh ndaj legjislacionit evropian sepse gjoja prekej mënyra britanike e jetesës. Me karakterin e tij impulsiv dhe ekzagjerues pretendonte se Komuniteti kishte përcaktuar me qëllim masën e prezervative në mënyrë të tillë që ti drejtohej vetëm burrave më pak të favorizuar nga natyra! Si kryetar i bashkisë së Londrës la të pa përfunduara shumë vepra, duke rrënduar taksapaguesit me koston e tyre. Ndërsa si Ministër i Jashtëm në qeverinë e Tereza Mej u tregua i pazoti në negociatat e daljes së vendit të tij nga Bashkimi Evropian. Sot po ecën drejt një Brexit pa marrëveshje dhe nuk duket i shqetësuar për këtë nga sa tregojnë intervistat e tij të fundit.

Problemi i parë që do të lindë nga një Brexit pa marrëveshje me BE-në është ai i ndërprerjes së komunikimit të lirë midis dy Irlandave, shtetit të pavarur dhe pjesës britanike. Siç dihet, marrëveshja e aksesit të lirë të Iralndezëve në Veri brenda kuadrit të Bashkimit Evropian i dha fund të kaluarës së dhunës ndërmjet dy komuniteteve që pati si pasojë qindra të vdekur për vite me radhë. Nga një Brexit pa kujdesje të veçantë për problemin në fjalë, marrëveshja e arritur ndërmjet Irlandës së Veriut (britanike) dhe asaj të Jugut (si shtet i pavarur) pushon së ekzistuari, duke çelur kështu mundësinë e përsëritjes së konflikteve ndërkufitare midis dy pjesëve.

Por cili është ai faktor që i siguron Boris Xhonsonit autonominë ndaj kritikës së bashkëkombasve në lidhje me legjitimimin e tij nga Parlamenti i vendit si Kryeministër? Sjelljet e tij të çuditshme përfaqësojnë një tipar njohës të shtresës shoqërore nga e cila ai vjen, ashtu siç ai nënvizon edhe në librin biografik që i kushtohet Uiston Çërçill. Kryeministri i Luftës së Dytë Botërore përshkruhet, as më pas as më shumë, si një orator sipërfaqësor me garanci tepër minimale përpara se të merrte përsipër fatet e vendit të tij në përballjen e madhe. Pra, ajo që mjafton për Xhonsonin si faktor përcaktues në politikëbërje është sjellja eksentrike e politikanit.

Një version ekstrem i fenomenit Xhonson është “revolucioni” i ndërgjegjshëm i grupit të agjentëve Sovjetikë të Luftës së Ftohtë në universitetin tjetër elitar, atë të Kejmbrixhit. Filbi, Barxhes, Maklin, Bland dhe Kernkros u hakmorën ndaj shtresës së borgjezisë së madhe nga ata vinin përmes cilësisë së agjentit dhe armikut të interesave të saj. Megjithatë, dorëzimi i dhjetra agjentëve Britanikë në duart e Bashkimit Sovietik përbën, mbase, një të keqe më të vogël se sa skenari i Brexitit të stilit Xhonson pa marrëveshje.

Rruga e vetme e shmangies së krizës nga qeveria e sotme konservatore është shpallja e zgjedhjeve. Fituesi i mundshëm do të jetë Partia Laburiste e cila e kundërshton Brexitin pa marrëveshje, edhe pse lideri i saj, Xheremi Korbin, nuk përbën një garanci të mjaftueshme për funksionimin normal të sistemit politik. Mbase një zgjidhje më optimale për krizën e sotme pa rrugëdalje do të ishte zëvendësimi i Xhonsonit nga brenda partisë.

Por përse Xhonsoni ndërmori një veprim që vë në rrezik qëndrimin e tij në pushtet? Mbase për të vërtetuar famën e faktorit të paparashikueshëm në jetën politike dhe për të krijuar kështu përshtypje tek votuesit e tij. Një element karakterizues nga e kaluara multietnike e “BoJo” gjendet në fillimin e shekullit të 20-të. Stërgjyshi i tij, Ali Kemal, gazetar i shquar Xhonturk, u gjend në vitet 1920 i internuar në Maltë së bashku me Xhonturq të tjerë të njohur, siç ishte për shembull nacionalisti intelektual Zija Gegalp. Asokohe, Ali Kemal kishte rezerva serioze ndaj zhdukjes së Armenëve gjatë viteve 1915-1916, të ngjashme me rezervat që Ataturku vuri në dukje më vonë. Ali Kemali u rekrutua nga Aleatët në komisionin e dhënies së dënimeve ndaj kasapëve të atëhershëm dhe bëri gabimin e rikthimit në Ankara për të shpjeguar ndryshimin e qëndrimeve të veta politike. Ishte Nuredin Pashai – i cili kishte ekzekutuar edhe Krisostomin, Mitropolitin e Izmirit – ai që urdhëroi nacionalistët të ekzekutonin Ali Kemalin dhe të zhduknin çdo pjesë të tij. Gjithashtu, përveç pjesës turke është edhe origjina ruse e familjes Xhonson nga e cila shpjegohet edhe emri Boris. Ky kryeministër ëndërrues na kujton çdo ditë se fundin e aventurës britanike nuk e kemi parë akoma.

Botuar në gazetën To Vimamë 1 Shtator 2019.

Përktheu nga greqishtja Jordan Jorgji. Pedagog i studimeve politike pranë Universitetit Fan S. Noli, Korçë

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Anglezet, prandaj dhe e zgjodhen! Qe daljen pa marrveshje nga EU-ja, apo manovrat e tjera per zgjatjen e kesaj situate, t'ia ngopin ketij gomari!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.