Orientimi normativist i gjuhësisë tanimë është i pamjaftueshëm

Postuar në 02 Shtator, 2019 15:46

Në një intervistë për revistën e përjavshme “ExLibris”, gjuhëtari Rexhep Ismajli thotë se gjuha shqipe ndodhet në një moment sprove të paprecedentë për shkak të zhvillimeve të mëdha në botën e komunikimit. Duke bërë një vlerësim të dinamizmit social dhe kulturor, Ismajli konstaton se orientimi me karakter normativist që ka gjuhësia shqiptare dhe akademia në raport me shqipen, nuk është më i mjaftueshëm. Më poshtë një pjesë nga përgjigjet e Ismajlit:

Shqiptarët sot kanë mundësi më shumë se kurrë në historinë e tyre të komunikojnë ndër vete në  hapësira rruzullore përtej pengesave të të gjitha llojeve, sot gjuha shqipe po përjeton përdorimin e saj më të gjerë dhe më të përhapur të mundshëm në të gjitha rrafshet dhe përdorimi është mbështetja kryesore për lulëzimin e një gjuhe. Çka është shumë e rëndësishme, shqipja sot është në kontakte të përditshme të zakonshme, të punës, të jetës dhe të botës kulturore me një numër të madh gjuhësh në fqinjësi në Ballkan dhe me gjuhë të ndryshme anekënd botës. Jemi në sprovën e madhe të daljes nga izolimi ku na kishte vënë historia dhe para ndërdyshjeve në mos gjuha jonë nuk do të jetë në gjendje t’ia dalë, mos do të humbasim një numër palejueshëm të madh folësish dhe kështu do të dobësohej trungu dhe kapaciteti i shqipes në kontekstet gjeopolitike. Fakti se sot ka numër kaq të madh folësish të shqipes që mund të komunikojnë midis tyre në nivele dhe forma nga më të ndryshmet, se ka kaq shumë shqiptarë që mendojnë për veten e tyre si për shqiptarë dhe për gjuhën e tyre si për gjuhë shqipe, është garancie madhe se shqipja do ta zërë vendin e vet brenda hapësirës europiane.

Për fat të keq, derisa me potencialet e veta demografike-sociale, me veçantitë e saj, shqipja hyn diku para vendit 20 të gjuhëve të Europës, me praninë e saj në studimet në botën europiane e tjetër është gjithnjë ndër të fundit. Ikjet e mëdha nga trungu ballkanik që po vijojnë me intensitet edhe sot po na krijojnë frikën për të ardhmen edhe të gjuhës, sepse po vërejmë se jemi në një vorbull të ri, në të cilin qysh në brezin e parë të të mërguarve po ndeshen kalime krejt rrënjësore në gjuhë tjetër. Dinamizmi i shqipes është në shkallë të paparë më herët.

Kështu edhe interesimet për gjuhën shqipe detyrimisht duhet të shtrihen në hapësira që nuk i kemi pasur si qendrore më parë. Kështu as orientimet tona të mëhershme normativiste nuk po janë më të mjaftueshme. Lëvizjet në këto fusha, për fat të keq, nuk po zhvillohen me dinamizmin e zhvillimeve të tjera, çka për një pjesë të mirë i detyrohet orientimit vleror të shoqërisë dhe të mekanizmave shtetërorë. Po synojmë shoqëri të hapur, gjuhësi të hapur, mendje të hapur, por jemi në shtrëngesat e zhvillimeve mjaft të egra të kapitalizmit, në të cilat ende nuk po duket të jenë arritur balancat e nevojshme për të siguruar zhvillime normale për këto fusha si në botën tjetër perëndimore. I riu, para se të vendosë të thellohet në studimet në këto fusha, duhet të gjejë burime ekzistence pak a shumë stabël për një kohë, njëfarë sigurie për veten dhe familjen që do të krijojë, ndërsa ai është vënë para pamundësive që nuk merreshin me mend më herët. Si mund të pritet që i riu/e reja para gjithë këtyre dilemave që kemi sot në shoqëritë tona të zgjedhë t’i përqëndrojë të gjitha energjitë e veta në këtë fushë, që nuk ia siguron as minimumin e ekzistencës. Pika tjetër e rëndësishme në këto zhvillime është horizonti që ka sjellë revolucioni informatik, i cili ka hapur mundësi krejt të reja. Të rinjtë tanë jo rrallë po ndërlidhen në këto rrjedha, por a po jemi ne të përgatitur t’i ndihmojmë në këto kapërcime?

Gjuhësia jonë ende me vështirësi rreth përvetësimit të asaj që njihet si gjuhësi moderne, tani po ndeshet me këtë kapërcim të ri dhe në rrethana krejt të reja për përdorimin e gjuhës sonë. Ndërkohë që në saje të shkollimit të të rinjve në mjedise të ndryshme të botës po na vijnë ide dhe interesime me shumë interes, nuk e di nëse në hapësirat ekzistuese të punës së organizuar po krijohet ndonjë mundësi pak më realiste për optimalizimin e këtyre prurjeve dhe potencialeve.

Gjuha shqipe tani ndodhet në sprovat më të mëdha që ka pasur ndonjëherë, përdoret më shumë se kurrë në fusha që nuk kishte pasur mundësi më parë, por njëherësh po u shtrohet nevoja marramendshëm më të gjera, sidomos nëse dëshirojmë të ndërlidhemi në rrjedhat rruzullore të dijes. Në këtë situatë dhe në gjendjen e dinamizmit të paparë dhe të kontakteve që kurrë më parë nuk i kanë pasur folësit e kësaj gjuhe ndër vete orientimet tona ngushtësisht normativiste duken krejtësisht të pamjaftueshme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.