Shën Kozmai i Kolkondasit nuk e mallkoi gjuhën shqipe!

Postuar në 22 Gusht, 2019 22:10
Miron Çako - Përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit të Kryepiskopatës

 

Shën Kozmai, prift-murg orthodhoks me bekimin e Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës, në katër udhëtimet e tij hierapostolike prej njëzet vjetësh (1759 -1779), të nisura nga Stambolli (Kostandinopoja) për në Greqi, Maqedoni, Epir, Shqipëri, duke arritur deri në Tiranë, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ngritjen e nivelit arsimor tek të krishterët, të cilët prej shekujsh jetonin në injorancën e imponuar nga sundimi i Perandorisë Osmane. Ai ka qenë nismëtar i ngritjes së 250 shkollave, ku mësohej me shkrim dhe lexim gjuha greke (koine), e cila ishte gjuha biblike e Kishës Orthodhokse të Lindjes. Në këtë gjuhë mjaft të vjetër ishte përkthyer Bibla nga hebraishtja, në mënyrë që të mund të përdorej nga diaspora hebreje e shpërndarë në kombet pagane që prej shekullit VIII p.l.K., të cilat nuk e flisnin gjuhën hebreje, por flisnin dhe lexonin greqishten antike (e vjetër), si gjuhën zyrtare të mbretërive pagane në Lindje, që nga koha e Aleksandrit të Madh (356-323 p.l.K.). Ky përkthim i vështirë u bë nga shtatëdhjetë e dy përkthyes të izoluar në një ishull të Aleksandrisë, në vitin 275 p.l.K, prandaj quhet Septuaxhenta (Të Shatëdhjetët). Edhe Dhiata e Re u shkrua në po këtë gjuhë, drejtpërdrejt ose e përkthyer prej ungjillorëve dhe dishepujve. Kjo është Bibla (Septuaxhenta) që Kisha Orthodhokse përdor sot në të gjithë botën.

Gjuha e re greke (dimotiki) që flitet sot është shumë e ndryshme nga gjuha tjetër antike (biblike koine). Kjo gjuhë greqishte e vjetër mësohet si një gjuhë më vete në universitete në Greqi dhe në botë, atje ku ka interes për të, sidomos për studimin e Shkrimeve të Shenjta. Vetë shën Kozmai thotë në mësimet e tij: “Kisha jonë Orthodhokse është në greqisht…”. Shën Kozmai nuk kishte parasysh greqishten e sotme, por gjuhën biblike koine të Kishës dhe këtë ua thoshte gjithë të krishterëve orthodhoksë që jetonin në atë kohë në Perandorinë Osmane. Të krishterët (edhe greqisht folësit) duhet të mësonin greqishten koine, ndryshe nga gjuha e përditshme, për të lexuar Ungjillin (Lajmi i mirë) dhe për të mësuar besimin e Kishës Orthodhokse. Ai u predikonte të krishterëve se: “Nuk ka besimtarë pa shkollë… Shkolla i ndriçon, u hap sytë të krishterëve… Sepse shkolla na mëson ç`është Perëndia, ç`është Trinia Shenjtë, ç`është Kisha… Pa shkollë, ecni në errësirë… Nuk e shihni si është egërsuar njeriu nga injoranca?! Prandaj ju këshilloj të ngrini shkolla”.

Të akuzosh shën Kozmain se ai hapi shkollat me qëllim që të krijonte shtetin grek (helen) siç është ai sot, është krejt e pabazë, pasi ai vetë ishte kundër helenizimit. Në mësimin e tij të parë, thuhet: “Edhe unë, o vëllezër, me Hirin e Zotit Krisht mësova se nuk jemi grekë (helenë), as heretikë, as ateistë, por jemi besëmirë të krishterë orthodhoksë”.

Koncepti i shën Kozmait për kombin nuk ishte ai që kemi ne sot. Koncepti i kombit-shtet e ka zanafillën në Paktin e Vestfalisë, më 1648, hartuar ndërmjet Fuqive Evropiane Perëndimore, pas një lufte 30-vjeçare midis tyre, ku u vendos respektimi i kufijve dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të kombit-shtet. Ky koncept u aplikua nga Fuqitë e Mëdha Perëndimore në mbetjet e Perandorisë Osmane pas Revolucionit Grek të vitit 1821. Por shën Kozmai kishte një tjetër qëllim ndryshe nga ai i fuqive të mëdha Evropiane Perëndimore. Ai e frymëzonte popullin e krishterë për rimëkëmbjen e një mbretërie të krishterë me bazë moralin e Ungjillit dhe doktrinën e Kishës Orthodhokse, ashtu siç kishte qenë në këto zona para pushtimit osman. Ai, si një apostull i ri, vepronte sipas shembullit të apostujve të Krishtit, shkonte vend më vend për të krijuar, së pari, Mbretërinë e Perëndisë në zemrat e njerëzve, që pastaj kjo Mbretëri të shfaqej në tokë ashtu siç është edhe në Qiej. Ai nuk kishte bindje nacionaliste që e lidhnin me një komb të veçantë kundër një kombi tjetër, madje luftonte çdo lloj nacionalizmi. Në predikimet e tij, thoshte: “Vendlindja ime është e rreme, tokësore dhe e kotë, është nga Arta dhe rrethi Apokuro”… Gjithashtu ai nuk bënte dallim racor, por frymëzonte vëllazëri mes njerëzve, duke thënë: “Të gjithë njerëzit janë lindur nga nga e njëjta nënë (Eva), prandaj të gjithë jemi vëllezër”. Ai nuk ndihmonte vetëm të krishterët, por edhe myslimanët, kur i kërkonin ndihmë dhe e nderonin si prift orthodhoks, ashtu siç na përmenden shumë raste në jetën e tij.

Shën Kozmai, siç thamë më sipër, ishte i dërguari i Patriarkanës Ekumenike, me lejen dhe bekimin e Patriarkut Serafim II nga Delvina, për t’u predikuar gjithë të krishterëve të etnive të ndryshme, grekëve, sllavëve, shqiptarëve në juridiksionin e Patriarkanës, që ata të ruanin besimin orthodhoks dhe për të zgjuar ndërgjegjen e frikësuar për liri. Sipas planit të shën Kozmait, kjo mund të arrihej vetëm me anë të besimit: “Sepse dashuria për Zotin e largon frikën”. Në profecitë e tij, shën Kozmai flet për këtë çlirim të përgjithshëm duke e quajtur “e dëshiruara”, por edhe për rimëkëmbjen e mbretërisë së krishterë, e cila përreth 1150 vjet lulëzoi në të gjithë shtrirjen gjeografike, ku tashmë sundonte Perandoria Osmane që prej 320 vjetësh. Por ai asnjëherë nuk flet për një mbretëri greke (helene). Profecia e parë thotë: “Ajo, një ditë, do të bëhet romake dhe fatlum kush do të rrojë në atë”, kurse profecia e nëntë thotë: “Deri aty do të vijnë romakët”. Në disa përkthime të sotme, fjala “romakët” është zëvendësuar me “grekët”. Kjo është e pasaktë dhe nuk ka aspak lidhje me atë çfarë kishte ndër mend dhe ka thënë shën Kozmai. Shenjtori thoshte se ajo do të bëhet romake, sepse ai kishte parasysh historinë dhe domethënien e këtij termi, i cili kishte një kuptim të madh për karakterin ekumenik te Kishës Orthodhokse.

Në fillim, romakë quheshin banorët e qytet-shtetit të Romës në gadishullin Apenin. Me përhapjen e sundimit të këtij qytet-shteti, në pjesë të tjera të gadishullit, në vitin 89 p.l.K, romakë quheshin të gjithë njerëzit e Italisë. Pasi Perandoria Romake u përhap në të gjithë Mesdheun, në vitin 212 p.K. u deklarua nga perandori Karakala, që të gjithë personat e lirë në Perandorinë Romake të quheshin shtetas romakë, prandaj edhe Konstandini i Madh (274-337), perandori i parë i krishterë, që themeloi kryeqytetin e Perandorisë Romake të Lindjes, Konstandinopojën (qyteti i Konstandinit), e quajti Roma e Re, në vitin 330. Pavarësisht se në këto zona të lindjes flitej gjuha greqishte e vjetër dhe ajo dominonte mbi latinishten, përsëri qytetarët e lindjes ose folësit e greqishtes ishin krenarë që quheshin romakë (në latinisht, roman; në greqisht, romeji). Kjo sepse, në shekullin IV, termi grek (helen) u përcaktua si term për ata që vazhdonin të ishin paganë dhe adhuronin perënditë e Olimpit, të mitologjisë greke, të cilët qëndronin kundër besimit të ri të krishterë që po dominonte në të gjithë perandorinë. Perandori Julian Apostati (Mohuesi) (361-363) u përpoq t’i rikthente këto perëndi të Olimpit për adhurim pagan dhe e quante veten grek (helen), por, me vdekjen e tij të papritur, dështoi edhe plani i tij që paganizmi helen të rifitonte terren. Në fund të shekullit IV, perandori Theodhos (379-395) deklaroi Krishterimin si fe të vetme të perandorisë dhe pas këtij vendimi, njerëzit ishin gjithnjë e më pak të gatshëm ta thërrisnin veten e tyre “helen”. Motra e perandorit Theodhos, augusta (mbretëresha) Pulkeria, krijoi Pandidakterin e famshëm, Universitetin e Konstandinopojës (më 425) dhe vendosi greqishten koine si gjuhë zyrtare të perandorisë, paralelisht me latinishten. Por greqishtja koine fitoi më shumë terren, sepse në këtë gjuhë ishin të shkruara Bibla (Septuaxhenta), shërbesat kishtare dhe veprat e Etërve të Kishës, në pjesën lindore të perandorisë. Perandori Justinian (422-565), sipas studiusve mendohet si i fundit që e ka folur latinishten,kurse perandori Heraklius (610-641) e hoqi nga përdorimi, se ajo nuk përdorej më në lindje.

Për shekuj me radhë fjala “grek (helen)” kishte reputacion të keq, si tradhëti kundër shtetit dhe si paganizëm. Kjo gjë zgjati deri në rënien e Konstandinopojës dhe Perandorisë Romake të Lindjes. Por edhe pasi Mehmeti II pushtoi Konstandinopojën, më 1453, ai e deklaroi veten Çezar të Perandorisë Romake, duke pasur bindjen se Konstandinopoja ishte kryeqyteti i Perandorisë Romake që nga viti 330. Dhe kështu, ai që zotëronte Konstandinopojën, zotëronte të gjithë perandorinë. Deklarata e tij u njoh nga Kisha Orthodhokse e Lindjes, por jo nga Kisha Romano-Katolike dhe nga Mbretëritë e Evropës Perëndimore. Sulltan Mehmeti e njohu Patriarkun Ekumenik si Ethnark (Mbret i Kombit të Krishterë) nën Perandorinë Osmane. Prandaj leja e Patriarkut Ekumenik kishte autoritet dhe i jepte shën Kozmait liri veprimi në të gjithë Rumelinë.

Termi “Perandori Bizantine” është vendosur më vonë si një term studimi për këtë perandori, që ka zotëruar botën deri në shekullin XV. Përdorimi i parë i termit “bizantin” është përdorur në 1557, për emërtim në vitet e mëvonshme të Perandorisë Romake të lindjes, nga historiani gjerman Hieronymus Wolf, kur publikoi punën e tij “Corpus Historia Byzantinæ”, një koleksion i burimeve historike. Termi vjen nga “Bizant”, emri i qytetit të vogël, vendi ku u ndërtua Konstandinopoja (qyteti Kostandinit), Roma e Re (filloi në 324 dhe u inaugurua në 11 maj 330). Njerëzit që jetonin në atë Perandori, kurrë nuk e kanë quajtur veten bizantinë, e aq më pak grekë, por gjithmonë romakë. Me pushtimin e Konstandinopojës, në vitin 1453, nga Mehmeti II, Perandoria Osmane u zgjerua në Anadoll dhe në Ballkan, territore ku jetonin grekë, vllehë, sllavë dhe shqiptarë të krishterë orthodhoksë. Kjo zonë u quajt nga turqit Rumeli (toka e romakëve dhe e të krishterëve) dhe përcaktonte rajone të populluara nga të krishterët. Të krishterët quheshin nga turqit “mileti rum” ose “kombi romak” dhe myslimanët “turq”; kjo zgjati derisa të krishterët u çliruan dhe formuan kombet e tyre në shek. XIX, duke marrë emrat e etnive të tyre (Referencë: Përmbledhje e shkrimit të botuar në Romanity.org: WHAT, IF ANYTHING, IS A BYZANTINE?. Clifton R. Fox, Professor of History, Tomball College, Tomball, TX, USA). Madje deri në fund të të shekullit të- XIX grekët zakonisht i referoheshin gjuhës së tyre moderne si romaika dhe më vonë si grekika (greqisht). (Byzantine Empire from Wikipedia).

I qartësuam të gjitha këto, për të kuptuar pse shën Kozmai nuk pranonte t’i quante të krishterët (romakët – rumët) si grekë (helenë), sepse termi “grek-helen” do të thoshte se ata ishin paganë që ishte fyerje për një të krishterë. Dhe interpretimi i profecive të shën Kozmait për një mbretëri të krishterë romake, me karakter ekumenik, është i gabuar dhe zhgënjyes për cilindo që i interpreton ato sot në kontekstin egoist dhe ultra nacionalist.

Le të përqendrohemi tani te çështja që na intereson më shumë, ku shën Kozmai duket se thotë në predikimin e shtatë, në versionin që qarkullon sot, në fund të tij: “Kështu, këtu, çdo i krishterë, burrë ose grua, që betohet të mos flasë arvanitika brenda në shtëpinë e tij, të çohet në këmbë dhe të më thotë, dhe unë do t’ia marr të gjitha mëkatet mbi supe, që nga koha kur lindi, dhe do t’i vë të gjithë të krishterët ta falin dhe të marrin falje”. Ky mësim nuk është i përkthyer në shqip dhe gjendet në këtë link: http://web.archive.org/…/www.agioskosmas.gr/agioskosmas.asp

Së pari, duhet të sqarojmë, sipas versionit që qarkullon sot, se shën Kozmai nuk ka thënë asnjë fjalë për të mallkuar shqipen dhe se çdo fjalë e përkthyer si mallkim është përdorur me dashakeqësi, dhe ata që e thonë këtë, mbajnë përgjegjësi si mashtrues përpara Zotit, shenjtorit dhe kombit shqiptar. Të bën përshtypje kur lexon predikimin e shtatë, i cili është një shpalosje e doktrinës së krishterë, ku flitet për temat teologjike, si: paganizmi, familja, prindërit, fëmijët, mëkati, martesa, pendimi etj., kur në fund gjen këtë këshillë: “Të mos flisni arvanitika”. Duket e pakuptimtë dhe si një vendosje artificiale dhe nuk ka rrjedhë logjike me predikimin.

Faktin se në predikimet dhe profecitë e shën Kozmait ka ndërhyrje dhe tjetërsim, e vënë në pah edhe shumë studiues grekë e të huaj. P.sh., siç tregohet në faqen Wikipedia në greqisht, në referencat 17-25, që u referohen studiuesve Faltaits, Ph. Michalopoulos, M. Kalinderis, K. Kourkoulas, K. Constans, Ap. Vakalopoulos, John Menunos, Spyros Asdrachas: “Në lidhje me kronologjinë e teksteve, ato janë ndarë në dy kategori, bazuar në kohën e predikimit dhe në kohën e kopjimeve. Sipas shkrimeve origjinale të mbijetuara, që na japin informacion në lidhje me atë kohë, ekzistojnë letrat e tij, të cilat janë të pakta, nga viti 1772-1779, ndërsa predikimet e tij kanë filluar të regjistrohen nga viti 1780-1830, pra, shumë vjet mbas vdekjes së shën Kozmait në 1779.” “Çdo mësim nuk është një përmbajtje, por përmbledhje e fjalimeve të veçanta të bëra në vende dhe kohë të ndryshme”.

Kjo anomali shpjegohet me faktin se në tetë mësimet e tij gjenden shprehje dhe profeci të përsëritura; mësimet dhe profecitë përsëriten në kopje dhe versione të ndryshme, që ishin lexime për popullin dhe pjesë e folklorit popullor. Disa nga këto tekste kanë keqinterpretime dhe keqkuptime, si për shembull trajtime të koncepteve të reja që u shfaqën në atë kohë për helenizmin dhe kombin.

Studiuesi Spiros Andrakas, i referuar në Wikipedia në greqisht, thotë me zhgënjim: “Mësimet e shën Kozmait i referohen jetës dhe mëkateve të përditshme, si tregtia, marrëdhëniet ndërmjet burrave dhe grave, tundimet e djallit etj. Kështu, shihet nevoja e edukimit për njohjen e Zotit, nëpërmjet kuptimit të Shkrimit të Shenjtë, dhe prandaj duhet njohja e gjuhës greke (koine), por jo njohja e mendimit grek (helen).”

Profesori Nomikos M. Vaporis, në librin e tij në anglisht “Father Kosmas, The Apostle of the Poor” (“Shën Kozmai, apostulli i të varfërve”), botuar nga Holy Cross Orthodox Press, Brookline, Massachusetts, në parathënien e tij në vitin 1977 në SH.B.A., thotë: “Edhe pse për shën Kozmain janë shtypur në tërësi shumë tekste dhe sot numërohen mbi 600 të tillë, askush deri më sot nuk ka botuar një botim të plotë kritik të punës së tij dhe për këtë arsye, nuk mund të ketë një studim përfundimtar, përderisa kjo gjë nuk është bërë ende. Për më tepër, unë kam dyshime të rënda që shën Kozmai mund të jetë “keqpërdorur”, pasi ai personalisht nuk ka shkruar shumë, përveç pak letrave që janë të dokumentuara”.

Duhet të dimë se edhe disa botime që qarkullojnë sot në shqip për jetën dhe mësimet e shën Kozmait, nuk janë të përkthyera saktë, duke tjetërsuar atë që ka thënë shenjtori. Këto botime nuk janë të çertifikuara nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe nuk kanë emrin e saj si botuese. Këto libra nuk duhen lexuar (ose duhen lexuar me rezerva) dhe nuk duhet të merren si objekt studimi. Në të kundërt, K.O.A.SH. nuk mban aspak përgjegjësi për përmbajtjen dhe mesazhet që ato përcjellin.

Një fakt tjetër që nuk duhet anashkaluar është se nuk na thuhet se në çfarë kohe apo vendi, ku dhe kujt ja ka dhënë shën Kozmai këshillën “mos flisni arvanitika”. Ja ka dhënë këtë këshillë arvanitasve që flisnin edhe greqisht, apo shqiptarëve që nuk dinin greqisht dhe u duhej ta mësonin? Që t’ua thoshte arvanitasve që ishin në Peloponez qysh nga shekulli i XIII-XIV nuk kishte kuptim, madje ishte fyese për ata që të mos flisnin gjuhën e të parëve të tyre. T’ua thoshte shqiptarve, kjo ishte e pamundur, sepse si do të merreshin vesh ata në shtëpi, kur nuk dinin greqisht, por u duhej ta mësonin? Kjo është paradoksale. Nxitja e shën Kozmait për të mësuar, shkruar dhe lexuar greqishten koine (greqishten e vjetër) edhe për grekët dhe fëmijët e tyre që nuk e dinin ta shkruanin, nuk ishte një kundërvënie ndaj shqipes, e cila nuk mund të quhej gjuhë konkurruese me greqishten e vjetër, sepse shqipja në atë kohë nuk ishte një gjuhë e shkruar, por vetëm e folur. Vërtet, që nga shek. XV ka pasur përpjekje për shkrimin e shqipes, siç kemi Mesharin nga Gjon Buzuku ose dhe të tjera, që janë të pakta, por të gjitha këto janë të shkruara në shqip me shkronja latine ose greke, sepse alfabeti i sotëm shqip u vendos në vitin 1908 në Kongresin e Manastrit (Alfabetit). Pra, 130 vjet pas vdekjes së shenjtorit.

Edhe diçka tjetër: shën Kozmai predikonte në zona ku banonin të krishterët orthodhoksë që ishin në juridiksionin e Patriarkanës Ekumenike dhe ku gjuha liturgjike e Kishës Orthodhokse ishte greqishtja koine biblike. Ai nuk predikonte në zona ku kishte juridiksion Kisha Romano-Katolike edhe në Shqipëri, ku mesha, lutjet dhe leximi i Biblës për besimtarët katolikë, bëheshin vetëm në latinisht, gjuha zyrtare e Kishës Katolike. Prandaj ai fliste për greqishten koine (greqishten e vjetër) si gjuha e vetme e mundshme, për momentin, me anën e së cilës mund të lexonin librat e Kishës Orthodhokse, tek të gjithë të krishterët e Rumelisë; grekë, sllavë, vlleh, shqipëtarë, që ishin në juridiksionin e Patriarkanës Ekumenike. Shën Kozmai si shumë i mësuar që ishte, përveç greqishtes koine, fliste dhe shkruante shumë mirë dhe latinisht, turqisht, frëngjisht, ndoshta fliste dhe arvanitika sepse origjina e tij prindërore ishte epirote. Dhe ai qëndroi si murg për shumë vite, në manastirin Filotheu të Athosit ku murgjëronin arvanitasit.

Ajo që të bën përshtypje është se asnjë nga studiuesit grekë nuk i ka dhënë rëndësi kësaj thënieje, madje anashkalohet prej tyre, sepse kanë dyshime për autenticitetin (vërtetësinë) e saj dhe sepse mund të jetë bërë një ndërhyrje për t’i shërbyer ideve nacionaliste në shtetin e ri grek, themeluar që prej vitit 1822, i cili përbëhëj edhe nga një shumicë e arvanitasve, të cilët flasin arvanitika edhe në ditët e sotme. Për këtë ka fakte…, por kjo gjë nuk ka lidhje me veprën hierapostolike të shën Kozmait.

Vetë Patriarkana Ekumenike, në Sinodin e vitit 1872, e nxitur prej veprimeve nacionaliste edhe brenda Kishës, e dënoi si herezi Ethno Filetizmin (racizmin), ndarjen e Kishës sipas kombit dhe në qoftë se prifti Kozma do të kishte predikuar për një komb dhe një Kishë greke me karakter nacionalist duke i përjashtuar të tjerët, ai nuk do të shpallej shenjtor dhe shembull për imitim, për të gjithë të krishterët, në vitin 1961 nga Patriarkana Ekumenike me në krye Patriarkun Athinagora (shqiptar) (1886-1972).

Përpara nesh, Shqipëria ka pasur figura të tjera të arsimuara dhe patriotë që kontribuan për kombin dhe gjuhën zyrtare shqipe në shtetin e ri shqiptar të themeluar në vitin 1912. Shqiptarët klerikë orthodhoksë, si: imzot Fan Noli, imzot Kristofor Kisi, i pari kryepeshkop kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e shpalluar si e tillë nga Tomosi patriarkal më 1930, e kishin studiuar veprën apostolike të shën Kozmait dhe veçanërisht atë në Shqipëri. Ata patjetër e kishin lexuar në greqisht çfarë thuhej në mësimin e shtatë – “Mos flisni arvanitika”, – por duket se këta njerëz të ditur dhe patriotë nuk i dhanë rëndësi kësaj shprehjeje, as e tjetërsuan, siç bëjnë disa pseudopatriotë sot, që e etiketojnë me nxitim dhe mllef nacionalist shenjtorin, herë si “agjent i turkut”, herë “agjent i grekut”, herë si “litar i Aliut”.

Këta burra shteti dhe patriotë orthodhoksë me shumë përgjegjësi, e pranuan dhe e promovuan kontributin e këtij shenjtori të madh të të gjithë popujve të krishterë të Ballkanit, veçanërisht të Shqiptarëve, si mbrojtës i Besimit të Krishterë Orthodhoks. Në fillim Kristofor Kisi dhe më pas Fan Noli, ishin të parët që përkthyen në shqip veprën dhe shërbesën e shën Kozmait. E para, ajo e Kristofor Kisit (“Jetëshkrimi dhe akoluthia e Dëshmorit të ri dhe isapostullit shën Kozma”), është shtypur në librarinë “Dhori Koti” në Korçë, më 1931. Dhe e dyta, nga Fan Noli, i cili në parathënien e librit “Kremtore e Kishës Orthodhokse” thotë: “Përkthimin e kemi bërë lirisht, pas kuptimit edhe jo fjalë pas fjale, nga Gërqishtja me përjashtimin e këndimeve të Shën Kozmait të Beratit, të cilat i parafrazuan nga versioni Shqip i Krye-Hirësisë së Tij, Kristofor Kisi, Kryepeshkopit të Shqipërisë. –Boston Mass., 25 prill 1947. Ata, sipas detyrës fetare që kishin si episkopë, e mësuan popullin e krishterë në Shqipëri që t’i këndojnë shën Kozmait edhe në gjuhën shqipe, tashmë të shkruar, lavdërimin që i bën Kisha Orthodhokse në Ballkan dhe në të gjithë botën këtij shenjtori të madh isapostull (të barabartë me apostujt), që u martirizua nga turqit në Shqipëri, në fshatin Kolkondas të Fierit, më 24 gusht 1779.

Le ta kremtojmë shën Kozmanë e përkujtuar, le ta lavdërojmë të gjithë, o besnikë, yllin e dëshmorëve, mburrjen e meshtarëve dhe të murgjve, se si shok i apostujve dhe ndërmjetar përpara Krishtit, u fal shërime të sëmurëve që i afrohen me besë” (Tropari i shenjtorit).

Burimi: Radio "Ngjallja" 

Comments

Submitted by Petro Nini Luarasi (not verified) on

E degjoj dhe e lexoj perhere me vemendje z.Miron.
Kam nje pyetje: Pse kembengulet nga kisha e Janullatosit me fjalet:
Orthodhoks?
Episkopia?
Mundet dikush te jape nje shpjegim te sakte?
Deri vone, ne gjuhen letrare eshte perdorur
Ortodokse
Dhe Peshkopata!
Dhe nje vendbanim ne Shqiperine verilindore quhet Peshkopi dhe jo Piskupi

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nje njeri i mbas 1000 vjeteve, po te lexoje keto shkrime, do habitet e do thote: -Cudi, me cfare problemesh jane marre njerezit dikur!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.