Ndryshon drafti i Konferencës për Luftën Antifashiste

Postuar në 14 Gusht, 2019 00:20

Ndryshon drafti i Konferencës Shkencore Mbarëkombëtare dhe Ndërkombëtare kushtuar rezistencës antifashiste të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, i parashikuar të mbahet më 15 nëntor dhe i organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Tema e konferencës, e bërë publike vetëm disa ditë më pare, ka ngjallur polemika mes vetë studiuesve dhe historianëve, ndërkohë që nuk kanë munguar as akuzat se kjo konferencë dhe Akademia e Shkencave po mohojnë luftën dhe se po përpiqen ta zëvendësojnë atë me konceptin e Rezistencës Antifashiste.

Në një shkrim të disa ditëve më parë, historiani Paskal Milo mbështeti tezën se me këtë konferencë Akademia e Shkencave po njollos një periudhë të historisë sonë, duke akuzuar si hartues të tekstit, historianin Romeo Gurakuqi.

Por, në një bisedë telefonike me TemA TV, Gurakuqi bën me dije se ai është vetëm një nga anëtarët e komisionit organizator të konferencës nga ana e Akademisë së Shkencave dhe se ai nuk e kishte parë më parë draftin e hartuar për këtë konferencë, porse ky draft tashmë ka ndryshuar, për të mos qenë i njëanshëm.

“Ky draft ka ndryshuar dhe tema e konferencës tashmë do të jetë më e gjerë dhe gjithëpërfshirëse: Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, shprehet Romeo Gurakuqi, ndërsa bën me dije se për organizimin e konferencës dhe draftin do të ketë konsultime gjatë javës, ndërsa do të mbahet mbledhje në datën 30 gusht.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.