Presidenti ngre akuza penale për kontratën koncesionare të rrugës Milot - Balldren

Postuar në 08 Gusht, 2019 16:53

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kthyer sot për rishqyrtim ligjin për miratimin e kontratës konçesionare për rrugën Milot-Balldren. Përmes në njoftimi në faqen e vet online, kreu i shtetit jep arsyet e këtij vendimi që sipas tij lidhen me një seri procedurash antikushtetuese. Në përfundimet e veta Meta ka konstatuar se:

 

Ligji nr. 52/2019 dhe Kontrata Koncesionare bashkëlidhur janë propozuar, hartuar, nënshkruar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës; 

Ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me interesin publik dhe në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit;

Kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi aspak transparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore për negocimin e çmimit të saj;

Mungesa e një vlerësimi të qartë ekonomik krijon rrezik për cenim të financave të shtetit;

Nuk rezulton të ketë një studim fizibilteti të plotë dhe objektiv të hartuar dhe të miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj me këtë detyrë;

Nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces;

Rriskon seriozisht buxhetin e shtetit, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit;

Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit

Përtej këtyre konstatimeve, Presidenti i Republikës që ka tagër kushtetues për pjesëmarrje në procesin ligjvënës në vend, ka prezantuar edhe gjetje të tjera të rënda, që janë në fakt akuza e karakter penal. Ndër të tjera, Meta ka vënë në dukje se Ministria e Ekonomisë dhe Financave nuk ka dhënë miratim për këtë kontratë.

Mungesa e miratimit të projektit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe e informacionit mbi të, cenon rëndë të gjithë procesin dhe përbën shkelje të procedurës së ndjekur qoftë nga Autoriteti Kontraktues, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Këshilli i Ministrave, duke përfshirë në këtë proces edhe Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo është shkelje e rëndë e procedurës dhe ngarkon me përgjegjësi jo vetëm autoritetin kontraktor, por gjithë zinxhirin vendimmarrës në këtë çështje që prej specialistit më të thjeshtë tek Autoriteti Rrugor Shqiptar, Autoriteti Kontraktor deri tek vendimmarrja e Këshillit të Ministarve, që kanë toleruar që të nisë dhe të zbatohet një procedurë koncesionare, pa miratimin paraprak apo përfundimtar të shprehur në mënyrë të plotë dhe shteruese të Ministrisë së Financave  dhe Ekonomisë.

Referuar shqyrtimit të dokumentave të procedurës së konkurrimi rezulton se vlera e parashikuar e projektit në bazë të studimit të fizibilitetit është 161,500,000 Euro pa TVSH, ndërkohë që vlera e ofertës së propozuar nga oferuesi i shpallur fitues ka qenë 217,318,500 plus TVSH;

Nga ana e Autoritetit Kontraktues, nuk është respektuar baza ligjore lidhur me veprimtarinë e kryer për negocimin e termave material të kontratës së koncesionit, duke shkelur parimin e sigurisë juridike dhe interesin publik në mënyrë flagrante.

Negocimi i kontratës koncesionare, përfshirë ofertën e propozuesve apo modelin financiar, pa patur një parashikim të qartë në dokumentat standard të garës, madje në kundërshtim të plotë me vetë parashikimin se oferta nuk mund të modifikohet, dhe nga ana tjetër pa patur një bazë ligjore specifike për ta realizuar këtë proces, cenon rëndë sigurinë juridike, cenon rëndë parimin e shtetit të së drejtës, duke shkelur nenin 4 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku parashikohet se e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.

Duke vepruar në një terren të tillë, pa ligj dhe pa rregulla, Autoriteti Kontraktor dhe më pas Këshilli i Ministrave, i kanë ofruar Kuvendit të Shqipërisë, për miratim me ligj një Kontratë Koncesionare/PPP, e cila është formuar nën një vullnet të shtrembëruar, subjektiv dhe të pakontrolluar në të gjitha dimensionet e tij, ekonomike, financiare, etj.

thuhet në arsyetimin e Presidentit.

Në këto kushte është jashtë çdo dyshimi se Prokuroria duhet të nisë hetimin kryesisht për një kontratë që i sjell buxhetit dhe qytetarëve dëme ekonomike dhe financiare, sipas konstatimeve të Presidentit. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagim për një gjë të tillë, por një kallëzim penal mund të bëjë edhe Partia Demokratike, e cila premton se do të ketë prioritet anullimin e koncesioneve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.