73 vjet më parë, ekzekutimi At Aleksandër Lipes

Postuar në 05 Gusht, 2019 13:01
Lekë Tasi & Irakli Thanasi

 

Në një moment si i sotmi kur lufta e retorikave ka arritur kulmin, pro-kundër qeverisjes, pro-kundër reformës, prokundër pasqyrimit të LNÇ Teatrit etj., të gjitha me tone të larta e deri fyerje, të përkujtosh një martir të lirisë së debatit i vlen veçanërisht opinionit publik. Atë Aleksandër Lipen e dallonte bindja e brendshme se vetëm mirëbesimi në debat i zgjidh çështjet. Të folurit me mirëbesim edhe me të fortin lejon argumentimin, po edhe nderon bashkëbiseduesin, duke e konsideruar si të sinqertë në ato që thotë dhe të aftë t‘i argumentojë. Kjo nuk është jashtë natyrës sonë si popull, por s‘mund të gjendej moment më i papërshtatshëm se ai që e përdori këtë mirëbesim. Megjithatë, ai guxoi edhe me Enverin. Sinqeriteti mund të “çarmatosë” edhe më të ashprin e burrave, por jo ata që kanë zgjedhur falsitetin për taktikë veprimi. Kjo përplasje përbërjesh diametralisht të kundërta e nxori jashtë luftimit njeriun e angazhuar veç tek e Mira dhe sigurisht e privoi edhe nga mbështetja e ligjit në atë kohë të shndërruar në paligjësi. Shenjat që kishte hyrë në skenë ky model i pabesë ishin dhënë, të pabarazueshme për nga mizoria dhe i linte qytetarit dy alternativa, o nënshtrimin, o plumbin. Shoqëria mund të luftojë kriza të tjera, p.sh. kriminalitetin e shtuar, se e njeh problemin dhe njerëzit solidarizohen kundër. Kurse përballë një ideje që paraqitet si çlirimtare dhe fshehtazi përgatit prangat, qytetaria gjendet tërësisht pa mjete.

Mospërputhja në atë moment ishte shumë e madhe; sado ta kemi në gjak morbin e grindjeve, (shembull ditët e sotme, ku gojët nxjerrin duhmë inatçore, por jo fjalë), në vitet ‘40 shqiptarët kishin arritur një lloj shteti ligjor që kush donte të ndihmonte veten, s‘e pengonte askush dhe gjyqet e garantonin. E kam jetuar këtë moment të lumtur pikërisht në Përmet, dhe në kohën kur Atë Aleksandër Lipe shërbente si prift. Ishte viti shkollor 1941-1942. Kur e kundron atë kohë nga sot, stili i jetës, pavarësisht Zog apo Itali, ishte i njëjti, njerëzit vazhdonin të bënin atë që donin, të merreshin me tregti, të lëviznin ku të donin, sepse edhe një mirëqenie relative ua lejonte këtë lirshmëri te kjo qytezë modeste, por që mblidhte në pazarin simpatik produkte dhe prodhonjës nga një qark i gjerë. Festat pastaj s‘pushonin kurrë, panaire majë kodrave gjatë verës sipas shenjtorit që kishte ditën, me mishra në hell e valle, dasmat mbanin një javë me shahirë e këngë, karnavalet me gostitje reçel e raki në çdo shtëpi. Që të kthehemi në temë, ne i njihnim priftërinjtë e qytetit, Atë Vangjelin e Shën Kollit afër shtëpisë dhe Atë Sotirin te Shëne Premtja, por një respekt të veçantë kishte qyteti për Papa Aleksin (Atë Aleksandër Lipe), të cilit i thoshin zakonisht “prifti i Leusës” ose “i Kaludhit”, sepse ai kishte si detyrë të parë Shën Mërinë e Leusës, ku meshonte zakonisht, por falë përgatitjes shumë më të ngritur nga ana teologjike dhe si më i ri, kishte detyrë mbikëqyrjen e kishave të të gjithë krahinës, katekizmin etj.

Kryesisht ishte personaliteti i tij, serioziteti dhe kultura, si dhe fakti që posa ishte kthyer nga internimi i përkohshëm nga Italia, që ia siguronin këtë konsideratë. Shkurt, ai dinte të kundërshtonte të padrejtën (konkretisht pushtimin italian) dhe të pavërtetën, gjë që përbën vetinë e parë të qytetarit, veti që përfshin edhe rrezikun kur i qëndron me konsekuencë. Rinia e simpatizonin edhe për faktin se ishte provuar qitës i shkëlqyer në një kompeticion me pushkë. Kjo shpjegohet si një rudiment i origjinës tij; Kaludhi, fshat malor nën Nemërçkë, ishte blegtoral dhe në ato kohë kusaria kishte filluar të ndihej, rrëmbime bagëtish, ndonjë vrasje etj… S‘kam pasur raste më tej, por as edhe moshë, që ta njihja më nga afër, megjithatë të gjithë e dinin që kurrikuli i tij ishte i plotë, me studime në Vellá, shkollë prestigjioze afër Janinës, dhe pastaj Seminarin në Selanik, gjithë duke punuar. Dinte edhe gjuhë të huaja dhe këtë e kam konstatuar kur psali Ungjillin të Dielën e Pashkës në gjuhë të tjera veç shqipes siç e do tradita e asaj dite.

Kur u zhvendosëm në Tiranë, nuk kaloi shumë vjet, dhe në 1946 na erdhi lajmi i ekzekutimit të tij. Mbaj mend dhembjen e zemërimin që shkaktoi ky akt në çdo ambient përmetar. Por, shenjat e para të dhunës komuniste datojnë qysh në ‘43. Jam kthyer dy herë në Përmet, të parën në verën e 1945-ës (ende pa u bërë zgjedhjet më 2.12.1945, ku populli do të votonte masivisht kundër) dhe herën e dytë në verën e 1955-ës. Ndryshimi me kohën e mëparshme qe mbresues, të ndrydhte në zemër jo vetëm se qyteti ishte i tëri gërmadha, por nga kontrasti kolosal te banorët me ç`i kisha lënë tre vjet të shkuara. Shkaku i vrasjeve, siç thonë dokumentet partiake, ishte se nuk gjente pëlqim në popull ideja për të lidhur luftën me hasmëritë e brendshme (projekt final). Njerëzit donin bashkëpunim me ballistët, dhe për t`i detyruar u kalua te masat terroriste. Ndër viktimat kishte qenë Dervish Meko nga shtresa e lartë, të cilin e vranë barbarisht me bomba, kurse nga e ulëta, një shofer, Mete Balashi, që e pushkatuan në Këlcyrë mbas një gjyqi të shpejtë, vetëm se kishte bërë sherr me ta para se t’u bindej për të çuar angari një ngarkesë të tyren në atë qytet.

Studentë, bij tregtarësh që ne i njihnim, ishin kthyer në ekzekutues. Motivacionin e terrorit si mjet për të krijuar përçarje e thotë hapur dokumenti i tyre (Xh. Sadiku “Skenarë të përgjakur” – Përmet 1943-1900). Libri jep të tjera vrasje edhe më të habitshme. Kishin marrë Sami Baçin nga shtëpia natën, me pizhama, dhe në mënyrë demonstrative e kishin ekzekutuar si spiun italian. Po këtë akuzë absurde (d.m.th. shpifje) edhe për Muharrem dhe Rahmi Çibukun, atë e bir, si dhe Idajet Këlcyrën. Si kudo nëpër Shqipëri kishte filluar pra fushata tipike e komunizmit internacional që eliminon njerëzit me influencë po edhe radha, kujt t`i binte shorti, për të tromaksur vetë klimën. Më vonë, siç e dimë, kjo u shtri në radhët e veta… (Këtë lloj LNÇ një numër historianësh dhe politikanësh sot duan ta sanksionojnë si “të paprekshme”, megjithëse e dokumentuar…).

Por populli përsëri nuk besonte se terrori do të zgjaste pa afat, përndryshe nuk do të kishte guxuar të votonte i tëri kundër. “Përmeti e nxiu”, flitej nën zë, duke shpresuar se do t’u vinte fundi. Është shumë e vështirë të fshihet në mendjen njerëzore kontrata mijëvjeçare mbret-qytetar “Mos më nga – të mos të ngas”. Komunistët jo vetëm nuk e respektuan, por duke e dhunuar, shfrytëzuan edhe befasinë, si një risi që i sjell pushtetarit kënaqësi të paeksperimetuara. Pas vendosjes si pushtet shtetëror, përveç ekzekutimeve, filluan dhe burgimet, puna e detyrueshme, demaskimet për të terrorizuar edhe fëmijët e “armiqve”. Në listën “armiq” hynin tregtarët që s`paguanin dot taksat e rënda, ose kushdo që i kishte shpëtuar ndonjë fjalë “armiqësore” dhe pati raste që gruaja braktiste deri në vdekje nga uria burrin e burgosur.

Arrestimi më i bujshëm erdhi në shkurt 1946, me 8 persona, ku bënte pjesë dhe Atë Aleksandër Lipe. Gjyqi u bë në Gjirokastër katër muaj më pas, në qershor. Zgjati njëzet dit, torturat nuk dihen, por akuzat u hodhën poshtë nga të gjithë të pandehurit, se ishin tërësisht të paprovuara, të pavërteta, megjithatë gjyqtarët nuk patën nevojë për prova as për të dëgjuar avokatë dhe karakteristike për atë proces qé përmbysja e pritshmërisë që kishin njerëzit edhe nën komunizëm: që prokurori të kërkonte shumë dhe trupi gjykues ta ulte pakëz. Jo. Kryetari Bexhet Mema (vëlla binjak në mizori me Haznedarin famëkeq, dhe që si u mor vesh mbas ‘90-ës, kishte vrarë një djalë të ri, partizan të çetës, që e kishte “ngrënë” karremin e tij dhe shprehu dëshirën për të vajtur në shtëpi…). Në shpalljen e vendimit deklaroi: “Në kundërshtim me ato që kërkoi prokurori, dënimet do të rëndohen. Në fakt, i kishte ardhur porosia direkt nga Enveri (“Prifti të pushkatohet, të tjerëve nga 20 vjet”)”. Ndërkaq, futi në xhep edhe një ryshfet të majmë për një ekzekutim të dytë, të cilin e ktheu me 20 vjet pa i rënë ndesh porosisë së ustait, as qejfit të tij (shih për analogjinë e mbrapshtë kap 7 të Arqipelagut Gulag)…

Ekzekutimi i Atë Lipes u bë në 4 korrik 1946, nuk dihet ende në ç`rrethana dhe natyrisht as varri… Ky ishte “racioni” fillestar që i takonte Përmetit krahasimisht me rrethet e tjera. Gjyqi Special në Tiranë një vit më parë kishte dhënë 17 dënime kapitale; në atë rast im atë dhe im ungj kishin marrë respektivisht burgim të përjetshëm dhe 20 vjet. Më pas, Përmeti do të paguante të tjera dënime kapitale, ndër to Agathokli Xhitomi, baba i gjashtë fëmijëve dhe kundërshtues në dialog normal i politikave të tyre arrogante, për të vazhduar me të tjera përndjekje, shpronësime, gjëra që sollën largimin e popullsisë (arratisje nga kufiri ose drejt qyteteve) për t`i ikur ngutazi tmerrit.

PRAPASKENA MË HOLLËSISHT

Pushteti komunist kishte hesape të vjetra me priftin. Si njeri i përkushtuar sinqerisht Zotit, pra i detyruar të thoshte të vërtetën, ai nuk mund të mos i sqaronte njerëzit për natyrën reale të komunizmit si shoqëri kolektivizuese në ekstrem. Kjo i dilte detyrë kur shtrohej çështja e mbas LNÇ: A do të vazhdonte liria e pronës dhe e tregut siç linin të kuptohej agjitatorët apo do të imponohej kolektivizmi i praktikuar në BS, që prifti e njihte mirë bashkë me mjaft intelektualë të informuar. Duhej ta sqaronte këtë pikë, edhe me rrezik prishjeje me partinë, e cila i kërkonte të bindte djemtë e fshatit të shkonin partizanë. Ai s‘ishte as injorant, as lolo që t‘ua jepte pëlqimin symbyllur në këmbim të premtimeve të rrema. Vite më parë ai ishte shprehur rreth komunizmit në një artikull me titull “Krishti komunist?” ku kishte hedhur poshtë këtë përrallë të bazuar në një gjasim të përciptë të kishës fillestare (ku besnikët kontribuonin në arkën e përbashkët në ndihmë të vejushave dhe jetimëve), dhe komunizmit bolshevik që u rrëmbeu bujqve tokat deri te pragu i shtëpisë dhe i vrau me miliona. E kishte argumentuar si fals këtë paralelizëm te revista “Predikimi” nr. 3-4, 1938. Rasti i dytë dhe më i rrezikshmi qe ky aktual, kur LNÇ po u servirej fshatarëve si prurëse lumturie, me qëllim t‘i vinte njëshkolonë. Atë Aleksandri ua deklaroi hapur një sëre të dërguarish, që nga Mustafa Matohiti, që e vizitoi dy herë në shtëpi, dhe ia dëgjoi me vëmendje shpjegimet (duket nuk i dinte), e me radhë kuadrove, nga D. Mamaqi deri te Bedri Spahiu, i cili e këshilloi për maturi. Iku në Janinë (kjo nuk konsiderohej faj atëherë dhe, në fakt, i dërguan garanci dhe u kthye…) dhe më në fund kur e thirrën ia tha vetë Enverit: “Dakord luftë për liri, por teorinë dhe praktikën ju i kini tërësisht të kundërta me këto që po thoni; jeni për kolektivizim.

Populli do të jetë tërësisht i varur nga shteti edhe për gjërat më të vogla…” Enveri e vuri në rreth të kuq dhe prandaj del plotësisht logjike porosia që i dërgoi Bexhetit dy vjet më vonë që prifti të eliminohet. Logjike, sepse strategjia e tij e tillë ishte, parulla të bukura në krye dhe mbasi të shtinin në dorë një numër të mjaftueshëm trupash, të zbatonin terrorin, në borgjezi, popull, po më vonë edhe brenda partisë e ushtrisë së vet, siç e shohim sot te libri për Bllokun (I. Kalo) d.m.th. skaji ku çoi ajo taktikë e filluar atëkohë. Në bisedën që pati me Atë Lipen në prag të kongresit (maj 1944), ku donte ta bënte edhe delegat si dhe A. Xhitomin dhe refuzimin e tyre, Enveri ishte i sjellshëm, i bëri apel patriotizmës së tij për të mirën e vendit të tij etj. Pastaj, si kudo në planetin Tokë, ku ka operuar bolshevizmi, akuzat ndaj kundërshtarëve ose “të planifikuarve” për dënim do të ishin tërësisht të sajuara. Kështu që, Atë Lipen e bënë të përfshirë në masakrat e Zhepës e Draçovës, d.m.th. bashkëpunëtor me gjermanët në vrasje (!). Një akuzë kjo që e kishin tërhequr vetë në një gjyq të mëparshëm.

Falë hulumtimeve që po bëhen nga rrethi i tij familjar (nipi i tij Kosta Lipe dhe studiuesi i historisë Irakli Thanasi), Atë Aleksandrit po i dalin të dhëna të tjera, por ende jo ato më të rëndësishmet. Veçanërisht, të hetuesisë, të kulisave të gjyqit, që janë më sfilitëset, dhe të orëve pas vendimit. Kjo është një plagë që ka lënë mbrapa sistemi, që së bashku me trupin (varret që s‘u gjenden) të zhduket ose të falsifikohet edhe portreti i të zhdukurve, duke e manipuluar me anë të procesverbaleve shabllone dhe premtimeve para që s‘do mbahen më pas, për të mos dalë e qartë si e përballoi secili fatin e tij. Por mosmbajtja e shënimeve shtrihet deri te dëshmitarët okularë që mbijetuan. Shqiptari nuk i regjistron ndodhitë, shumë të rralla janë dëshmitë prej persekutorësh ose thjesht pjesëmarrësish të penduar, prej frikës që sistemi i vëzhgon akoma ose nga këmbëngulja në faj, tipike e provincialit, por edhe nga mungesa e traditës kaq e përhapur në Evropë, ndofta sepse kjo traditë u shqim kur Evropa u zhbë gradualisht te ne. Megjithatë, nga elementet që kanë dalë, figura e këtij kleriku-tribun e nderon krahinën e Përmetit.

Ndershmëria dhe sensi i përgjegjësisë, kur këmbëngul në të vërtetën, quhet kurajë civile, më e lartë se trimëria, sepse është e pambrojtur. Nëse kësaj i vëmë përballë celulën komuniste të Përmetit (Alqi Kristo, Dh. Lamani, Gogo Kozma, Birçe Sinemati, Minella Bulka, Dashnor Mamaqi) që pranoi idenë e bllokimit të ujit kazermave dhe s‘fitoi asgjë veç djegies së qytetit, e shohim të gjallë pasivitetin fatal të atyre që ndoqën pas symbyllur partinë e ngritur nga serbët. Njësiti ushtarak ka detyrë të zbatojë urdhrat, por ti si celulë je parti, dhe partia diskuton, dhe kur je vendës, aq më tepër, ke përgjegjësi ta mbrosh qytetin tënd nga çdo lloj marrëzie. Britaniku Smaili e quan dështim aksionin e tërë luginës, nga Kiçoku, Mezhgoran, Kuqar, Përmet, sepse ushtarakët që e komanduan qenë komplet të paqartë. Fitimtar doli vetëm Ali Këlcyra që e çarmatosi kolonën italiane në tërheqje. Megjithatë, do të ishte gabim të thuash se Balli fitoi së paku aty. Aspak. Partia si synonjëse e vetëm pushtetit mjaftohej vetëm të bëhej luftë dhe vazhdonte terrorin deri brenda këshillave të fshatrave sa herë diktonte në to frymë bashkëpunimi mes palëve, siç e deklarojnë vetë arkivat e tyre. Dhe plus vrasjeve, shkatërrimi i fshatrave shërbente për të shtuar radhët me të tremburit dhe të lëkundurit. Pra, treshja Popoviç-Dushan-Enver fitonte në afat të gjatë dhe ky i fundit regjistronte këdo nga krerët partizanë që sugjeronte luftë edhe me gjermanët, jo vetëm me ballistët. Për t‘ia gjetur rastin më vonë. Kështu që, ajo që quajtëm marrëzi, merr tipare koshiente, kurse çdo i mençur do të ndihej përherë e më i pasigurt…

Atë Aleksandri, si udhëheqës krahinor dhe me të vetmin qëllim mbrojtjen e fshatit, kishte ngritur një çetë të armatosur. Pavarësia e tij në këtë qëllim kishte kudo në Jugun nacionalist krerë të ngjashëm, edhe shumë më të fortë sigurisht, por balanca anoi nga komunistët kur aleatët preferuan, në fakt, taktikën e tyre, edhe pse i kritikonin (Dikush prej tyre deshi madje që armatimet italiane Aliu t‘ua jepte atyre (!). Pika më e theksuar e shpërfilljes së nevojave të popullatës nga ana e Enverit është rasti i Përmetit. Mund të ketë qenë edhe e qëllimshme, ngaqë e shihte të ftohtë ndaj luftës. Në botë asnjë nga ndërluftuesit nuk e shkatërron administratën lokale, sepse ajo e shkarkon nga preokupime e telashe të tepërta, aq më tepër kur lufton në tokën e vet. Enveri me urdhrin që dha për sulm, jo vetëm u bë shkak që qyteti të digjej, por edhe që administrata dhe parësia borgjeze të ndëshkohej. Për vrojtuesin e pavarur të dokumenteve dhe me kalimin e brezave, dalin të lavdërueshme nismat e parisë, p.sh. firmat e mjaft përmetarëve në peticionin kundër rrëmbimit të Ali Këlcyrës nga partizanët dhe po ashtu ankesat kundër prerjes së ujit. Kurse xhandarmëria shqiptare, sipas LNÇ, në shërbim të pushtuesit, e provoi në atë rast se ç‘vlerë reale kishte administrata qoftë nën Italinë, kur mblodhi vajzat në ndërtesën e saj, që të mos ndodhnin çnderime nga fashistët e tërbuar (shih përsëri te libri i Xh.

Sadikut raportin e Ramiz Harxhit, kryetar bashkie, për këtë episod, por edhe për nismën kundër zisë së bukës që pllakosi, duke dërguar një komision nga paria përmetare që bleu ushqime në Tiranën e armikut, ndërsa celulat dhe këshillat NÇL kishin avulluar). Këto janë shenjat e civilitetit, që po të gjenin vend brenda lëvizjes partizane (fjala është për guximin e diskutimit, që me vendosjen gjeografike të Shqipërisë afër armatave aleate) do t‘ia ndalnin revanin treshes për t’u bërë e tërëfuqishme siç u bë. Këtë civilitet e quante të llojit borgjez NÇL. Dhe ajo vetë e shndërruar në shtet, do të merrej me larje inatesh që i përkisnin së kaluarës, në shkallë edhe më meskine nga ç‘mund të pritej. Jeta nën sundimin e saj këtej e tutje do të kthehej vertikalisht në të kundërtën e asaj që kishte qenë karakteristike e Përmetit: tani do të vlenin si mjet shpëtimi vetëm bindja kokulur, brohorimat dhe rrjetet e dëshmitarëve të rremë për gjyqet që do të mbushnin burgjet. Prandaj, dhe qyteti në shumicën e tij emigroi në Tiranë, Durrës e qytete të tjera, me shpresë që largësia dhe rrëmuja do të vepronte si solvent i ligësisë që i ndiqte nga pas.

NË MBYLLJE 

Sot, kur ajo kohë ka kaluar, por pasojat e saj jo ende, madje me një riegërsim në 1997, theksi duhet vënë te tradita përmetare e kurajës civile, së cilës iu bë bartës me kosto të jetës tribuni që përkujtojmë. Kjo arrihet duke e “rimbjellë” e kultivuar qysh në shkollë pavarësinë e mendimit. Përmeti mund të bëhet një qytet europian, se i ka të dhënat, dëshirën për dije, korrektesën natyrale në sjellje dhe vullnetin për të afirmuar veten pa bujë. Por, në kushtet ku gjendet, duhet më parë të zbojë nga vetja “xhyben” që i ka veshur regjimi i dhunës, që mbasi e përdori dhe e vrau, i caktoi rolin e mirënjohësit që feston për vit me entuziazëm fatin që iu caktua. Ka shkuar gjatë kjo farsë, duhet përmbysur. Dhe këtë proces drejt dinjitetit qytetar mund ta bëjë me baza rinia përmetare, duke u njohur imtazi me fatin e individëve të cilët kanë qenë elita e tij në kohëra të mira e të këqija.

Këtë ia mundësojnë dokumentet e mbledhura në librat e autorëve përmetarë. Fazat e tmerrit që kaloi qyteti duhen njohur me të gjitha hollësitë, ajo është historia e vërtetë, e individëve në momente krize dhe e reagimeve që tradita e lashtë e antishtirjes u diktonte përmetarëve. Kjo histori e detajuar po të dalë në dritë, siç shpresojmë, do ta nxjerrë të qartë se LNCL çdo gjë tjetër mund të jetë, po e paprekshme jo. Gjëmat e saj, të dala lakuriq, do të sjellin neverinë ndaj mizanskenave që vazhdojnë në qytetin tonë, me solemnitete e festa që gjakun e derdhur për liri ia faturojnë si meritë diktaturës së ngritur mbi krimin. Duhet zhbërë ajo skeleri e kalbur që dominon ende në qytet, monumente e pllaka, e mbështetur me argumente po të kalbura nga ithtarët e vonuar të diktaturës. Viktimave të asaj periudhe të zezë u vlejnë nderimet që po i bëhen Atë Aleksandër Lipes – “Nderi i Krahinës” nga Komuna e Petranit, 2009. E falënderojmë, por ky akt që tingëllon i ri për rininë, rrezikon të mbesë pa kuptim, në qoftë se nuk fshihet tutje me baza shkencore falsiteti në historiografi, i thurur për qëllime tashmë të tejkaluara dhe të diskredituara. Vlerësimi më i dëshiruar i përmetarëve autoktonë dhe i ardhësve që trashëgojnë frymën e tyre, do të ishte të punohej me një plan të studiuar siç praktikohet sot me komunitete eksperimentimi për rritjen e frymës qytetare, e llojit që i thotë gjërat ashtu siç janë, ndaj termi “qytet europian” është i duhuri, mbasi deri diku e kemi pasur; e dëshmojnë mjaft vizitorë të qytetit në periudha të ndryshme. Vetëm ashtu mund të rivendoset qartë kufiri mes vlerave dhe antivlerave që kanë gjalluar në dramën e qytetit dhe, për rezonancë, qartësia e së vërtetës të përcillet kudo në Shqipëri.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.