Lëmosha që po shitet si përpjekje për marrëveshje

Postuar në 04 Gusht, 2019 23:30

Fatmir Mediu, një lloj politikani të cilit i pëlqen të luajë si eminencë e së djathtës zyrtare, deklaronte sot për Top-Channel, ekskluzivisht madje, se opozita duhet të ulet në tryezë me Edi Ramën. Mediu ka zbuluar se OSBE-ODIHR ka “pasur interes për të facilituar një takim ndërmjet paleve, por palët më parë duhet të binin dakort paraprakisht. Se nuk besoj se do vijë dikush për të ardhur për të shpenzuar kohë kot apo për tu refuzuar. Kemi shkuar me Bashën në Luksemburg dhe si opozitë në Vjenë dhe kemi takuar z. Greminger, i cili ka pasur një kërkesë zyrtare edhe nga z. Meta dhe kemi thënë që jemi dakord për dialog mes pozitës dhe opozitës”.

Z. Mediu ka shtuar se kërkesat e opozitës kanë qenë: frenim i rotacionit në pushtetin vendor, zgjedhje të parakohshme parlamentare nën një qeveri kujdestare dhe një shtet kushtetues. Por këto kërkesa janë refuzuar nga qeveria shqiptare, ndonëse janë pranuar nga OSBE.

Mesa di unë dhe zoti Rama ka refuzuar kërkesën e zotit Lajcak dhe z. Greminger, por mos të jem abuziv këto janë informacione të cilat nuk janë zyrtare...Ne duhet të krijojmë kurs dikutimi normal me njëri-tjetrin pastaj të kemi mundësi për të ofruar. Ka shumë personalitete që janë të gatshëm për të negociauar. Siç janë njerëz që janë marrë me Maqedoninë. Por të paktën të tregojmë përgjegjshmëri minimale

tha kryetari i Partisë Republikane.

Ky version i treguar nga z. Mediu përputhet deri diku me qëndrimet e herëpashershme të Lulzim Bashës që gjatë protestave thoshte se “zgjidhja është shumë afër”. Më tej akoma: negociatat për të cilat flet republikani kompromentojnë idenë e revolucionit të z. Basha pasi mesa duket çdo lëvizje force nga partia e tij ka qenë në funksion të presionit në tavolinë për z. Rama.

I cili as e hëngri presionin, as u tërhoq dhe as dëgjoi nga daullet e PD-së. Përfundimi dihet: votime më 30 qershor, të qeta, lineare, të njohura ndërkombëtarisht dhe më e rëndësishmja: me një opozitë që mori rolin e vëzhguesit dhe një president që po pëlciste nga inati.

Mesa duket z. Rama ka patur garanci të tjera që ka vijuar me lojën e tij të njëanshme, ose përndryshe ka luajtur bllofin. Një gjë kuptohet qartë: dhuna ka qenë elementi më i patolerueshëm nga ata që mbikëqyrin Shqipërinë, për arsye që mund të hamendësohen sipas një arsyetimi fare banal: nuk duhet një tjetër vatër tensioni në Ballkan.

Apeli i z. Mediu sot është në fakt një ofertë e re për ndërmjetësim dhe riintegrim të opozitës në sistem. Kjo është minimalja për një opozitë që nuk pati as ndriçimin të kuptonte se rruga që nisi nuk lihej në mes. Pazare si këto të z. Mediu Shqipëria ka parë shumë. Ato janë asgjë më shumë sesa formula e një modeli të dështuar që ndan tepsinë në emër të stabilitetit dhe normalitetit që nuk i mbush dot dy vjet.

Qeveria e z. Rama ofroi të gjitha gabimet e mundshme për t’u etiketuar me çdo akuzë dhe mandej për t’u goditur me çdo mjet. Opozita nuk bëri asgjë tjetër veçse shpërdoroi në një shkallë edhe më të lartë se qeveria besimin e njerëzve të vet për të na përcjellë të gjithëve me një rezultante që rrjedh nga pragmatizmi: mes dy gënjeshtarëve triumfon status quoja.

Dikur për z. Berisha u tha se ishte shumë kokëfortë për të qenë një demokrat i vërtetë dhe shumë i paaftë për qenë një diktator i vërtetë. Z. Basha është i paaftë në të gjitha drejtimet. Dhe ai e pati besimin e njerëzve dhe shpresën e tyre edhe kur u kuptua fare mirë se ishte asgjë më shumë sesa një lake i tavolinës së pushtetit që kërkon atë që mund ta marrë fare mirë duke qenë vetëm një binzesmen dhe jo një dikush që ka marrë peng opozitën e një vendi të tërë.

Në këtë kuadër oferta e z. Mediu është e pakuptimtë dhe madje absurde: për çfarë do dialogojë z. Rama me z. Basha sot? Z. Basha nuk ka më në dorë as çelësin e stabilitetit të Bathores, si vallë do të pranohet në një tryezë për të folur për të ardhmen e vendit? Një takim i tillë është asgjë më shumë sesa lëmoshë për rilindjen në kuzhinën e pushtetit të një gjoja opozite që nuk di të krijojë politika, por mesa duket as edhe të administrojë ato burime që ka.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.