30 mijë shezlongë të paligjshëm. S’e paska fajin Saliu?!

Postuar në 03 Gusht, 2019 14:50

Qeveria shqiptare ka lëshuar këtë verë policinë e shtetit për të zbatuar një ligj të cilin në fakt duhet ta kishte bërë realitet pushteti vendor. Po lirohen plazhet nga zaptuesit privatë. Në Ksamil, Lezhë dhe Durrës, polcia njofton se ka proceduar persona, ka liruar hapësira të tëra ku kryenin aktivitetin informal dhe në shkelje të ligjit 30 mijë shezlonge.

Njoftime të kësaj natyre na kujtojnë aksionin kundër vjedhjes së enëergjisë elektrike që përfshiu policinë e shtetit dhe u propagandua gjerësisht me fjalën Burg nga kryeministri.

Sot e ka radhën vala e dytë e aksionit kundër informalitetit që ka nxjerrë në terren zv.kryeministrin që flet edhe për një kupon të munguar, për shirita etj..

Siç mund të merret me mend, veprimi me aksion provon se në fakt ligji nuk funksionon, se ai nuk zbatohet, se duke e shkelur dhe injoruar atë vidhet, se për ta vënë atë në jetë duhet një dorë nga lart. Është e njëjta Shqipëri që nga krijimi i saj si gjoja shtet. Prodho ligje në letër që në vend se të rregullojnë shërbejën si alibi: sëpatë për ata që nuk kanë krahë dhe kamzhik në duart e atyre që kanë pushtet.

Sot qeveria procedon shkelës të ligjit, por pushteti nuk cenon askënd prej atyre zyrtarëve që kanë bërë sehir përpara kësaj gjendjej e të cilën ndoshta e kanë favorizuar.

Në paguajmë taksa, të njohura e të panjohura për të marrë shërbime. Kështu na thuhet. Por në fakt ato janë para që po shpërndahen për miq e shokë, nën formula nga më kreativet, për të na dhënë mandej shfaqje të tilla si kjo e luftës kundër shezlongëve që do të rikthehen po aty ku kanë qenë, siç kanë qenë dhe madje me çmime më të larta. Sa të ikin këta të Tiranës që nevrikosen një herë në tre vjet, por që me një drekë e ca para në xhep mund të hiqen sikur nuk shikojnë as fundin e botës.

Shikoni për këtë sesi sot në Berat “qytetarët” janë ngritur për malin e Tomorrit, a thua nuk e kanë parë sesi ai mal po gërryhet për vite me radhë. Arsyeja? Janë guroret e Ilir Metës, siç pëshpëritet nën zë dhe meqë sot nuk i kemi mirë punët me Presidentin, hajde ta zbythim në burimet e veta ekonomike.

Kjo është Shqipëria e çifligjeve dhe sinorëve që vlen për disa. Piktorë, hajdutë, banditë, kriminelë, drejtorë, të korruptuar, të gjithë bashkë nën një himn: Të vjedhim sa më shumë dhe sa më shpejt!  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.