Gënjeshtrën e përditshme dhurona sot!

Postuar në 31 Korrik, 2019 21:50

Shkruan kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Facebook: 

Eshtë folur e stërfolur, shpifur e stërshpifur, akuzuar e stërakuzuar, për truallin e teatrit që do “kafshohet” nga privati! Në fakt asnjë CM2 e truallit të teatrit nuk do të preket nga asnjë privat dhe mbi të do të ndërtohet vetëm Teatri i Ri Kombëtar.
Ndërsa po, është e vërtetë që matanë murit rrethues të teatrit ekzistues, ka një truall në pronë të bashkisë që do t’i jepet privatit, NË KËMBIM TË TEATRIT TË RI që privati do të ndërtojë me kapitalin e tij, pa asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit! Dhe trualli në fjalë është ky që do të shikoni në këtë video.

Shikojeni dhe më thoni:
A është ky truall një vlerë arkeologjike, historike, kombëtare apo kulturore, që po e humbet Shqipëria me këtë partneritet Publik-Privat për Teatrin e Ri Kombëtar? Dhe nëse jo, a nuk i’a vlen që në këmbim të këtij trualli, i cili do t’i bashkëngjitet pronave private përreth, Shqipëria të përfitojë një Teatër të Ri Kombëtar të denjë për Shqipërinë që duam?

Bashkëngjitur këtij teksti është një video që tregon situatën me sipërfaqen pas Teatrit Kombëtar. Kjo avokati dylekëshe e asgjësimit të pronës publike nuk mund t’u thuhet as nxënësve të klasës së tetë. Mirë lekë për teatrin nuk kemi se jemi hollë, por buxhet për të pastruar disa rrangulla nuk ka? Zoti Rama e di shumë mirë se mjediset publike janë përfitim dhe as që bëhet fjalë të humbasë në këtë lloj llurbe dhe pisllëku. Shembulli? Piramida. Shembull tjetër? Stadiumi. Aty z. Rama ka dhënë mjedise publike me qera për subjekte private që kanë investuar dhe i kanë ruajtur. Dhe me çmime qesharake madje. Ndaj të justifikosh kullat me Teatrin dhe PPP-në me merimangat dhe pisllëkun është as më shumë e as më pak: të gënjesh. Hapur dhe publikisht. 

Meqe jemi këtu, një pyetje: pse e ka kaq të vështirë kryeministri të sqarojë se pas Teatrit do ndërtohen kulla, të cilat preferon t’i quajë si zhvillim? 

Si mund të tjetërsohet prona publike për interes Privat? Që është I pakthyeshëm? Votojeni, përqafojeni, rrini edhe pa bukë e pa ujë, por mos bëni sikur besoni se po punon për vendin!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.