Në këtë rast Europën e përfaqësojnë protestuesit, jo z. Soreca

Postuar në 29 Korrik, 2019 21:35

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Luigi Soreca është detyruar të reagojë sot në mbrëmje ne profilin e vet në tuiter për takimin e tij të sotshëm me përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Soreca sqaron se deklarimet e tij janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe se ai ka theksuar se çdo diskutim duhet të ndjekë rrugën e ligjit. 

Mesazhi i z. Soreca është në fakt sinjal i radhës për perceptimin e rënduar ndaj aktorëve të huaj në Tiranë, që këto dy vjet janë rreshtuar në mbështetje të qeverisë shqiptare. Sigurisht që problemi i Teatrit është një çështje civile dhe është e tepërt që të kërkosh reagim nga faktorë ndërkombëtarë për një gjë të tillë. Por kjo thuhet për një vend europian, jo për Shqipërinë e sotme.

E njëjta çështje mundet të inkuadrohet si metër vlerësimi për zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e disa të drejtave. Z. Soreca aktualisht po ndërmjetëson një marrëveshje mes z. Basha dhe z. Rama, ndaj është pak e vështirë që ai të mos ketë informacione se i ashtuquajturi konkurs për Teatrin Kombëtar është një procedurë tenderuese me fitues të paracaktuar. Edhe hapjen e garës si të tillë qeveria shqiptare e bëri pas presioneve nga Brukseli dhe pas kthimit të ligjit nga Presidenti. 

Zoti Soreca pra ka përpara një kauzë të mirëfilltë përmes së cilës mund të vlerësohet vullneti i qeverisë shqiptare për reformën në drejtësi. Si zbatohet ligji, si ndiqen procedurat, si respektohen komunitetet, si ruhet trashëgimia dhe si harmonizohet ajo me nevojat e zhvillimit. 

Tek Teatri po manifestohet një betejë europiane për Europën në Shqipëri dhe përtej faktit se je apo nuk je dakord me prishjen apo jo të godinës, Europën këtu e përfaqësojnë qytetarët që protestojnë. Kjo është e sigurtë pavarësisht çirrjes së përditshme të pushtetit të kullave. Këtë z. Soreca e kupton shumë mirë dhe duhet po ashtu të kuptojë se askush nuk e ka nxjerrë jashtë kontekstit deklarimin e tij, as edhe e keqlexon atë. Sa për një parantezë historike që e ndihmon z. Soreca të kuptojë: Europa bëri aleancë me otomanët, përpara se arbërit të detyroheshin të mbijetonin. Europa braktisi europianët. Kjo është histori jo viktimizim. 

(PS: Shembulli nuk ka asnjë synim që të stigmatizojë Perandorinë Osmane dhe osmanët, por shëben si ilustrim). 

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.