Edhe njëherë për mundësitë e një zgjidhjeje për Teatrin përballë nismës kriminale të qeverisë

Postuar në 28 Korrik, 2019 18:34
Arben Demo

 

Dy aspekte të debatit

Debati për teatrin ka arritur këto ditë në nivelin më të lartë mediatik e politik, si një konflikt real që mund të marrë përmasa të dëmshme për vendin, si për shkak të arbitraritetit të qeverisë, ashtu dhe nga mobilizimi i mbrojtësve të  teatrit. Në të tilla rrethana duhet një zgjidhje sa më parë, që nuk mund të jetë me policë të gatshëm për dhunë, e as me buldozerë për të faktit të kryer.

Çështja “teatri” duhet  të dilte natyrshëm nga nevoja për një teatër të ri si qendër multifunksionale artistiko-kulturore për Tiranën metropol, por jo si një sebep për të ndërtuar, nga një ortak i dikujt, kulla floriprurëse për të cilat hartohet madje edhe një Ligj i posaçëm antikushtetues që luan me pasurinë publike, përveçse provokon në mënyrë të shtrembërt një debat mbi trashëgiminë.

Ky vendim diabolik për ta ndërtuar në atë vend teatrin e ri për pasojë bëri që të diskutohet ta ruajmë a ta prishim teatrin e vjetër. Të hapet pra diskutimi për vlerën e tij në çdo pikëpamje.

Ndajmë këtu dy aspekte: duhet ruajtur apo duhet bërë teatër i ri? Sigurisht që teatri ekzistues nuk është i mjaftueshëm si Teatër Kombëtar dhe qendër kulturore reale për një kryeqytet. Nëse do të konsiderojmë si të drejtë këtë gjykim, atëherë në këtë rast shtrohet pyetja: këtë teatër duhet ta ruajmë dhe të bëjmë një tjetër diku gjetkë, apo do prishim dhe do bëjmë një të ri aty ku ndodhet i vjetri?

Paraprakisht duhej marrë vlerësimi i ekspertëve për teatrin ekzistues. Por ata të jenë ekspertë të pavarur, jo ata që paguhen nga qeveria, e as militantë të thekur, por ata që janë real. Nga njëra anë duhen ata që bëjnë vlerësimin arkitekturor e konstruktiv të godinave dhe urbanistikës, ata që dinë të projektojnë objekte të këtij lloji dhe krahas tyre, ata që  dinë të restaurojnë, përforcojnë objektet. Pas një studimi në vend ata duhet t’i përgjigjen pyetjes: A duhet të ruhet kjo godinë për vlerat e saj, qoftë dhe si   memorie e qytetit dhe  e artit teatral si kudo në botë?

           Më tej, nëse teatrin e sotëm e quajmë monument, ai duhet restauruar. Pra, në se e quajmë monument të kategorisë së parë për vlerat e tij, duhet të ruhet me skrupolozitet si brendësia ashtu dhe ana e jashtme. Nëse e quajmë monument të kategorisë së dytë ruhet e respektohet ana e jashtme dhe brenda mund të përforcohen strukturat duke  përmirësuar eventualisht funksionimin ose vetëm si muze. Kjo duhet përcaktuar me të qetë, jo nga Kryetari i Bashkisë, që ka gjetur më përpara dhe në mënyrë të kundërligjshme partnerin e përhershëm, por nga specialistët. Specialistët e fushës së monumenteve më kanë thënë se  në kohë të diktaturës jepeshin urdhra për të prishur monumente, por asnjëherë se si duhen mirëmbajtur e restauruar ato.   

Vlerat dhe historia e teatrit ekzistues

Ky është projektuar nga të huajt me një koncept të qartë për funksionin dhe zonën, me një plan urbanistik të studiuar. Ajo ndërtesë bart kujtesën e artit teatral shqiptar, lidhet me vepra e artistë të shquar, fakte që duhet të konsiderohen pa u nxituar. Veç kësaj ajo që i bën njerëzit të kundërshtojnë me të drejtë qytetare është fakti se vlerësimi negativ për ndërtesën  është një pretekst që dikujt t’i jepet mundësia të fitojë 200-300 milionë euro në kurriz të pasurisë së shtetit shqiptar. Kjo përbën krim ekonomik, shpërdorim të detyrës nga qeveritarët që do vendosin. Ata që administrojnë pronën publike, shtetërore, e kanë për detyrë që ta shfrytëzojnë në maksimum në dobi të qytetarëve, por jo të justifikohen me propozimin e një subjekti privat, dhe të themi edhe ne:

O Tiranë ç’e pate këtë fat!

Sepse  të kujton atë këngën: O Berat ç’e pate fat...

Shteti ka mjete financiare, derisa ka para që të mbushë të gjithë qytetet-fshatra të Shqipërisë me lulishte, pllaka dhe palma e pisha, patjetër ka edhe për teatër (as 0,5% nuk rritet borxhi publik për ndërtimin e tij).

Si duhet vepruar?

Fillimisht duhet të përcaktohet, mbas një gjykimi politik dhe jo nga interesat e ortakëve për fitime stratosferike, e ardhmja e godinës ekzistuese dhe a duhet zëvendësuar me një të re. Në rastin e parë duhet bërë një projekt përforcimi dhe sado që të kushtojë shteti ka para të bëjë. Nëse do të quhet monument kulture ta hartojnë studimin e vlerave dhe projektin ata. Sa të kushtojë shteti ta përballojë.

Nëse vendoset që ajo ndërtesë të prishet le të ndërtohet një Teatër i ri si ndërtesë multifunksionale për Tiranën si metropol, pa kufizime të vlerës dhe pa  dëshira fasadistësh. Ana e tjetër  e problemit është si do ndërtohet ky teatër i ri? Pra duhet një studim i zonës aty, nëse do të bëhet aty. Por pavarësisht se ku ndërtohet godina, ka disa rregulla shteti shqiptar, që nuk shkelen në asnjë rast nëse janë të ndershëm qeveritarët. 

E para, njëherë, bëhet konkurs. Në rastin konkret, projekti duhet të  përzgjidhet me konkurs ndërkombëtar, e jo siç po mendojnë partnerët që thonë se iks arkitekt është i zoti etj.. Gjithashtu nuk janë drejtorët e Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës, apo drejtori i Teatrit, e kushdo tjetër financiarisht i interesuar në këtë mesele, ata që drejtojnë konkursin e miratojnë mikun e tyre fitues. Në mbarë botën strukturat për këto punë janë jashtë administratës. Pra që ta mbyll këtë çështje: vetëm sipas rrugës së mësipërme, ligjore mund të veprohet, madje edhe nëse vendosim që Teatrin Kombëtar ta ndërtojmë në vend tjetër, për më shumë spektatorë, multifunksional etj..

Duhet bërë pra konkursi ndërkombëtar, pasi ke studiuar me ekspertë godinën në fjalë dhe pas tij shpallet tenderi ndërkombëtar për ndërtimin me çelësa në dorë të projektit të miratuar. Këto janë rregulla dhe çdo shkelje e tyre quhet shpërdorim detyre është për në hapsane, siç quhej dikur burgu.

Nuk mund të besohet ajo që na thonë se shteti harxhon vetëm 2 milionë në vit për kulturën se kjo do ishte për të marrë vrapin nga ky vend, ndaj duhen 15 vjet të bëhet një teatër i ri, kur nuk ka një projekt të teatrit. Unë e di se nuk është arsye pse njëri bën shkelje, që të vijohet me këtë metodë. Mjaft me formën akuzatore ndaj opozitës: Ju keni bërë shkelje vetë më parë...Ju mund të keni interes në ndonjë copë truall në këtë zonë...e të tjera të këtij lloji.

A ka alternativa të tjera?

Mendoj se Teatrin mund dhe duhet ta ndërtojë vetë shteti. Le të bëjmë një pyetje të thjeshtë: kush është ajo bankë që nuk i jep shtetit para, kur të paraqesë projektin e pesë-gjashtë kullave për zyra, banesa  dhe mjedise të tjera në atë vend? Nëse ndiqet një rrugë e tillë, dalin para edhe për Bibliotekën Kombëtare, etj.. D.m.th. shteti zgjedh një nga dy rrugët : truallin e jep me 50-60 përqind disa firmave (çdo njërës vetëm një kullë), ose e financon vetë të gjithën me tender dhe shet që ditën e parë çka nuk mendon të mbajë për vete. Unë jam për këtë të fundit.

Aspekti juridik i nismës

Për mendimin tim, por kjo është evidente edhe për dikë me një kulturë minimale administrative, janë shkelur të gjitha procedurat dhe ligjet për ndërtimet, përdorimin e pronës publike. Sigurisht ato shkelen sepse dikush do të vjedhë.

Nga ana juridike, projektligji është kriminal. Një ligj cili shkel të gjitha procedurat shtetërore, favorizon një subjekt privat që të dalë me 200-300 milionë euro fitim, është kriminal. Ligje të tilla nuk i japin të drejtë askujt që t’i hartojë e miratojë. Hartuesit, miratuesit, zbatuesit e përfituesit e tij. duhet të konsiderohen si grup i strukturuar kriminal.

Ndryshe, do të themi se Enver Hoxha me shokë nuk duhet dënuar, sepse kanë zbatuar ligjin, që e shkruanin vetë si këta sot.

Mënyra për të ndalur këtë marrëzi është që opozita dhe protestuesit t’i drejtohen Prokurorit të Përgjithshëm që të hapet urgjent dosje dhe procedim për shpërdorim detyre e të dënohen me përparësi keqbërësit. Shifra është e tillë që nuk është një peshk i madh...por një tufë peshqish e oktapodësh, kapja e të cilëve do kënaqë dhe ambasadorët që po vuajnë për Shqipërinë. Por ka edhe një aspekt politik që s’ka pse të mos konsiderohet duke parë rëndimin e situatës: nëse pozita do ta bëjë kështu siç po tregon deri më tani, kushdo ka të drejt të mendoje se opozita duhet të jetë në tavë dhe ajo.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.