A duhet kontrolluar SHISH për penetrimin e rusëve, apo sorosianëve?

Postuar në 21 Korrik, 2019 14:24

Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski ka pranuar në një prononcim mediatik se shërbimi sekret i vendit është spastruar nga element që kanë punuar kundër NATO-s.

Ata që janë degraduar janë pjesëtarë të strukturës që kanë punuar vite me radhë kundër integrimit të vendit në NATO. Është vetëm për këta njerëz. Avancimet e fundit kanë përfshirë edhe disa anëtarë të VMRO-së të cilët janë operativë të shkëlqyeshëm, por të cilët edhe më herët janë margjinalizuar nga grupi i fuqishëm i cili formalisht ka qenë i afërt me VMRO-në, por në fakt ka punuar kundër interesave e Maqedonisë

tha Pendarovski në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Duke pranuar lëvizjet e shumta që janë bërë, kreu i shtetit i Maqedonisë së Veriut ka zbuluar se kriteri i spastrimeve është fryma anti-NATO. Kjo lëvizje dëshmon detyrimet e një vendi anëtar të NATO-s, aq edhe faktin se në vende si Maqedonia e Veriut, shërbimet sekrete janë thjesht anekse të shërbimeve të Perëndimit. E veçanta në këtë rast është se pastrime të tilla në Maqedoninë e Veriut dalin në media. Ndryshe ndodh në një vend si Shqipëria ku përfliten lloj – lloj akuzash, por asgjë nuk ndodh.

Prej thuajse një viti tashmë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përflitet, akuzohet dhe madje është thirrur në prokurori për akuzën e implikimit me financime ruse për lobim në SHBA. Është një akuzë që në një vend anëtar të NATO-s do të kërkonte hetime të thelluara. Mirëpo në shekullin e 21-të Perëndimi e ka luksin që të fusë në gjirin e vet karagjozë dhe shtete klloun si Shqipëria.

E njëjta akuzë u artikulua nga Partia Socialiste, apo media pranë saj, për Visho Ajazi Likën në kohën kur ky u propozua për drejtor të Shërbimit Informativ Shtetëror. U përfol një Ollga, ruse që e kish ndikuar zotërinë, sigurisht informacione këto që bien si zakonisht në gojët e fëlliqura të me nder gjindjes, gazetarëve të vërtetë dhe të së vërtetës.

Ku është z. Ajazi tani? Ambasador i Shqipërisë në NATO. Po Ollga? Me siguri ka marrë medalje në Moskë për punën e shkëlqyer që ka bërë. Gazetarët? Paguhen rregullisht nga buxheti i shtetit në forma primitive, por këtë informacion tashmë nuk ka Ollga të kësaj bote që nuk i di.

Megjithatë, Presidenti i Republikës dhe më tej, binjaku i tij në seriozitet, Kryeministri, ndoshta duhet të kërkojnë të dhëna për ndikimin rus dhe anti-NATO në SHISH. Janë akuzat e tyre që e imponojnë këtë gjë. Të mos harrojmë se Turqia sot po spastron vendin nga gulenistët, në ushtri, akademi, shërbim sekret. Dhe Turqia është shtet më serioz se yni. 

Në mos nga rusët, SHISH ynë duhet kontrolluar për sorosianë, sepse nuk ka dyshim që do dalë ndonjë. Duket nga niveli dhe nga heshtja e gjatë e shërbimit që ka rezultate misterioze mbi një vend, siguria e të cilit garantohet nga dy faktorë: SHBA-të për sa i përket kërcënimeve që vijnë nga budallallëku epokal i politikës sonë, dhe nga kriminelët për sa i përket kërcënimeve që vijnë nga gjendja e eksituar emotive e shqiptarëve të zakonshëm që po krruajnë astarin e xhepave.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.