Një kauzë qytetare për të cilën tashmë duhet aktivizuar e drejta e referendumit

Postuar në 19 Korrik, 2019 22:52

Dy ditët e fundit është zbardhur veprimtaria operative e Ministrisë së Kulturës për zbrazjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Tanimë është e qartë: qeveria e z. Rama dhe Bashkia e z. Veliaj, pasi as e para nuk është e shqiptarëve, as e dyta e qytetarëve të Tiranës, janë të vendosur të ecin para me prishjen e godinës.

Në këto kushte, qëndrimet “burrërore” të ndonjë artisti apo qytetari, janë për t’u përshëndetur, por nuk duket se bëjnë shumë punë.

Koha është për zgjidhje dhe alternativa kushtetuese dhe juridike. Këto duhet të kishte bërë të qartë edhe kryetari I PD-së, z. Basha pak ditë më parë kur takoi përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Nëse i hedh një sy Kushtetutës, ajo rregullon në nenin 150 të saj të drejtën për referendum në bazë të 50 mijë firmave nga qytetarë me të drejtë vote. Sipas këtij neni, e drejta e referendumit lidhet me shfuqizimin e një ligji dhe ai I kërkohet Presidentit të Republikës që ta aprovojë zhvillimin e tij.

Në nenin 152 kërkohet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë paraprakisht kushtetueshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum dhe në këtë kuadër konsiston edhe beteja më e madhe. Sepse janë dy nene që kundërvënë dy vullnete të pabarabarta: votën eventuale të qytetarëve me gjykimin e një trupe që mund ta bllokojë atë për një të drejtë interpretimi.

Aktualisht kërkesa për referendum është një ndër rrugët që duhen parë për të mbajtur në process një ligj të posaçëm si ai për teatrin i cili ka provokuar shumë debate. Përballja është një instrument dhe ngjarje që ndoshta do të vijë, por përpara se kjo të ndodhë është mirë që të fitohet beteja e votimit për këtë ligj. Sidomos tani që Presidenti është në kurs përplasjeje me një qeveri që nuk dëgjon më kënd veç vetes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.