Turqia në luftë diplomatike me Perëndimin

Postuar në 10 Korrik, 2019 15:36

Turqia e Erdoganit po gjendet këto kohë në një front të zgjeruar lufte diplomatike me një sërë aktorësh që kanë interesa thelbësore në Mesdheun Lindor. Në parim, Ankaraja zyrtare refuzon që për hir të ndarjes territoriale të vitit 1923 të pranojë të jetë spektatore e shfrytëzimit të pasurive nëndetare të mëdha të këtij rajoni.

Burimi i tensionit me Greqinë fqinje është pikërisht zona e shelfit kontinantal në Qipro ku operon kompania amerikane ExxonMobil, ndërkohë që Greqia, Qiproja dhe Izraeli kanë krijuar një pakt tripalësh që për SHBA-të shihet si mundësia e një garancie strategjike në këtë zonë.

Në lojë ka hyrë edhe Bashkimi Europian që ka kërkuar nga Turqia të tërheqë anijet e kërkimit të gazit nga Qiproja dhe për shkak të një kërkese nga kjo e fundit, Brukesli po mendon për sanksione ndaj Ankarasë. Në Bruksel është parashikuar një takim javën që vjen dhe sanksionet që pritet të merren janë shkurtimi i disa fondeve të parashikuara për vitin që vjen.

Nga ana e vet Turqia ka hedhur poshtë çdo pretendim nga BE-ja për kërkimet në Egje. Përmes një deklarate zyratre, Ministria e Jashtme turke shprehet e vendosur që kërkimet të vazhdojnë, duke vënë në pikëpyetje çdo marrëveshje që mund të jetë bërë pa pjesëmarrjen e saj.

Ndërsa Turqia mbron të drejtat e veta në shelfin kontinental  në Mesdheun Lindor, ajo do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e qipriotëve turq dhe interesat rreth ishullit derisa qipriotët grekë të mos përzihen në mekanizmat e vendimmarrjes së qipriotëve turq përfshirë ndarjen e burimeve hidrokarbure

është shprehur Ministria e Jashtme.

Shkëmbimi i deklaratave vjen pas vendimit të Ankarasë për të dërguar në perëndim të Qipros anijen eksploruese “Fatih” e cila operon për Turkish Petroleum, ndërkohë që tri anije të tjera vijojnë punën.

Ky nuk është problemi i vetëm me të cilin përballet apo të cilin Turqia e ka krijuar. Me amerikanët Erdogan ka të tjera çështje të hapura që nisin që nga kërkesa për dorëzimin e Fetullah Gulen e deri te situate e krijuar me blerjen e sistemit rus, S-400. Për këtë të fundit, presidenti turk deklaroi së fundmi, në rrugën e kthimit nga Bosnje-Hercegovina se ai do të vihet në përdorim nëse Turqia do të sulmohet.  Po kështu Erdogan ka deklaruar se po bihet dakord për prodhim të përbashkët të këtij sistemi mes Turqisë dhe Rusisë, një sipërmarrje që do të ishte shuplakë për SHBA dhe politikës së saj. Uashingtoni ka deklaruar se do të përjashtojë Turqinë nga blerja e avionëve F-35 nëse ajo blen sistemin në fjalë që konsiderohet si më i avancuari mes sistemeve me rreze të gjatë kundër avionëve.

Nuk dihet se kush e kërcënon ushtarakisht Turqinë saqë të blejë sisteme të tilla, por situata në Egje, përfshirja në të e ExxonMobil, si dhe ndryshimi i strategjisë amerikane në Mesdheun Lindor duke parë nga Greqia, Qiproja dhe Izralei si parnerë në mbrojtjen dhe promovimin e interesave të SHBA janë sinjale se një përballe ushtarake nuk përjashtohet më.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.