A ka Shqipëria politikë të jashtme të besueshme?

Postuar në 09 Korrik, 2019 13:22

Situata politike në Shqipëri po rrëshqet drejt komedisë së justifikueshme vetëm për një shtet të dështuar. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka ndërmarrë vetëm dje, dy akte që kontrastojnë me qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë, duke përcjellë mesazhe konfuzuese për autoritetin real politik në vendin tonë dhe për politikën e tij të jashtme.

Kështu nëse Kosova zyrtare dhe Tirana zyrtare refuzuan pjesëmarrjen në samititn vendeve të Europës Juglindore, me arsyetimin se ftesa e Bosnje Hercegovinës ishte fyese, Meta e ka bërë nul këtë lloj diplomacie të bojkotit , duke marrë pjesë dhe madje duke mbajtur një fjalë që ka provokuar Serbinë.

Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe respekti i ndërsjellë janë thelbësore për të pasur një bashkëpunim të efektshëm rajonal, për sigurinë dhe begatinë ekonomike për të gjithë ne. Kështu që tani është koha e duhur që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këtij realiteti. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj

ka thënë Meta.

Kështu teksa presidenca kosovare dhe qeveria shqiptare në Tiranë bashkëvepruan ndaj qëndrimit të Bosnjes, Presidenti shqiptar ka bërë të kundërtën. Ka shkuar në Sarajevë dhe ka folur për nevojën e njohjes së Kosovës shtet.

Nga ana tjetër, Meta ka nxituar të shfaqet me një intervistë në gazetën konservatore greke, Kathimerini, përmes së cilës ka përcjellë për lexuesit e saj grekë mesazhin se në Shqipëri ka vetëm një konflikt: ai mes kryeministrit Edi Rama dhe shtetit të së drejtës.

Qëndrimi i Metës në këtë kuadër rezonon me sentimentin e shumë qytetarëve grekë për qeverinë e z. Rama që në të vërtetë nuk ka lënë rast pa provokuar. Po kështu qevria shqiptare nuk ka ende një përgjigje zyrtare për vrasjen e shtetasit Konstandinos Kacifas, ndërkohë që në Athinë sapo është betuar një qeveri që ka bërë të qartë se ndaj Shqipërisë do të ndryshojë sjellje.

Mesa duket z. Meta po aktivizohet si zyrë dhe si person për të qenë faktor dialogu duke izoluar llojin e politikës që ka ndjekur z. Rama, e që duhet thënë që pak ka të bëjë me interesat e Shqipërisë përpara se të jetë një lojë imazhi për konsum të brendshëm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.