Një budallallëk fatlum për Shqipërinë

Postuar në 08 Korrik, 2019 23:53

Memot e ambasadorit britanik në SHBA, publikuar së fundmi nga gazeta “Mail”, kanë provokuar incident diplomatik mes Uashingtonit dhe Londrës. Presidenti amerikan Donald Trump, citohet të jetë shprehur në tuiter se:

Nuk e njoh ambasadorin por në SHBA nuk është i mirëpritur dhe i konsideruar. Nuk do të diskutojmë më me të

Kështu kanë mjaftuar përshkrimet e Kim Darroch për Trump si i paaftë dhe i pasigurtë që numri një i Shtëpisë së Bardhë të bëjë të qartë se ai duhet zëvendësuar. Trump duket se e ka përjetuar si sfidë personale atë që ka thënë përfaqësuesi i një vendi të rëndësishëm në botë dhe aleat i ngushtë me SHBA. Pasi përndryshe, situata mund të zgjidhej pa zhurmë, përderisa karakterizimet e Darroch janë bërë në memo që i drejtoheshin qeverisë së tij, pra jo në publik.

Ky incident na sjell ndërmend atë që provokoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjatë fushatës elektorale presidenciale amerikane të vitit 2016, doli në rrjetin CNN dhe deklaroi se Trump është një turp për qytetërimin. Qysh atëherë z. Rama e ka takuar tri herë z. Trump, por në kuadër të aktiviteteve shumëpalëshe dhe asnjëherë për të folur për diçka, vetëm për fotot e rastit.

Si shpjegohet që SHBA atëherë nuk ka ndryshuar politikë ndaj vendit tonë, nisur nga reagimet e Trump në kësi rastesh?

Një përgjigje e parë është se Shqipëria është shumë e parëndësishme. Teatri dramatik me reformën në drejtësi që e do Amerika, me gjasë fsheh një banalitet të pritshëm që me Amerikë në fakt nënkuptohet një zyrtar çfarëdo atje në Departamentin e Shtetit. Deri më sot mesazh direkt ndaj një zyrtari shqiptar nga një zyrtar amerikan ka dërguar vetëm Sekretari i Shtetit Mike Pompeo për Ditmir Bushatin.

Një tjetër arsye është se SHBA nuk mund të bëjë politikë emotive me një vend që konsiderohet filoamerikan në një rajon ku SHBA nuk mirëpritet. Nga ana tjetër Shqipëria pret 3000 muxhahedinë iranianë që janë një ngarkesë strategjike për marrëdhëniet dypalëshe.

Nga kjo situatë mund të kuptojmë fare qartë se nëse z. Rama nuk do të kishte qenë aq entuziast sa ta linte veten të përdorej me rastin e fushatës elektorale të vitit 2016, me siguri që një takim mes tij dhe Trump do ta kishim dëshmuar të gjithë. E bashkë me të edhe përrallën se Trump mbështet reformën në drejtësi dhe pse jo, edhe sundimin demokratik të Edi Ramës. Por si i thonë: në këtë botë ka idiotësi fatlume, apo aksidente të lumtura siç shprehej Bob Ross për pikturën, dhe për Shqipërinë kjo vlen dyfish, përderisa edhe Konica na thotë se këtë vend e ka shpëtuar rastësia.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.