S'kanë ç'të humbasin veç prangave!

Postuar në 07 Korrik, 2019 15:31

Kryeministri Edi Rama ka nisur të përdorë fjalë importi për të sugjestionuar opozitën dhe protestat e saj. Nëse një ditë më parë, ai soli një thënie të ish-kryeministrit britanik, Churchill për të përcjellë mesazhin se sfidat e pas 30 qershorit janë shumë të mëdha dhe se për to nevojitet dialog, për protestën e nesërme, z. Rama ka zgjedhur Martin Luther King.

Përtej aspektit moral, limiti i protestave të dhunshme qëndron në faktin se ato s’të çojnë në fitore dhe këtë e dinë edhe ata që i bëjnë.

Pra protesta e dhunshme s’është revolucionare po reaksionare, sepse ndjell humbjen.

Martin Luther King

shkruan Rama.

Është një mënyrë e djallëzuar për të kompleksuar dhe zbutur opozitën, tani që z. Rama mendon se 30 qershori është arkivuar si një fitore numerike e partisë së tij. Kjo do të thotë se kryeministri preferon gjithnjë të negociojë nga pozita force dhe asnjëherë nga pozitat morale të atij që ofron dialog për të mirën e vendit.

Nga ana tjetër, sugjerimi dhe kërcënimi njëherazi për opozitën nuk vlen. Kjo pasi, ndonëse thënia e King është pjesërisht e vërtetë dhe rekomandohet në kushtet kur sistemi duhet dhe pranon korrigjim, ajo nuk vlen për situatën në Shqipëri. Opozita shqiptare nuk ka sot me vete as kredenciale morale të Luther King dhe as numrat për të imponuar diçka në tavolinë. E vetmja mnëyrë që ajo të detyronte z. Rama në këtë lloj sjelljeje publike është protesta masive, e dhunshme dhe e dyta evidentimi i krizës tërësore politike për shkak të manipulimit elektoral. Dhuna iu përfill opozitës përderisa asaj iu bë presion vetëm në këtë drejtim, kurse argumentet iu injoruan.

Për rrjedhojë dhuna mbetet i vetmi mjet që do tërhiqte vëmendjen dhe angazhonte kundërshtarët politikë, të cilët sidoqoftë dëmtohen nga një krizë për të cilën nuk kanë asnjë shans të deklarojnë se kanë zero përgjegjësi. Oferta për dialog që bën z. Rama në kushtet kur opozita është e detyruar të mos njohë votimet e 30 qershorit dhe kur komuniteti ndërkombëtar ka humbur besueshmërinë, është thuajse me vlerë zero. 

Opozita duhet të kapitalizojë bojkotin e 30 qershorit për të treguar se e disponon atë si mjet besimi politik, ndërkohë që dhuna nuk duhet të jetë qëllim, por as edhe nuk ka pse përjashtohet vetiu përderisa në Shqipëri votimet u katandisën në një process të dyshimtë mbushjesh kutish. Meqë jemi të proverbat e të huajve, opozitës së tanishme nuk i shkon fraza e Luther King, edhe pse ajo është dredhi e z. Rama që është në hall, por më shumë fraza e mirënjohur për veshin e një pjese të qytetarëve shqiptarë: S'kanë ç'të humbasin…veç prangave! Fundja po afron reforma në drejtësi dhe ajo do shkaktojë tërmet siç na thonë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.