Si shpjegohet mospërputhja në kutitë e votimit? Me rritjen fiktive të pjesëmarrjes nga 15% në 21.6%

Postuar në 01 Korrik, 2019 13:07

Rezultatet e deritanishme të numërimit në disa zona zgjedhore kanë provuar flagrancën e procesit të votimeve edhe në një aspekt tjetër. Në disa zona rezultojnë më shumë votues sesa janë në listë dhe që kanë votuar. Kështu në Urën Vajgurore, në Malësinë e Madhe, në Divjakë, Vorë, Memaliaj, Lushnje, Himarë, Bulqizë, votat e marra kërcejnë sipër numrit të zgjedhësve në listë që kanë votuar.

Po si shpjegohet e gjitha kjo?

Burime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëjnë me dije se problemi ka lindur për shkak të nevojës për të korrigjuar pjesëmarrjen. Deri në orën 18:00 pjesëmarrja e konfirmuar në zgjedhje ishte 15%, por një direktivë nga Lart, ka urdhëruar përfaqësuesit e KQZ-së që të bëjnë diçka për të zgjidhur këtë situatë. Në orën 19:00 u përfol shifra 19.4%, sërish shumë pak, për të mbërritur në shifrën 21.6% në finale.

Në terma absolutë votuan sipas KQZ-së, 771 mijë votues, diçka më shumë sesa viti 2017 dhe kjo ishte e mjaftueshme si shifër për të propaganduar atë që zv.kryeministri Erion Braçe e quante superkonfirmim. Por si ta zgjidhësh rregullimin “pozitiv” të pjesëmarrjes? Ka vetëm dy mënyra: ose korrigjon tabelat dhe një gjë e tillë ka ndodhur me tabelat e proporcionalit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, ose do shtosh vota në kuti. Mesa duket është menduar kjo e dyta, pasi situata duhet të mbyllej shumë shpejt. Ky është dyshimi kryesor i opozitës që nuk po sqarohet ende as nga KQZ. 

Edhe me llogari të thjeshtë është thuajse e jashtëzakonshme që nga 15% në orën 18:00 të kalohet në 21.6% në orën 19:00, pra një shtesë me 6.6% që do të thotë rreth 210 mijë votues më shumë. Situata nuk përfundon këtu. Sipas të njëjtave burime ka shumë dyshime se është bërë “leximi që duam” edhe në numërimin e fletëve të votimit të parregullta që në Tiranë thuhet se është shumë i lartë, çka do të sillte përmbysje në imazh për referendarët e PS-së.

Në këto kushte do të ishte i domosdoshëm një hetim i thelluar administrativ, hapje kutish për të konfirmuar atë që duket së paku si budallallëku më i madh në historinë elektorale të këtyre dekadave.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.