Opozita konstituohet vetëm përmes Zgjedhjeve, jo preferencave të Kryeministrit

Postuar në 01 Korrik, 2019 17:27
Skerdilajd Zaimi

 

Misioni i OSBE-ODIHR nuk ka mundur të japë një përgjigje të thjeshtë nëse zgjedhjet e 30 qershorit 2019 ishin të lira dhe demokratike. Ambasadorja Glover u pyet konkretisht për këtë gjë, por i bishtnoi asaj duke u përgjigjur se një konstatim të tillë e jep raporti përfundimtar.

Zonja Glover nuk dinte se çfarë të thoshte edhe për sa i përket mospërputhjes së numrit të votave me numrin e votuesve në disa zona duke deklaruar se shpresonte në një hetim.

Mund të pyetet cili është standardi i vëzhgimit të OSBE-ODIHR-it? Shpesh na është përsëritur se zgjedhjet janë të mira ose të këqija referuar certifikimit ndërkombëtar dhe OSBE-ODIHR kanë qenë të qartë në vija të përgjithshme për situatën që në raportin paraprak.

Është jashtë çdo dyshimi se kjo sjellje e tanishme faktorit ndërkombëtar, për të mos dëmtuar qeverinë shqiptare, është dëmi më i madh që mund t’i bëhet imazhit të tyre. Në fund të fundit nuk po kërkohet njëanshmëri, por objektivitet, që mesa duket është luks për një vend, qeveria e të cilit mbahet në këmbë nga oksigjen politik i importit.

Në këtë kuadër, zoti Rama me mjetet e veta të zakonshme ka nisur një strategji përsëritëse. Nga njëra anë ai ka vënë në lëvizje mekanizmin mediatik që e konsideron 30 qershorin si dështim spektakolar të Lulzim Bashës, nga ana tjetër nëpër intervista dhe në fjalën e vet dje pas procesit, kërkoi dialog me opozitën.

Nuk do shumë mend për t’u kuptuar se kryeministri po kërkon të ruiekulibrojë skenën politike për të shpëtuar edhe vetë politikisht nga rreziku i implodimit që të jep një pushtet më i madh nga sa mund të menaxhosh. Një pushtet që me 30 qershorin është dëmtuar edhe në aspektin e legjitimitetit.

Zoti Rama do të ishte i shlyer përpara opinionit vetëm nëse pjesëmarrja do të ishte e konsiderueshme dhe jo në kufijtë e sforcuar të kontigjentit elektoral që zakonisht mbështet PS-së.

Mund të nuhatet se zoti Rama ka provokuar aktualisht edhe një krizë besimi ndaj tij nga ata aktorë të huaj që e mbështesin. Kjo për arsyen e qartë sepse situata e krijuar është e pambrojtshme dhe se përballë kemi faktet dhe provat e një budallallëku organizativ dhe administrativ dhe jo marrëzinë e presupozuar të opozitës.

Në këto kushte politike dhe institucionale çdo marrëveshje apo dialog i opozitës me qeverinë dhe shumicën që nuk konsideron zgjedhjet e parakohshme në një afat sa më të afërt dhe që bashkë me to të përsëriten edhe zgjedhjet lokale, është vetëvrasjse. Zoti Rama flet për dialog me opozitën, brenda dhe jashtë Parlamentit, ndërkohë që e quan fitore 30 qershorin. Këto nuk i pajton asnjë logjikë veçse nevojës politike emergjente. Por që të hyhet në dialog me një palë duhet që kjo palë të jetë e konstitutuar ligjërisht dhe politikisht. Sot Shqipëria ka formalisht disa deputetë që shpallen si opozitarë, ndërkohë që me rezultatin e 30 qershorit, ajo nuk ka fare opozitë të përfaqësuar.

Përpara sesa opozita të pranojë një ftesë për dialog ajo ka detyrimin themelor të kërkojë riafirmimin përmes zgjedhjeve sepse në asnjë rrethanë nuk ka sesi që opozita të formulohet apo dekretohet nga Kryeministri.

Referuar përfaqësimit, cila është sot partia opozitare kryesore?

Referuar qëndrimeve publike dhe akteve zyrtare, çfarë mendimi dhe qëndrimi ka PD-ja dhe LSI-ja për dekretin e presidentit për zgjedhjet lokale më 13 tetor?

Shumica qeverisëse sot ka një letër nga KQZ-ja dhe 61 bashki që i mori në mënyrë jodemokratike. Opozita ka arsenalin kryesor të argumenteve politike për të kërkuar vetëm një gjë: Zgjedhje të Parakoshme në rastin më të parë. Opozita ka nevojë të madhe për ta kërkuar këtë gjë edhe sepse ajo duhet të sqarojë përfundimisht se çfarë përfaqëson në këtë vend, duke qenë se mospjesëmarrja ka disa lexime: mund të jetë një Jo për qeverinë e z. Rama, por nuk është e thënë që abstenuesit të jenë pro PD-së dhe LSI-së. Ne kemi të drejtë të dimë se kush është Opozita përmes të vetmit mekanizëm që e siguron këtë gjë dhe që është i vetmi që mund të kthejë normalitetin demokratik: ZGJEDHJET!

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Asnjeri nuk arrin ta kuptoje dot, pse Rames i ishte mbushur mendja keq te bente autogol! Ndoshta ka ecur me ate principin anglo-sakson te Ngjales, "kur thua njehere jo, qendro aty tek jo-ja pa levizur kembe". Kam frike se egoja nuk do ta lejoje te thote: me falni, gabova ne ngulmimin tim per mosnjohjen e dekretit te presidentit, duke rene keshtu ne kundershtim me veten time, qe thoja gjithnje, se duhet te bejme shtet!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.