Z. Palmer e kanë keqinformuar. Gjykata Kushtetuese nuk mund të shqyrtojë zgjedhjet lokale

Postuar në 30 Qershor, 2019 20:37

Në një intervistë të dhënë për VOA zëvëndës ndihmës Sekretari i Shtetit z. Palmer u shpreh se data e zgjedhjeve është data 30 qershor dhe më pas, me krijimin e Gjykatës Kushtetuese, palët mund të ankohen tek kjo gjykatë, e cila nëse vëren parregullsi mund të vëndosë ripërsëritjen e zgjedhjeve. Tek kjo frazë e fundit u kapën në fillim politikanë (postimi i z. Vasili në Facebook p.sh), më pas analistët dhe në fund u bashkuan edhe disa juristë. Megjithatë asnjë prej tyre nuk rezulton që të jetë konstitucionalist (përfshirë dhe juristët që kanë folur). Dhe ndërkohë, nëse një gabim i tillë mund t’i falet z. Palmer i cili nuk e njeh të drejtën kushtetuese në Shqipëri, i njëjti justifikimim nuk vlen për  politikanët dhe juristët shqiptarë. Nga analiza e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetutese rezulton se në të paktën dy raste, ky  institucion ka mbajtur qëndrimin se nuk ka juridiksion për të vlerësuar zgjedhjet vendore. Kështu duke analizuar ligjin për zgjedhjet vendore të vitit 1996, Gjykata Kushtetuese, me vendimin  nr.34, datë 4.9.1996 ka mbajtur qendrimin se: 

Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë, me nenin 16 të ligjit nr.8151, datë 12.09.1996 "Për ndryshime në ligjin nr.7573, datë 16.06.1992 "Për zgjedhjet e organeve të pushtetit lokal" ka ndryshuar nenin 40 të ligjit nr.7573, datë 16.06.1992, duke zëvendësuar në paragrafët e parë dhe të dytë të tij, fjalët "Gjykata e Kasacionit" me fjalët "Gjykata Kushtetuese", duke e përcaktuar këtë të fundit si organ që shqyrton ankimet kundër vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organet e pushtetit lokal.

Gjykata Kushtetuese konstaton se dispozita e nenit 16 të ligjit të sipërpërmendur, i cili është një ligj i zakonshëm, vjen në kundërshtim me pikën 7 të nenit 24 të ligjit kushtetues nr.7561, datë 29.04.1992 "Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", në të cilën përcaktohet në mënyrë taksative se Gjykata Kushtetuese "Zgjidh çështjet për ligjshmërinë e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, të deputetëve si dhe të referendumit popullor, duke shpallur rezultatet përfundimtare".

Kompetencat e Gjykatës Kushtetuese  nuk mund të ndryshohen, ngushtohen ose zgjerohen, përveçse me ligj kushtetues. Rrjedhimisht, Gjykata çmon se neni 16 i ligjit nr.8151, datë 12.09.1996 "Për ndryshime në ligjin nr.7573, datë 16.06.1992 "Për zgjedhjet e organeve të pushtetit lokal" duhet të shfuqizohet si antikushtetues.

Qëndrimi i mësipërm flet qartë. Kështu Kuvendi Popullor në atë kohë kishte përcaktuar se  kompetente për shqyrtimin e ankesave në çështjet zgjedhore lokale do të ishte Gjykata Kushtetuese, por kjo e fundit përcaktoi se ligji kushtetues i kohës  (ligji për Dispozitat Kryesore  Kushtetuese)  nuk ia njihte këtë kompetencë  kësaj Gjykate.

Kushtetuta e vitit 1998 përsa i përket kompetencave të Gjykatës Kushtetuese pasqyroi në vija   të përgjithshme, me pak ndryshime, të njëjtat kompetenca që kishte me parë kjo Gjykatë. Këto kompetenca nuk kanë ndryshuar pavarësisht amendimeve të ndryshme kushtetuese (të fundit në vitin 2016). Për  rrjedhojë nuk rezulton përsëri që Gjykata Kushtetuese të këtë juridiksion për të shqyrtuar zgjedhjet vendore.

Kështu me rastin e ankimit të një kandidati (Rrok Rroku) dhe Partisë Socialiste për shkeljen e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, në rastin e shqyrtimit të ankesës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në Kolegjin Zgjedhor, në kuadër të zgjedhjeve vendore të vitit 2011, Gjykata Kushtetuese, me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve nr.53, datë 7.5.2013, ndër të tjera u shpreh se:

Kushtetutëbërësi ka konsideruar se Gjykata Kushtetuese mund të vihet në lëvizje vetëm për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë e Presidentit të Republikës, deputetëve si dhe për papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të tyre, duke mos e shtrirë këtë të drejtë ndaj subjekteve të zgjedhjeve lokale.

Pra, Gjykata Kushtetuese përveç se mbajti qëndrim për pretendimin për të drejtën për një  proces të rregullt ligjor, u kujdes të shprehet edhe për mungesën e juridiksionit të saj për shqyrtimin e zgjedhjeve vendore. Kjo do të thotë që Gjykata Kushtetuese nuk mund të shqyrtojë vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të  30 qershorit 2019. Për rrjedhojë çdo ankesë do  të  duhet të  shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor i  cili do të mbajë të njëjtin qendrim që  ka mbajtur në  lidhje me pavlefshmërinë e Dekretit të Presidentit për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve, duke i quajtur ato të vlefshme.

Po kështu edhe  nëse ndonjë parti do të kërkojë  të regjistrohet për datën 13 tetor 2019, përballë  refuzimit të pritshëm të KQZ-së, ato mund të  ankohen vetëm pranë Kolegjit  Zgjedhor.  Gjykatë  e cila përsëri pritet që të mbajë të njëjtin qendrim, duke e konsideruar këtë Dekret  përsëri  si një akt absolutisht të pavlefshëm, bazuar në vendimmarrjen e tij të mëparshme.

PS: Shkrim i dërguar për ResPublica nga një ekspert i së drejtës.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

GjK mund ta shqyrtoje kete ceshtje ne kuader te zgjidhjes se mosmarreveshjes se kompetencave mes organeve kushtetuese ose me interpretim perfundimtar te Kushtetutes persa i perket kompetences se Presidentit per caktimin e dates se zgjedhjeve. Nuk eshte e thene te shqyrtoje zgjedhshmerine e organeve qe qeverisjes vendore permes ankimeve konkrete, sic e ka thene dhe vete GjK qe se ka kompetence nga Kushtetuta.

Submitted by r.th. (not verified) on

Eksperti anonim i se Drejtes nuk ka pse ekletizon dhe sofistizon si harabel plepash, por duhet ta interpretoje qarte e paster rastin qe sjell me Gjykaten Kushtetuese, kur ajo nuk e shtrin gjykimin e saj ne ceshtje te zgjedhjeve lokale, nga fakti se e drejta mbi zgjedhjet lokale qendron qarte tek presidenti, ndaj dhe kjo Gjykate nuk merr persiper te gjykoje nje nen te Kushtetutes. Dhe, nese per momentin nuk ka Gjykate Kushtetuese, kjo nuk luan kurrfare roli ne dekretin e zgjedhjeve lokale, sepse keshtu qe keshtu kjo Gjykate e ka thene qarte, qe nuk eshte e drejte e saj gjykimi i problemeve me zgjedhjet lokale. Ndaj dhe Kolegji Zgjedhor nuk mund ta gjykoje dekretin e presidentit. Eksperti anonim i shkrimit e sjell vete faktin, duke na i kthyer ketu me koke poshte!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.