Vota për një Shqipëri që e duan vetëm Disa

Postuar në 25 Qershor, 2019 17:01

Ka diçka të rrezikshme te motoja “Për Shqipërinë që Duam”. Cila është Shqipëria që Duam? Shqipëria e rilindësve, Shqipëria e afruar me Perëndimin, Shqipëria në Europë, apo Shqipëria ballkanike? Këtë moto e shpall një subjekt politik duke ushtruar ligjërimin e rremë se ajo që votohet nën këtë moto konfirmon në fakt edhe objektivin.

Shqipëria që Duam është gjithësesi më e qartë dhe e rrokshme sesa p.sh Rrogozhina që Duam, apo Konispoli që Duam. Sepse në fund integrimi është një veshoke konsensuale për një pjesë të politikë dhe me këtë rast po themi se Shqipëria që Duam është ajo në Europë.

Po çfarë është Konispoli që Duam? Po Saranda që Duam? P.sh Saranda që Duam për një pjesë të banorëve të saj është rikthimi i Sarandës që ishte, një qytet që respekton natyrën, që ka komunitetin e njerëzve që sot ka marrë arratinë, që nuk ka këto ndërtime që ka dhe sidomos që nuk ia lejon vetes të poshtërohet kur përfaqësohet nga qenie të tilla si deputeti Alket Hyseni. 

Atëherë Saranda që Duam e Alket Hysenit dhe Edi Ramës është e kundërta e asaj që duan këta banorë. Është një Sarandë e zhvilluar, po si? Është një Sarandë ku ata janë aksionerë kryesorë? Ndoshta. Por këtë e duan Ata. Është vetë fraza që sjell ngatërresa dhe keqkuptime. Është një truk që synon të lërë pas dhe nxjerrë në negativ ata që mendojnë ndryshe. Kjo është frazë që ushtron autokraci mbi Tjetrin duke u afirmuar te një votë qorre. Shqipëria që Duam është në fakt më së paku Shqipëri e respektit dhe paqes sociale, jo e një gare ku ai që fiton nderohet pavarësisht sesi fiton.

Shqipëria që Duam ngjan me një eufemizëm për të mos thënë Shqipëria Jonë, prona jonë. Sepe në fakt e tillë po bëhet. Në sytë tanë, në heshtjen dhe mpirjen tonë, me ligje dhe maliqë që vendosin si duan vetë. Do të paguhet nga të gjithë kjo faturë e vjedhjes së vetes dhe do të jetë e shtrenjtë. Shqipëria e pagoi faturën e një regjimi që unifikohej me popullin. Por mesa duket të mësosh nga Historia është një gjë e vështirë në këtë vend ku demagogët dhe hajdutët janë monarkë.

Comments

Submitted by Selim (not verified) on

SA?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.