Mbetet dorëheqja

Postuar në 24 Qershor, 2019 13:03

Mediat e pushtetit raportojnë së fundmi se Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Partisë për Unitet Kombëtar të drejtuar nga Idajet Beqiri për çregjistrim nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Kërkesa ishte bazuar mbi arsyetimin se Presidenti ka dekretuar anullimin e datës 30 qershor, duke marrë si të mirëqenë faktin se vetëm kreu I shtetit dekreton një datë zgjedhjesh. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në fillim dhe tani Kolegji Zgjedhor kanë hedhur poshtë kërkesën e Beqirit, duke dhënë kështu rrugë për argumentin se me të bie edhe dekreti i anullimit të zgjedhjeve. 

Duke lënë mënjanë faktin se shqyrtimi gjyqësor përqendrohet mbi kërkesën dhe padinë dhe nuk merr në konsideratë rrethana të tjera, pra një kërkesë tjetër mund të kishte tjetër rezultat, duhet thënë se vendimi i Kolegjit ka implikime politike. 

Presidenti i Republikës ka ushtruar kompetencat e veta për të dhënë një zgjidhje të situatës politike siç e mendon ai. Në argumentimin e tij për dekretin e anullimit të zgjedhjeve, Presidenti ka shprehur qartë kundërshtimin e vet për mbajtjen e tyre në kushtet kur nuk ka alternativë. Sipas tij me situatën e krijuar qytetarëve u është mohuar e drejta për zgjedhje, duke u lënë atyre vetëm të drejtën për të votuar. 

Arsyetimi i Presidentit bazohet tërësisht mbi argumente kushtetues duke vënë në dukje kështu natyrën sipas tij, antikushtetuese të qëndrimeve të shumicës në pushtet. Me vendimin e sotshëm, Presidentit i janë ezauruar mjetet për të kundërshtuar brenda sistemit rrjedhojat e kësaj situate, duke mbetur vetëm një dëshmitar pasiv dhe impotent përpara asaj që do të ndodhë në datën 30 qershor. 

Natyra e argumenteve dhe qëndrimeve publike të Presidentit ka vulosur zyrtarisht papajtueshmërinë e tij me veprimet dhe aktet publike të qeverisë dhe parlamentit aktual. Presidenti, përmes disa shkresave ka lënë të kuptohet se e konsideron Parlamentin ilegjitim dhe pa të drejtën e vendimmarrjes kushtetuese. 

Në këto kushte, akti i vetëm i Ilir Metës është dorëheqja e tij dhe kalimi në opozitë aktive duke ofruar për vendin dy gjëra: 

Së pari shpëtimin e Presidencës sa nga shndërrimi i saj në një institucion pa dinjitet dhe që do të shpërfillet dhe degradohet, aq edhe nga përdorimi i pashmangshëm i saj, hapur dhe në mënyrë flagrante, për interesa partiake dhe personale. 

Së dyti, do të simetrizojë ballafaqimin politik duke i hequr kryeministrit alibinë se opozita po bën këto që po bën sepse ka frikë nga drejtësia. 

Askush nuk e ka thënë deri më sot se jemi në këtë situatë, jo dhe aq për shkak të frikës së opozitës, më shumë sesa për shkak të faktit se prokuroria mbajti të patrajtuar dy dosjet e vjedhjes së zgjedhjeve. Ndaj çdo qëndrim i mëtejshëm i z. Meta në atë zyrë vetëm sa komplikon çdo zgjidhje të afërt të krizës. Sepse zgjidhje të vërtetë me këta që janë në politikë nuk ka.

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.