Le t’ia paguajmë zgjedhjet Partisë Socialiste, por më 30 qershor nuk ka zgjedhje lokale

Postuar në 24 Qershor, 2019 22:34

Sot ka patur dy ndërhyrje të huaja për krizën politike në Shqipëri. Njëra nga ministri i Jashtëm italian që kërkon shmangien e dhunës më 30 qershor dhe një tjetër, siç raportohet me burime nga një zyrtar i DASh që ëhtë shprehur se zgjedhjet duhet të mbahen në datën e caktuar. 

Duhet t’i kuptojmë këto ndërhyrje për atë që janë: ministri italian ka hallin e ndonjë vale migratore akute si pasojë e trazirave, zyrtari amerikan thjesht konfirmon qëndrimin e deritanishëm amerikan që kërkon stabilitet me çdo kusht në një vend ku demokracia është ekzibicionizëm sezonal indigjenësh dashamirës me metropolin.

Përtej kësaj shqiptarët mund të bëjnë çfarë të duan. Fundja bota është njësoj kudo: të gjithë duan para. Asgjë më shumë. Për këtë arsye përdorimi i këtyre ndërhyrjeve për konsum të brendshëm ka si synim vetëm të paralizojë çdo inkurajim për të kundërshtuar farsën ku po lëshohet vendi. 

Më 30 qershor në votime shkon vetëm një subjekt: Partia Socialiste. Këto votime po shiten si zgjedhje lokale në rrafsh shtetëror dhe si dëshmi e të drejtës për të zgjedhur. Ky nuk është rreshtim elektoral i zakonshëm. Kjo madje nuk është as përballje kandidatësh dhe modelesh. Ky është një prag politik në të cilin Shqipëria kalon nga një etapë në tjetrën dhe për të cilin po kërkohet miratim ose refuzim. Vërtet palët mund të jenë duke bërë pazarin e radhës, por aktualisht konfrontimi retorik dhe verbal, etiketimet dhe diferencimi publik ka shkuar kaq larg saqë përballja fizike është një formalitet i domosdoshëm për të rivendosur legjitimitetin. Kjo mund të shmanget me një konsensus për të nënshkruar një kontratë të re që nuk negocion drejtësinë. 

Opozita është pjesë e problemit themelor që ka vendi, por pas saj shkojnë të gjithë ata që sot shohin te qeveria e z. Rama, rrezikun e kllapisë politike që ka pajtuar si standard kompromisin dhe paranë, në vend të lirive. Shumica e z. Rama ka relativizuar çdo vlerë beteje dhe ka formalizuar aspektet esenciale të demokracisë me rituale juridike që ushtrohen sipas interpretimit dominues të pushtetit. Ligji për Teatrin Kombëtar dhe kjo e zgjedhjeve lokale janë dy shembuj të qartë në këtë drejtim. 

Problemi i opozitës sot nuk është rendja drejt dhunës, apo akteve të dhunës, por mungesa e qartë e dëshirës dhe vullnetit të saj për të imponuar një zgjidhje esencialisht të re. Që nuk llogarit kostot e brendshme. Që këtej vjen edhe tulatja e saj ndaj deklaratave të rikerëve dhe sorekëve, nevoja për të legjitimuar çdo aksion te ndonjë konçesion i liderëve apo nëpunësve të huaj. Droja e saj vjen edhe nga një shjak tjetër: protesta e studentëve evidentoi se pakënaqësia ndaj klasës politike mund të shndërrohet në urrejtje dhe mund të dalë në rrugë. Të gjenerojë forca të reja. Ajo sot është në kurthin e madh mes sjelljes në kufijtë e sistemit, tentativës për ta rrëzuar atë nëse mundet, apo ofertës për një kontratë të re. E cila nuk vjen pa kosto. 

E keqja në të gjithë këtë që po ndodh nuk është aspak dhuna, as tensioni. Ato janë elementë kalimtarë dhe jo rrallë të shëndetshëm. E keqja këtu vjen nga fakti se të dyja palët luajnë lojën e zgjedhjeve kur e dinë shumë mirë se asnjëra nuk përbën alternativë dhe se të dyja janë faktor krize. Ndaj edhe e kanë lënë veten të jenë antena të aktorëve të huaj. E shohim këtë te qetësia e kryeministrit që ka marrë viston jashtë që të vazhdojë këtë kurs, e shoim edhe te letra e një presidenti që i lutet një nëpunësi të OSBE-së. Shqiptarët nuk vendosin askund, sepse nuk i do kush në tryezë. Sepse edhe vetë nuk duan të jenë violinë e parë. Nuk dinë, kanë frikë, ose thjesht sepse janë mësuar të shërbejnë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.