Besoni dhe blini te Noizy, por mos blini rrenat e pacientit nr.1 në Tiranë!

Postuar në 12 Qershor, 2019 01:56

Protesta e studentëve ishte një gjë serioze, ose u bë e tillë dhe në fakt e ruajti njëfarë sinqeriteti duke iu përmbajtur kërkesave ekonomike. Fundja këta student janë, ky manifestim është. Por nëse do që diçkaje t’ia heqësh seriozitetin, kaloje atë në duart e politikanëve shqiptarë. Studentët u ngritën sepse një tarifë u dyfishua menjëherë dhe pa pyetur kënd, me arrogancën e zakonshme. Nuk ka besuar kush se studentët u ngritën që të trajtohen si lypësa.

Këtë po bën në fakt kryebashkiaku Erion Veliaj. Në një video promocion ai shfaqet me këngëtarin e mbiquajtur Noizy, me të cilin nënshkruan një lloj memorandumi që parashikon se për studentët që kanë kartën e studentit përgatitur nga Bashkia, do të ketë 30% ulje në biznesin e këngëtarit. Biznesi i tij është një linjë për rroba quajtur Illyrian Bloodline. Nëse sheh në internet çmimet e kësaj linje, ato edhe kështu janë modeste. Një palë pantallona shkojnë 3000 lekë të reja, diçka e pranueshme për një student.

Mirëpo zotit Veliaj, si nikoqir i Tiranës, i duken shtrenjtë. 30% ulje për çdo artikull i ndihmon studentët, të cilëve në të vërtetë për kushte studimi u mjafton godina e mirë, tarifa të arsyeshme për shkollimin dhe librat. Sa për biletën e autobuzëve ajo është e kotë. Një biçikletë në Tiranë bën më shumë punë se urbanët e z. Veliaj.

Është e dukshme se zotëria po bën fushatë, por teksa njofton në mënyrë qesharake se studentëve u bëhet ulje në një dyqan mode, është duke u vetëpromovuar në krah të një këngëtari që pëlqehet nga moshat e reja. Fushata bajate e zakonshme e këtij individi që çdo gjë që prek e ndot.

Sa për Noizyn, ai të paktën nuk ka lejuar të bëhet kukulla e karagjozit të Bashkisë.

Ndihmojmë këtej, se na i jep Zoti në krah tjetër -, ka thënë ai.

Studentë, modestisht: Besoni dhe blini te Noizy, por mos blini rrenat e pacientit numër 1 në Tiranë!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.