Dy mendime të kundërta nga gjykatat më të larta për Dekretin e Presidentit

Postuar në 10 Qershor, 2019 03:05

Sot paradite Presidenti i Republikës do të sqarojë pozicionin e tij për shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale të vitit 2019.

Nga ana tjetër, në media është hedhur ideja dhe janë të dhënat që dekreti i shfuqizimit mendohet të paditet në Gjykatën Administrative nga mazhoranca, meqenëse ai çmohet se është një Akt Individual që përfshihet në fushën e shqyrtimit të dispozityave të Kodit të Procedurave Administrative. Një trajtim këtij aspekti i ka bërë dje në profilin e vet në Facebook, juristi i njohur Arben Isaraj, duke mbajtur si bazë arsyetuese tezën se dekreti nuk është akt normativ, por individual dhe se natyra e çështjes aktuale nuk hyn në juridiksionin e shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

Çfarë është pra dekreti i presidentit dhe a mund të rrëzohet ai nga një gjykatë përveç asaj Kushtetuese?

Mendimet mund të jenë të shumta, por praktika e jurisprudencës shqiptare ka një përgjigje shumë të qartë. Në datën 30 janar të vitit 2003, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë morën një vendim (nr.3)për një padi të bërë nga një prokuror që kundërshtonte dekretin e Presidentit të Republikës për qarkullimin e tij në detyrë. Në të vërtetë dekreti ishte rrëzuar nga Gjykata e Apelit në Tiranë dhe ndaj këtij vendimi kishte bërë rekurs Prokurori i Përgjithshëm i Republikës. Për sa na intereson për çështjen po sjellim arsyetimin e Kolegjeve, vendimet e të cilave janë fuqinë e ligjit.

Thuhet në këtë vendim për natyrën e dekreteve të Presidentit:

Padia e paditesit Selami Zalli me te cilen eshte kerkuar shfuqizimi i Dekretit nr.3037, date 01.06.2001 i Presidentit te Republikes, bazuar ne nenin 324/a e vijues te K.Pr.Civile, eshte nje padi qe nuk mund te ngrihej.

Kjo dispozite procedurale percakton, nder te tjera, kompetencen lendore te seksioneve administrative te gjykatave per te shqyrtuar ligjshmerine e akteve administrative. Por, para se te trajtohet problemi i kompetences gjyqesore per shqyrtimin e nje ceshtjeje, perfshi edhe kompetencen lendore, duhet te percaktohet ne radhe te pare natyra juridike e aktit qe kerkohet te kundershtohet dhe juridiksioni per shqyrtimin e kushtetueshmerise e ligjshmerise se tij. Sipas nenit 24/1 te Ligjit nr.8737, date 12.02.2001 “Per Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorise ne Republiken e Shqiperise”, “Ngritja ne detyre me te larte ose transferimi mund te behet vetem per nevoja dhe ne interes te punes nga Presidenti i Republikes, me propozimin e Prokurorit te Pergjithshem, pasi te jete marre mendimi i prokurorit”. Gjersa vendim marrja per raste te tilla i takon Presidentit te Republikes, sipas ketij ligji, ne veshtrim edhe te nenit 94 te Kushtetutes, dhe duke pasur parasysh se, sipas nenit 93 te Kushtetutes, aktet qe nxjerr Presidenti kane forme juridike te dekretit, atehere edhe ngritjet ne detyre apo transferimet e prokuroreve behen me dekrete te karakterit individual.

Atehere shtrohet pyetja: Cila eshte natyra juridike e ketyre dekreteve individuale? A mund te klasifikohen ato si akte administrative ne kuptim te nenit 106 e vijues te Kodit te Procedurave Administrative dhe, per rrjedhoje, a mund te kundershtohen si te tilla ne gjykate sipas procedures se parashikuar ne nenet 324 – 333 te K.Pr.Civile?

Kolegjet e Bashkuara te Gjykates se Larte verejne se dekretet e Presidentit te Republikes jane akte te natyres juridiko – kushtetuese dhe jo akte administrative, te percaktuara si te tilla nga neni 106 i Kodit te Procedurave Administrative. Sipas kesaj dispozite, “Per qellimet e ketij ligji, do te konsiderohen akte administrative te gjitha vendimet [lexo: urdherimet] e organeve te administrates publike, te cilat krijojne pasoja juridike ne raste individuale”.

Dekretet e Presidentit te Republikes nuk mund te perfshihen ne te njejten kategori me aktet e organeve te administrates publike. Ato jane akte te pushtetit te larte ekzekutiv (te Kryetarit te Shtetit) me te cilat vendosen emerimet, shkarkimet, ngritjet ne pergjegjesi, transferimet, gradimet, etj. te nje kategorie funksionaresh te rendesishem te shtetit. Marredheniet e ketyre personave me shtetin per kryerjen e detyrave te caktuara bazohen jo ne nje kontrate te thjeshte pune, por ne nje kontrate te vecante te sherbimit publik, nepermjet te ciles ata marrin pergjegjesi te vecante per mbrojtjen e interesave te larta publike, ne te cilat misherohet vete sovraniteti i shtetit.

Si te tilla, ato bazohen jo vetem ne profesionalizmin, por edhe ne nje shkalle te larte besimi dhe besnikerie ndaj shtetit. Eshte kjo arsyeja qe lidhja, ndryshimi apo mbarimi i kesaj kontrate sherbimi publik, nuk formalizohet me nje akt te zakonshem te nje organi te administrates publike (akt administrativ), por me dekret te Presidentit te Republikes.

Nisur nga sa me lart, eshte ne diskrecionin e shtetit, te misheruar ne dekretin e Presidentit jo vetem krijimi, por edhe ndryshimi apo shuarja e marredhenieve te sherbimit publik te nje karakteri te tille…

Kushtetuta nuk parashikon ndonje mjet juridik per te kundershtuar ne ndonje juridiksion te caktuar zgjidhjen e kesaj kontrate dhe per te rivendosur te gjitha te drejtat e humbura (restitutio in integrum).

Dekretet e Presidentit te Republikes te nxjerra ne baze te kompetencave te tij kushtetuese nuk i nenshtrohen shqyrtimit gjyqesor, sepse vete Kushtetuta e ka perjashtuar nje mundesi te tille

Kushtetuta edhe ne raste te tjera kur nje vendimmarrje e caktuar behet me dekret te Presidentit te Republikes nuk mundeson kundershtimin e dekretit, as ne Gjykaten Kushtetuese, as ne gjykatat e juridiksionit te zakonshem. P.sh. sipas nenit 136, pika 4, te Kushtetutes, “gjyqtaret e tjere (te gjykatave te shkalles se pare e te apeleve) emerohen nga Presidenti i Republikes me propozim te Keshillit te Larte te Drejtesise”. Por, Presidenti i Republikes as eshte i detyruar te arsyetoje refuzimin e tij per te dekretuar emerimin ne detyre te gjyqtarit te propozuar nga K.L.D., as ekziston ndonje mundesi kushtetuese apo ligjore per te kundershtuar gjyqesisht mos nxjerrjen e dekretit, ashtu sic nuk mund te behet ne asnje rast edhe e kunderta d.m.th. te atakohet ne rruge gjyqesore nje dekret i nxjerre brenda kompetencave kushtetuese te Presidentit te Republikes.

Prokurori i Pergjithshem ne rekurs shprehet se gjykata e apelit eshte kompetente te shqyrtoje masat disiplinore te dhena ndaj prokuroreve nga Prokurori i Pergjithshem sipas nenit 33 te ligjit per Prokurorine, por ajo nuk eshte kompetente te shqyrtoje bazueshmerine e dekretit te transferimit, sepse ajo nuk mund te zgjeroje juridiksionin e saj tej atij te percaktuar ne ligj. Pohimi i pergjithshem qe “gjykata e apelit nuk mund te zgjeroje juridiksionin e saj tej atij te percaktuar ne ligj”, eshte i drejte ne vetvete, por ky pohim nuk eshte argument i pergjithshem i plote per mungesen e juridiksionit gjyqesor per te shqyrtuar ligjshmerine e dekretit te Presidentit dhe per mungesen e kompetences gjyqesore per ta shfuqizuar ate.

Sipas nje rregulli te pergjithshem, gjykata nuk mund te terhiqet nga shqyrtimi i nje ceshtjeje qe permban pretendimin per shkeljen e nje te drejte, ne qofte se ligji mungon. Atehere, sipas ketij rregulli, nuk do te perjashtohej juridiksioni gjyqesor dhe kompetenca lendore e funksionale do t`i takonte gjykates se shkalles se pare. Megjithate, ne kete rast as gjykata e shkalles se pare nuk ka juridiksion.

Prokurori nuk legjitimohet te kundershtoje ne gjykate dekretin e Presidentit te Republikes per emerimin, transferimin, apo shkarkimin e tij, jo per arsye se kjo nuk eshte parashikuar ne menyre eksplicite ne ligj, por per arsye se per dekretet e Presidentit per shkak te natyres se tyre juridike te percaktuar nga Kushtetuta dhe per shkak te karakterit te posacem te kontrates se sherbimit publik per nje kategori te caktuar funksionaresh te rendesishem te shtetit, sic jane edhe prokuroret, juridiksioni gjyqesor eshte perjashtuar.

Ky arsyetim ka sot vlerën e detyrueshme referuese dhe nga ana tjetër sqaron deri diku edhe “krizën” e krijuar me refuzimin nga presidenti të dekretimit të z. Cakaj. Duhet thënë se për këtë vendim të vitit 2003 ka patur një mendim pakice që e ka kundërshtuar me arsyetime të qarta që sot ngjajnë me ato të z. Isaraj për sa i përket dekretit. Çështja ka qenë e ndërlikuar, pasi GJK rrëzoi ankesën e prokurorit që iu drejtua asaj pa shteruar rrugët e tjera ligjore. Një aksident ky kundërthënës përderisa prokurori iu drejtua gjykatës pasi u ankua në Kushtetuese me idenë se dekretet atakohen vetëm në Kushtetuese. Në çdo rast, gjykatat që do të përballeshin me kërkesën për gjykimin e një dekreti e kanë përpara këtë vendim të Kolegjeve që sqaron mirë se cila është natyra juridike e një Dekreti dhe nëse ai i nënshtrohet apo jo Kodit të Procedurës Administrative.

Mirëpo kjo është një histori që nuk merr fund këtu për nga e drejta për t’u ankuar jo për të përcaktuar natyrën e dekretit thjesht. Kjo pasi në një vendim të vitit 2002, Gjykata Kushtetuese jep një tjetër përkufizim për dekretin në vendimin nr.25 të 13 shkurtit:

Nga përmbajtja dhe fryma e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, del qartë se Presidenti i Republikës si kryetar i shtetit edhe pse është i ndarë nga organet kryesore që realizojnë pushtetet, kryen disa funksione që kanë natyrën e këtyre pushteteve. Eshtë kjo arsyeja që Presidenti i Republikës në ushtrimin e funksioneve të tij, krahas akteve që janë rezultat dhe shprehje e drejtimit politik, nxjerr akte individuale me karakter administrativ. Në aktet me karakter administrativ përfshihen edhe Dekretet për shkarkimin nga detyra të prokurorëve si masë me karakter disiplinor. Duke pasur të tilla cilësi, Dekreti, në bazë të dispozitave kushtetuese të përmendura më lart dhe në harmoni me frymën e përmbajtjen e legjislacionit e të praktikës së mirëfilltë gjyqësore, duhet të jetë objekt i ankimit dhe i shqyrtimit gjyqësor.

Kjo sallatë është tepër, por duhet nënvizuar se Gjykatat kanë qëndrime të ndryshme dhe një gjykatës nesër me ankesën në derë nuk dihet se çfarë do bëjë. Thjesht me drejtësinë shqiptare, që të gjithë e kanë një alibi.

Përditësim: Vendimi i Kolegjeve të Bashkuara është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 38, datë 23.12.2003. Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë interpretimin e Kolegjeve për natyrën e dekreteve të Presidentit të Republikës. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.