Mbi (pa)parashikueshmërinë e zgjedhjeve parlamentare

Postuar në 08 Qershor, 2019 14:48
Arsen Zlatiçanin - Universiteti i Shkodrës

 

Iracionaliteti i rezultateve të zgjedhjeve është një fenomen i hershëm në Shqipëri dhe kjo kryesisht nga  ndikimi i degëve lokale të faktorëve politikë nëpër zona të ndryshme të vendit. Nganjëherë (para  ndryshimeve të sistemit zgjedhor në vitin 2008), qytetarët e një spektri politik kanë qenë të detyruar të  votojnë parti të tjera për shkak të sistemit zgjedhor.

Në vitin 2008 parlamenti shqiptar miratoi disa ndryshime në Kushtetutë dhe në sistemin zgjedhor për të shmangur një sistem që u impononte partive të mëdha të sakrifikonin votat e tyre në favor të aleatëve  (relativë), në funksion të efektivitetit të votave të tyre, të cilat sistemi zgjedhor mund të mos i  konstatonte  aspak. Kështu parti të vogla si PSD-ja e Gjinushit apo PAA-ja e Xhuvelit fitonin disa dhjetëra  mijëra vota socialistësh, apo PR-ja e Mediut disa dhjetëra - mijëra vota demokratësh, të cilat prodhonin  mandate që më pas këto parti i manovronin sipas interesave të tyre në mënyrë të pavarur nga  elektorati që i kishte votuar.

Ky sistem i vitit 2008 dha rezultatet e veta të cilat u pëlqyen nga partitë e mëdha, përderisa  ky  sistem  u  aplikua  gjithësej tri herë, si  asnjë sistem tjetër përpara tij. Partive të mëdha u garantonte madje edhe  më tepër mandate sesa mund të merrnin nga një sistem proporcional i pastër kombëtar.

Përpara vitit 2008, rezultatet iracionale si p.sh të komunës së Dushkut të vitit 2001 (ku fitonte Partia Agrare bindshëm në proporcional me mbi 28% të votave ndërsa kandidati i saj nuk merrte më tepër se 1.3% të  votave në mazhoritar), mund të justifikohen me strategjitë e koalicioneve të mëdha të cilët  orientonin votuesit e tyre drejt partive të vogla aleate në funksion të maksimizimit të rezultatit të  aleancës së tyre në mandate. Në sistemin e vitit 2008 i cili është funksional edhe sot, votuesi i një  partie të madhe nuk është i detyruar të votojë parti të vogla si dikur. Çdokush mund të votojë pa merak  preferencën e tij politike, pa penalizuar as partinë që simpatizon dhe as koalicionin ku mund të ndodhet  partia e tij. Kështu që ky sistem nuk ka pse të prodhojë rezultate iracionale (në aparencë) si më përpara. Gjithsesi edhe sot, rezultate iracionale ka mjaft edhe pse spjegimi se përse ato janë të tilla mund të jetë  shumë i komplikuar dhe kërkon ndoshta informacione më të detajuara nga zonat prej nga vijnë këto  rezultate. Duke patur parasysh që qarku i Durrësit përflitet shumë nëpër mediat kombëtare dhe ndërkombëtare këto ditë, po e marr si shembull ilustrues për fenomenin e iracionalitetit aparencial të rezultateve të  zgjedhjeve parlamentare.

Mjafton të shikohen rezultatet për LSI-në në njësitë administrative Nikël, Bubq ku LSI-ja ka rënie drastike në Fushë-Krujë, Kodër-Thumanë, Shijak, Cudhi, ku LSI-ja ka stabilitet (rënie të lehtë apo nivele të njëjta)  dhe në njësitë administrative Durrës, Rrashbull, Manëz, Xhafzotaj, Gjepalaj ku LSI-ja ka 3-4 fishim të votave apo edhe më tepër. Lëvizjet nga njëri drejtim në tjetrin në mënyrë të pakoordinuar aspak, me  lëvizjet në rang kombëtar për LSI-në, shoqërohen me lëvizje të forta lokale edhe për subjektet PS dhe PD. 

Ky fenomen i lëvizjeve ekstreme të pakoordinuara sipas zonave, i mbështetjes për partitë shfaqet në  formë të theksuar edhe në qarqet e Dibrës dhe Elbasanit ku kandidatët që garonin nën siglën e PDIU-së,  thyen cdo lloj konstanteje në raportet mes përqindjejeve të partive tradicionale PS, PD dhe LSI. Gjithashtu edhe në qarkun e Shkodrës Partia Socialdemokrate përmes kandidatëve rajonalë depërton  nëpër zonat të Shkodrës në mënyrë shumë të ndryshme dhe po ashtu rritja e PS-së është e ndryshme  nëpër disa zona, aq sa nuk mund të krijohet një ide racionale për popullaritetin e PS-së dhe lëvizjen e tij  në zonën e Qarkut të Shkodrës.

Siç shihet nga tabela.2 në disa njësi administrative të Qarkut Shkodër, PS-ja shumëfishon votat e saj, ndërsa në disa njësi të tjera ka rënie të theksuar të mbështetjes.  Kështu në qytetin e Shkodrës mbështetja për PS-në është e stabilizuar (nga 26% në  29%) që nga viti 2009 e deri në vitin 2017, ndërsa  nëpër zona rurale të ndryshme ka lëvizje të forta në zbritje dhe në rritje njëkohësisht, si p.sh nga 20% në  70% në Rrapë të Pukës, apo edhe zbritje nga 49% në 26% në Anën e Malit në bashkinë Shkodër.

Po të futemi një nivel më thellë, pra në nivelin e qendrave të votimit brenda një njësie administrative kudo në Shqipëri, në shumicën e tyre iracionaliteti dhe lëvizja kaotike e mbështetjes për partitë  kryesore vërehet edhe aty. Pra në qendra votimi që ndodhen gjeografikisht afër, rezultatet janë shumë  të ndryshme dhe po të kthehemi në kohë vërehet që rezultatet nuk kanë aspak konsistencë mes tyre.

Për më tepër gjërat paraqiten me detajisht tek linku http://www.respublica.al/2017/08/01/nga-supermazhoranca-e-vjet%C3%ABr-tek-opozita-e-re-sipas-numrave.

Duke mos u zgjatur tek shembujt e rastet e shumta (të tilla ka mjaft në pothuaj çdo qark e çdo bashki) dhe duke patur parasysh se për paraqitjen e të gjitha situatave që bëjnë përshtypje do duheshin dhjetëra apo qindra faqe, po e përmbyll me konstatimin që në bazë të rezutateve të detajuara të  zgjedhjeve parlamentare që nga viti 2009 e deri në 2017, vështirë se mund të arrihet në një përfundim  racional (nga surprizat që prodhojnë rezultatet e partive nëpër zonat e ndryshme të vendit).

Dikush mund të akuzojë për manipulime dhe vjedhje rajonale votash nga elementë të cilësuar si  kriminale, dikush mund të justifikojë mentalitetin e pavarur dhe që ndryshon shpesh, të banorëve të zonave që ndodhen afër njëra - tjetrës (megjithëse ky fenomen nuk ndodh në ndonjë vend tjetër  europian përveç ndonjë rasti special si p.sh zgjedhjet presidenciale ruse të vitit 1996, ku nga raundi i parë tek raundi i dytë i zgjedhjeve në disa zona mbështetja për një kandidat lëvizte nga 60% në 20% ndërsa për kandidatin tjetër nga 15% në  70%), apo justifikimi mund të bëhet edhe nga puna bindëse që  zhvillojnë partitë nëpër zona të ndryshme pa aspak ndikim dhe jehonë në nivele përtej zonës ku  konstatohet  rezultati.

Përtej hipotezave, këto rezultate janë fakte që krijojnë përshtypjen që individët e interesuar, qofshin ata edhe specialistë shifrash, vështirë se mund të parashikojnë apo konkludojnë gjë për të ardhmen elektorale duke u bazuar tek rezultatet nga zgjedhjet parlamentare të viteve të fundit në Shqipëri. Në  një pjesë të mirë të vendit,  duket sikur faktori lokal ka shumë ndikim tek vota e  qytetarit dhe  kjo   implikon edhe llojin e këtyre rezultateve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.