Dako ka të drejtë për ndërhyrjet në media

Postuar në 06 Qershor, 2019 23:18

Mediat online po qarkullojnë së fundmi një përplasje në studion e “Opinion” mes moderatorit Blendi Fevfziu dhe ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Deklaratës së këtij të fundit se moderator në fjalë i nënshtrohet kërkesave për heqjen ose vendosjen e një lajmi, Fevziu i është përgjigjur se “askush nuk ka bythë ta bëjë një gjë të tillë”.

Ta lëmë ndershmërinë profesionale në jetimoren e përjetshme drynin e së cilës Shqipëria nuk e çel kurrë. Dhe të pranojmë se ajo që thotë Dako është e vërtetë. Shumë e vërtetë madje. Edhe mënyra sesi Dako e thotë ka vlerën e vet, sepse për të disa të vërteta takti është në fakt manikin i mashtrimit.

Ndërhyrja në media është prezente që në fillimet e pluralizmit. Ajo zëvendësoi linjën editoriale të centralizuar duke pervertuar lirinë që sapo doli nga burgu.

Në shtypin e shkruar, në televizione, në mediat online, ndërhyrjet janë të përhershme. Jo vetëm nga miq të pushtetit apo të politikës, por edhe nga akademikë, gazetarë, të njohur. Një sistem i tërë që është romani I Gomorrës ku jetojmë.

Ndaj akuza e z. Dako është në përgjithësi e drejtë dhe e sjell një vlerë me vete: askush në këtë vend nuk duhet të sillet sikur ka monopolin e moralit sepse gjërat merren vesh dhe shpejt. Do të mjaftonte të shihej se çfarë flet z. Fevziu p.sh kur acarohet siç bëri herën e fundit me Flamur Nokën në debat me të cilin zbuloi se zyrtarë të PD-së i dërgonin sms solidariteti Fatmir Xhafës.

Të mos thuash atë që di është në fakt më së paku mungesë ndershmërie profesionale. Dhe “gazetarë” si z. Fevziu kanë dekada që dinë shumë. Më shumë sesa kërkon zanati.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.