Pse "Madame X" skandalizoi botën e artit (FOTO)

Postuar në 04 Qershor, 2019 00:01

Në kohët e sotme, në vitin 2019, është e vështirë të kuptohet pse piktura e John Singer Sargent “Madame X”, 1883-1884 skandalizoi Parisin.

Nëse vizitoni Muzeun Metropolitan të Artit dhe shihni të varur një kornizë ari të zbukuruar, do të shihni një kompozim të thjeshtë: një grua me lëkurë si prej porcelani, që qëndron drejt në këmbë në një sfond të kafenjtë.

Ajo ka veshur një fustan të zi me shirita të florinjtë, njërin krah e ka të mbështetur në tryezën rrumbullakët, kurse me tjetrin mban fustanin.  Fytyra e saj është në profil, kurse vija e hundës së saj të gjatë e çon syrin e shikuesit përtej pikturës.

Për syrin e sotëm, piktura është mjaft elegante - një grua me lëkurë të përsosur, me pamje aristokratike, me veshje që duket të jetë e shtrenjtë dhe e qepur mjaft mirë. Ky perceptim bie ndesh me historinë e zymtë të modelit të saj, Virginie Amélie Avegno Gautreau dhe me zhurmën që shkaktoi shfaqja e portretit të saj në Sallonin e Parisit më 1884. Reagimi i publikut ishte kaq i ashpër sa Sargent u largua nga vendi, dhe reputacioni i tij u dëmtua përgjithmonë.

Ky reagim u shkaktua pjesërisht për shkak të asaj që tani duket si një detaj i parëndësishëm: Piktura e Sargent fillimisht tregonte një nga rripat e veshjes që varej nga supet e modeles në mënyrë joshëse. Sidoqoftë, nuk qe “paturpësia” e pikturës ajo që shkaktoi paragjykimin e shoqërisë, por diçka edhe më e keqe: çiltërsia ngjitëse.

Sargent lindi në Itali më 1856, babi ishte një mjek amerikan dhe nëna një grua që kishte mundur të hynte në shoqërinë e lartë. "Dr. Sargent dhe gruaja e tij nuk kishin mjetet financiare të emigrantëve plot shkëlqim, por përpiqeshin të ishin pjesë e shoqërisë së lartë", shkruan Donna M. Lucey në librin e saj të vitit 2017, “Gratë e Sargentit: Katër jetë pas kanavacës".

Megjithatë, nëna e Sargent bëri çmos që djali i saj të merrte pjesë në një atelie prestigjioze pariziane. Fillimisht ai aplikoi për ekspozitën vjetore të Sallonit të qytetit në vitin 1877, me një portret të mikut të tij të fëmijërisë, Frances Sherborne Ridley Watts. Pas suksesit që pati atje, artisti filloi të merrte shumë porosi për portrete dhe shumë shpejt pati një karrierë të susksesshme duke pikturuar gra të shtresës së lartë.

Sidoqoftë, Sargent kishte ambiciet e tij artistike. Kur takoi për herë të parë Gautreau-n u befasua aq shumë sa vendosi që duhej ta pikturonte - jo për shpërblim, por vetëmpër kënaqësinë e tij. Në mesin e shekullit XX, biografi i Sargent-it, Charles Merill Mount, qarkulloi një thashetheme se artistit iu prezantua Gautreau nga një gjinekolog i shquar me emrin Samuel-Jean Pozzi, me të cilin ajo mund të ketë pasur një lidhje. Sargent kishte pikturuar një portret të mjekut, të titulluar “Dr. Pozzi në shtëpi”, në vitin 1881. Në pikturë, doktori ka një veshje veçanërisht të zbukuruar: një rrobë e gjatë e kuqe e lidhur me rrip dhe pantofla të kuqe në argjend. Një perde e kuqërreme duket pas tij.

Për Gautreau-n, thonë se ishte një subjekt veçanërisht i vështirë. Sipas një artikulli të botuar në “Chicago Tribune” më 1987, ajo refuzoi të pikturohej në Paris dhe e bëri artistin të presë gjersa ajo dhe burri i saj të mbaronin verimin në shtëpinë e tyre të pushimit në Britani. Gautreau ishte e shqetësuar gjatë gjithë procesit.

Davis thotë se "Amélie ishte e paduruar me procesin e pafund dhe të mërzitshëm të pikturimit, sidomos me pjesën që e detyronte të ishte e palëvizshme. Ajo kishte vështirësi t'u kushtonte vëmendje udhëzimeve të Sargent-it… ". Sargent-i që udhëtoi drejt dhe nga Parisi, gjithashtu u stresua nga ky proces. Ai i shkroi njëherë shokut të tij, shkrimtarit Vernon Lee, "Sapo më ka mbërritur letra jote, jam ende në këtë shtëpi fshati, duke u përpjekur me bukurinë e papikturueshme dhe me përtacinë e pashpresë të Madame GAUTREAU. "

Pas krijimit të skicave të shumta dhe disa përpjekjeve për pikturë, Sargent arriti ta përfundojë veprën e tij për Sallonin e vitit 1884, të cilën ai fillimisht e titulloi "Portret i Madame Gautreau. Reagimi ishte i dobët. Siç shkruan De Costa: "Pas Sallonit, fama për pak kohë u shndërrua në nam, dhe Madame Gautreau u bë objekt talljeje në sallat e vizatimit të Parisit."

Publiku e kuptoi supin e zhveshur të subjektit, me rripin që varej  si shenjë të shthurjes seksuale të Gautreau-t. Kjo nuk ishte një gjë e re: Gautreau ishte mjaft e përfolur. Burri i pasur i Amélie Avegno-s, siç shkruante Miranda Seymour në “New York Times”, ishte "i vogël, veçanërisht i shëmtuar dhe dy herë sa mosha e saj". Një shfaqje e tillë publike me natyrë seksuale ia shtoi famën e keqe.

Jo vetëm veshja zbuluese e subjektit tërhoqi vëmendjen, por edhe lëkura e saj e zbehtë si prej fantazme. Ashtu si gratë e tjera moderne të kohës së saj, Gautreau mund të ketë konsumuar arsenik për të zbehur lëkurën e saj (edhe pse Davis besonte se ka më gjasë që ajo të ketë përdorur pluhur orizi për këtë qëllim). Në një kritikë të “Salon” më 1884, Times raporton: "Sargent është nën standardet e tij të zakonshme këtë vit... Poza e figurës është absurde dhe nuancat e blusë të tmerrshme. Karakteristikat janë aq të ekzagjeruara saqë brishtësia e natyrshme e linjës ka humbur krejtësisht. "Nën penelin e Sargent-it, subjekti i ashtuquajtur" i bukur" duket veçse si një" karikaturë "e thjeshtë.

Nëna e Gautreau u tërbua. Ajo iu ankua Sargent-it. "Gjithë Parisi po tallet me vajzën time... Ajo është e shkatërruar. Do të vdesë nga hidhërimi". Gautreau nuk e mori kurrë veten nga incidenti i turpshëm dhe u tërhoq nga shoqëria pariziene për gjithë jetën e saj.

Sargent ndërkohë ishte i shqetësuar për reputacionin e tij. Kritikët e ngacmuan për ndryshimin thelbësor që bëri në veprën e tij: Pas përfundimit të ekspozitës, ai e vuri si duhej mbi sup rripin e Gautreau-t. Më 1886, ai u arratis prej namit të keq në Paris dhe jetoi në Londër, duke mos rrezikuar më në veprat e tij. Ai u përpoq të kufizonte famën e Gautreau: Kur ia dha pikturën Muzeut Metropolitan në vitin 1916, ai këmbënguli që institucioni të vazhdonte ta mbante të fshehtë identitetin e subjektit. Kështu vepra mban titullin intrigues "Madame X".

Piktura, ndoshta, u bë e njohur më tepër për trazirat që frymëzoi, sesa për meritat artistike të autorit. Kritiku amerikan Hilton Kramer në një artikull të vitit 1981 për “New York Times” shkruan: "Nuk ka një stil radikal. Është një foto e qëndrueshme dhe e rehatshme - pak e çuditshme në ngjyrat e saj dhe ka një pozë që i jep rëndësi vetes."

Megjithatë, Kramer shpërfill një element thelbësor të pikturës: Marrëdhënia e subjektit me modën. Veshja elegante në qendër të veprës së artit të Sargent-it mund të jetë lënda e vërtetë e “Madame X” dhe trashëgimia e saj më e madhe. Qëndrimet ndaj sensualitetit të grave (në pistë dhe në galeri) mund të jenë të paqëndrueshme, por një fustan i zi i mirë është i përjetshëm. /Sipas Alina Cohen në Artsy, përgatiti Erina Çoku/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.