Bosnja në buzë të greminës

Postuar në 03 Qershor, 2019 13:32
Alexander Brezar

Në skenat e para të filmit të Danis Tanović, "Toka e askujt", (film që ka fituar Oscar), i cili i vendos ngjarjet në Bosnje gjatë luftës së viteve 1992-1995, një ushtar boshnjak lexon gazetën në një llogore. Me keqardhje, ai thërret: "Shikoni ç’ndodh në Ruandë". Kjo skenë, e cila thuhet se është bazuar në një anekdotë të vërtetë, rezultoi një test lakmusi për shikuesit.

Qesh apo jo me këtë skenë, ajo mund të lexohet në dy mënyra. Së pari, si dëshmi e aftësinë e boshnjakëve për t’u solidarizuar me fatkeqësinë e të tjerëve, madje edhe kur janë vetë në rrethana të tmerrshme. Leximi i dytë është më pak i kënaqshëm: a mund të ishte ai ushtar i panjohur aq i pandjeshëm për situatën e dëshpëruar në të cilën gjendej vetë, vdekjen dhe shkatërrimin që shenjoi fillimet e pavarësisë së Bosnjes, saqë gjenocidi në Ruanda iu duk më i madh?

Në vitin 1992 në Sarajevë, festoja ditëlindjen e tetë, vetëm pak javë para se të niste gjithçka. Prindërit e mi më organizuan një festë, pa marrë parasysh faktin se në Bosnjën lindore dhe në luginën midis republikave socialiste të Bosnjës dhe Serbisë, myslimanëve boshnjakë ose boshnjakëve, tashmë po ndodhte spastrimi etnik, i cili kryhej nga forcat nacionaliste serbe.

Më herët atë dimër, as tmerret e rrethimit të Vukovarit në Kroacinë fqinje nuk i kishin ndaluar familjet e Sarajevës që t’i çonin fëmijët e tyre për ski. "Nuk mund të ndodhë këtu, nuk mund të na ndodhë ne”, ishte një shprehje që e dëgjoje përditë. Mbaj mend se si në festën time të ditëlindjes, një nga baballarët e shokëve të mi, një kolonel i Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë, i mori prindërit e mi mënjanë dhe u tregoi për rrezikun e afërt. Prindërit e mi e dëgjuan me mirësjellje paralajmërimin e tij. Por më vonë, po atë mbrëmje, ata ishin duke qeshur me fjalët e tij, siç qeshet me ato që thotë një i çmendur. "Lufta është e pamundur të ndodhë këtu", mendonin ata, duke besuar në faktin se pluralizmi karakteristik i Bosnjës do të ishte shpëtimi ynë. Për më tepër, ne jetonim në rrugën “Vëllazëri dhe Unitet”.

Padyshim, ata gaboheshin. Udhëtimi ynë dyjavor për të vizituar dajën “derisa gjërat të qetësohen” u kthye në një odise katërvjeçare në kërkim të një strehimi, ndërsa babai im qëndroi në shtëpi. Ndërkohë, Sarajeva jonë rrethohej vazhdimisht. Snajperët e serbëve të Bosnjës nuk bënin dallime midis objektivave ushtarakë dhe fëmijëve që luanin në rrugë. Më në jug, qyteti i Mostarit do të gjendej i rrethuar në të njëjtën mënyrë. Banja Luka, qyteti i dytë më i madh i vendit, u spastrua sistematikisht nga ata që nuk ishin serbë dhe të gjitha xhamitë e tij u shkatërruan, duke përfshirë Ferhadijen, një objekt i trashëgimisë botërore, i mbrojtur nga Unesco. Vendi u bë dëshmitar i kampeve të torturës, përdorimit të përdhunimeve si armë lufte, ekzekutimeve masive të të burgosurve përfshirë fëmijët, një orgji e dhunës që kulmoi me gjenocidin në Srebrenicë, ku mijëra u vranë në vetëm 10 ditë. Dhe mesazhi nga bota dukej sikur ishte që ne ishim të vetëm në gjithë këtë - vëllazëria, uniteti dhe vetë jeta ishin mallkuar.

Familja ime u ribashkua në vitin 1996. Apartamenti ynë ishte shkatërruar dhe babai i kishte shpëtuar vdekjes për një fije. Së bashku me shumë të tjerë, ai u bë statistikë. Sipas shifrave zyrtare, 400 000 deri  1,7 milionë boshnjakë vuajnë nga çrregullimet e stresit postraumatik. Nëse patën fatin të mbijetonin, mirë është edhe kaq.

Një nga kujtimet më të gjalla që kam për kthimin tonë është ai kur pashë varrezat e qytetit për herë të parë pas gati katër vjetësh. Një det me shtylla mermeri ishte përhapur nëpër kodrat fqinje, secila një monument për tragjedinë e dikujt. Me 130 000 të vdekur dhe 2.2 milionë refugjatë dhe të shpërngulur brenda vendit, askush nuk mbeti i paprekur nga konflikti. Por njerëzit u përqëndruan te rindërtimi - shtëpitë e tyre, jeta e tyre, vendi. Vazo lulesh mund të shiheshin në çdo ballkon dhe dritare në ato ditë. Bosnja u përfaqësua në Lojërat Olimpike dhe mori pjesë në konkursin e këngës në Eurovizion.

Megjithatë, në një vend ku paqja u ndërmjetësua vetëm për të parandaluar tmerre të tjera dhe ku lufta nuk kishte fitues të qartë, nuk mund të kishte fund të lumtur. Një aparat i rëndë shtetëror me 14 nivele të qeverisjes dhe asnjë strategji të qartë pajtimi e la të hapur derën për vazhdimin e politikës së lojës me zjarrin etno-nacionalist dhe për korrupsionin endemik. Privatizimi i kompanive shtetërore u dëmtua nga nepotizmi, klientelizmi dhe keqpërdorimi në përmasa të mëdha. Papunësia e të rinjve është rritur gjatë 5 viteve të fundit, duke arritur kulmin në 57.5%.

Pothuajse 25 vjet pas përfundimit të luftës, qytetarët boshnjakë janë në varfëri, me rreth 23% që vlerësohet se jetojnë nën kufirin minimal të saj. Kjo ka çuar në një eksod të ri masiv. Vetëm në vitin 2016, një vlerësim nga Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike deklaroi se 80 000 boshnjakë kishin fituar të drejtën për të punuar në vendet e BE-së. Aktualisht, qindra mijëra njerëz largohen nga Bosnja çdo vit. Dhe nuk e kthejnë më kokën pas. Nacionalizmi toksik është gjithnjë i pranishëm. Retorika separatiste po përhapet sërish nga Republika Srpska, lideri i së cilës gjithnjë e më shumë këmbëngul që shpërbërja e Bosnjës është e pashmangshme.

Serbia fqinje, e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiç, vijon të zgjerojë arsenalin e saj ushtarak, ndërsa përpjekjet e Republikës Srbska për të formuar një forcë policore ndihmëse dhe shumë të militarizuar kanë alarmuar jo pak, përfshirë Këshillin e Sigurimit në OKB. Qeveria kroate është përfshirë në një skandal pasi shërbimet e saj të inteligjencës thuhet se u përpoqën të armatosnin fshehurazi grupet e vogla islamike në Bosnje, si një mënyrë për të mbështetur pretendimin e pabazuar se vendi është një "vatër e terrorizmit në Evropë". Edhe historia po rishkruhet. Në Kroaci ka një tendencë shqetësuese për zbardhjen e regjimit pronazist të Ustashëve në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë, qeveria e Republikës Srpska manipulon të vërtetën rreth gjenocidit në Srebrenicë. Pjesa më e madhe e këtij revizionizmi politik sponsorizohet nga aktorë të jashtëm malinjë, përfshirë Rusinë. Politika evropiane e ngritjes së supeve nuk ndihmon aspak.

Për ata që ende besojnë te një Bosnjë e vetme dhe e bashkuar, ditët e naivitetit të gabuar kanë mbaruar prej kohësh. Të shenjuar nga përvoja e tre dekadave të fundit, boshnjakët janë dhimbshëm të vetëdijshëm se ky projekt multikulturor dhe multietnik është seriozisht i kërcënuar. Më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për ndihmën e Evropës. Nëse Evropa lejon që Bosnja të bjerë viktimë e forcave etno-nacionaliste, ajo do të vulosë fatin e saj, si edhe tonin. 

TemaTv/ The Guardian / Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.