2017-a shpjegon frikën për zgjedhje pa opozitën

Postuar në 03 Qershor, 2019 00:50
Skerdilajd Zaimi

 

U bënë javë tashmë që opozita proteston, kurse pushteti po përpiqet të adaptohet. Vetëm këtë javë të fundit, kryeministri i vendit vendosi të ndryshojë taktikë për të kaluar nga kërcënimet për zbatim ligji që nuk e zbatoi kurrë, te ftesa për dialog. 

Kryeministri ka një arsye shumë të madhe për të shmangur zgjedhje pa opozitën më 30 qershor. Kjo arsye buron apo është procesi zgjedhor i vitit 2017 kur pasi neutralizoi me marrëveshje të orës së fundit protestën e opozitës së ngujuar në Çadër, zoti Rama hyri i qetë në një garë të paravendosur ca nga dobësia e PD-së, aq edhe nga mënyra sesi z. Basha ra në grackën e një marrëveshjeje që u lexua si braktisje e rolit të opozitës. 
Por kjo garë e qetë e siguruar nga mesazhi elektoral i bashkëqeverisjes PS-PD u shndërrua në problem akut pas zgjedhjeve kur z. Rama mori mandate mjaftueshëm për të qeverisur i vetëm. Ai nuk guxoi të kërkonte koalicion me PD-në për shkakun e thjeshtë se kërkesa e tij formale për të shndërruar tepsinë në timon u miratua. 

Kanë kaluar dy vjet dhe qeveria e Timomit është përballur me akuza të shumta për korrupsion, me skandale flagrante si ai i DH Albanias, me problemin e theqafjes së ekonomisë me koncesionet që lexohen se janë akte privatizimi dhe klientelizmi të ekonomisë kombëtare dhe me një seri protestash serioze. Zoti Rama do të ndajë pushtetin, shpresonte ta bënte këtë gjë si detyrim të votës që në vitin 2017 për shkakun e thjeshtë se ai filozofinë e tepsisë e njeh më mirë se kundërshtarët e tij dhe aty fiton. Por paradoksalisht nuk mundet ta bëjë këtë për shkak të mekanizmit të sistemit. Ai shpiku bashkëqeverisjen me njerëzit, një formë nga më mediokret të paralelizimit të institucioneve dhe ligjit që ka dalë jashtë loje, ndërkohë që sot është para sfidës shkatërruese të marrjes nën sqetull të të gjitha njësive administrative. 

Është një pushtet të cilin PS-ja nuk e mban dot, të cilin z. Rama edhe sikur të dojë nuk e menaxhon dot pasi vertikalizimi ekstrem në ushtrimin e tij bën përgjegjës direkt kryeministrin për çdo incident. Herët apo vonë qeveria e tij do të jetë përballë shqiptarëve që do të jenë në listë pritjeje të socialistëve. Që do të kenë përballë vetëm një mur për të rrëzuar dhe me llogari historike që nuk parashikohen dot. Ky akumulim inflacionar i pushtetit kërcënon në fakt edhe stabilitetin e brendshëm të vetë PS-së e cila gëlon nga klane, grupe dhe lidhje nga më të ndryshmet që nuk do të lejonin që një njeri i vetëm, apo një seri aksidentesh të çojnë në monopolizim të këtillë. 

Z. Rama duket se e ndjen këtë frikë edhe për faktin se karriera e tij është udhëhequr nga një filozofi e thjeshtë, thuajse banale: Ndryshim! Por duke e ofruar atë si kontrast imazhi, jo vizioni. Për këtë arsye në ngjitjen e tij atë e kanë ndihmuar shumë naiviteti dhe dështimi i socialistëve, por sidomos tribalizmi politik i Sali Berishës ashtu siç ai perceptohet. Por kjo lojë mbaron këtu. Me fushën bosh dhe me rrenat e mirënjohura të një loje që është përsëritur pafundësisht.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.