Zgjedhjet nuk legjitimohen me letra dhe nga një njeri i vetëm

Postuar në 01 Qershor, 2019 10:35

Edi Rama u është drejtuar sot demokratëve me një letër publike në të cilën zhdërvjelltëson me sintaksën e vet të zakonshme lojën e zgjedhjeve të vitit 2017. Çështja është te legjitimiteti i procesit zgjedhor pa opozitën që përbën në fakt pikën kritike në situatën e tanishme politike në vend.

Ndër të tjera z. Rama shkruan: 

Kam dëgjuar shpesh pyetjen: A mund të bëhen zgjedhje demokratike pa opozitën?
Zgjedhje demokratike do të thotë që të gjithë të gëzojnë të drejtën të zgjidhen. Por nëse përjashtimi në çfarëdo forme i opozitës nga zgjedhjet i bën ato antidemokratike, vetëpërjashtimi i një partie kryesore nga zgjedhjet nuk i bën ato jodemokratike.
Prandaj unë e ngre ndryshe pyetjen: A mundet që zgjedhjet demokratike të bëhen vetëm nëse do opozita?

Siç mund të shihet kryeministri luan me gjysmë të vërtetat pasi formalisht dhe në asnjë rast opozita e tanishme nuk ka thënë se nuk do zgjedhje. Opozita e tanishme që ka dorëzuar mandatet ka kërkuar garanci për një proces të dretë te largimi i z. Rama, i cili nuk ka patur deri më sot aftësinë e shtetarit për të zgjidhur situata të rënda për vendin, duke mos lejuar që gabimet e të tjerëve – nëse mund t’i quajmë kështu – të cenojnë besimin e publikut te qeveria dhe mazhoranca. 

Çfarë e ri t’i vëmë sjelljes politike të z. Rama në rastin Tahiri? 
Çfarë emri t’i vëmë qëndrimit të z. Rama për përgjimet e evidentuara në dosjen 339 ku rezulton Vangjush Dako në aksion energjik për mbledhje votash në mëyrë jokonvencionale? 

Nëse kryeministri do të kishte menaxhuar siç duhet këto situata, atëherë edhe strategjia opozitare do të ishte zhvlerësuar. Dhe aq më shumë merr vlerë kjo kur përditë dëgjojmë se ata që do cenojnë zgjedhjet do dënohen penalisht, kurse z. Dako mbrohet deri në fund. 
Le ta bëjmë edhe në pyetjen tjetër: A mund të ketë zgjedhje demokratike dhe të ndershme pa u dënuar këta njerëz? Zgjedhjet nuk mund të zhvillohen nën garancitë personale të një njeriu. Ato kërkojnë kuadër ligjor dhe besim. I pari ekziston, i dyti jo. Por pa njërin nuk ka proces të rregullt. 

Në parim argumenti i z. Rama qëndron. Zgjedhjet nuk janë demokratike pse do njëra palë. Por zgjedhjet nuk mund të jenë demokratike nëse njëra palë që është provuar se manipulon vijon të jetë pjesë e administrimit. Vjedhja e zgjedhjeve nuk është aventurë kandidatësh. Ajo ka qenë përherë vullnet politik, ndaj edhe përgjegjësia që kërkohet është politike. 

Sigurisht ka diçka histerike te sjellja e një opozite që ishte në qeveri dhe mbikëqyrte zgjedhjet të cilat tani pretendon se ia vodhën. Por megjithë këtë, opozita e ka njohur rezultatin dhe po flet për një proces të ri. Është detyrë e shumicës të davarisë çdo dyshim sidomos kur ai bëhet premisë për ndërtimin e strategjive si kjo e refuzimit për pjesëmarrje. 

Letrat e publikuara së fundmi janë asgjë më shumë sesa manovra imazhi për z. Rama. Që e di shumë mirë se PD-ja dhe LSI-ja ja dolën, me aftësi apo fat, që të realizojnë një objektiv: të bindin shumëkënd se z. Rama është një ndër njerëzit kryesorë të krizës aktuale. 
Jo vetëm për dosjen 339, por edhe për koncesionet me 20 milionë euro për km, të cilat duket sikur nuk kanë lidhje me këtë që po ndodh, por në fakt janë një ndër gjeneratorët e pakënqësisë, shkak i mjaftueshëm që shumëkush të kërkojë largimin e këtij njeriu.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.