Një ofertë që mund ta pranonte vetëm Lulzim Basha

Postuar në 24 Maj, 2019 01:41

Prej disa ditësh kryeministri Edi Rama ka nisur publikimin e disa letrave adresuar kreut të PD-së, Lulzim Basha përmes të cilave njofton shqiptarët se ai është gati për dialog pa kushte. 
Ky është thelbi që nuk duhet të na ngatërrohet me ornamentet leksikore të kryeministrit që e përmbyt çdo propozim me këneta fjalësh pa ndonjë vlerë. 

Duhet kuptuar se “oferta” e z. Rama nuk ekziston. Letrat dhe dialogu janë thjesht një mënyrë për të kufizuar tempin e aksionit opozitar duke synuar të shesë frymë konstruktive përballë destruktivitetit të opozitës. Këtu duhet të mbajmë parasysh se një ndër arsyet pse z. Rama po kërkon të ulet në tavolinë është jo vetëm synimi tinzar për të diskredituar z. Basha dhe vlerën e aksionit të tij me njollën e vitit 2017, por edhe sepse tanimë qeverisë shqiptare po i kërkohet zyrtarisht që të menaxhojë situatën që I është krijuar. 

Njësoj sikur në kohën kur kryeministri ndërmori turin e tij në mediat italiane pas protestave të para të opozitës, edhe tani atij i duhet të sigurojë miqtë e vet të huaj se ka vullnetin dhe aftësinë ta zgjidhë problemin. 

Mirëpo ajo që ka vlerë sot, nuk kishte dje. Në vitin 2017 opozita e drejtuar nga z. Basha arriti fitore për llogari të brendshme, por tradhëtoi një premtim dhe detyrim publik që i krijoi kosto. Z. Basha konsolidoi pozitat në parti, por la në baltë njerëzit që ishin pas tij për teza opozitarizmi real. 
Ky gabim fatal peshon sot mbi aksionin opozitar, madje mund të thuhet se PD-ja erdhi në qëndrimet e sotme me legjitimitet për shkak të kërkesës së vazhdueshme të një pjese të opinionit dhe medias për opozitarizëm të vërtetë. Është ky legjitimitet dhe plaçkitja që po i bëhet vendit që relativizon akuzën se protestat udhëhiqen nga frika e reformës në drejtësi. 

Të gjitha këto kanë krijuar një rrethanë cilësisht të re. Z. Basha nuk e ka më luksin që të shesë opozitarizmin për leje ndërtimi. Atij i duhet të mbajë të pacenuar shfaqjen e dhënë deri më tani. Për këtë arsye oferta e z. Rama nuk vlen sepse ajo nuk ofron asgjë në realitet, përveçse një takim që bëhet në kushtet kur kryeministri ka organizuar plotësimin e Parlamentit me opozitarë virtualë. 

Kriza është pra politike, qeverisëse, parlamentare dhe institucionale. Ajo është edhe publike dhe sociale me protestat që po zhvillohen. Opozita i është bindur apelit të një pjese të shoqërisë që e sheh shkakun e saj te qenia e Edi Ramës në karrigen e kryeministrit. Çdo çedim nga ky qëndrim do të prodhonte kosto politike të pariparueshme sepse nuk ka aty asgjë me interes apo për interesin publik. Kryeministri e di këtë dhe mu për këtë bën një ofertë pa ofruar gjë, veçse shkatërrimin e PD-së dhe aneksimin e saj. Të gjitha këto burojnë nga pasiguria që mbjell z. Basha i cili sot ka një arsye fare elementare për të refuzur çdo tavolinë me z. Rama: ai kërkon pushtetin të cilin kundërshtari nuk mund t’ja japë, kërkon për pasojë ndryshimin në kryeministri që do të sillte realitet tjetër në PS. Jemi pra para një oferte me vlerë Zero që nëse pranohet – dhe nuk është çudi me z. Basha – do të rikonfirmojë kënetëzimin e politikës shqiptare – me teatrin e një revolucioni.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.