Punë, shtet, mirëqenie - Jo. Ikje në masë - Po

Postuar në 21 Maj, 2019 21:55
Skerdilajd Zaimi

 

Revista gjermane “Spiegel” i ka lënë hapësirë një profili të kreut të partisë më të madhe opozitare greke, Kyriakos Mitsotakis, të cilin e quan favorit potencial për të qenë lideri i ardhshëm i Greqisë. 

Shumë vëzhgues besojnë se Mitsotakis është serioz në qëllimet e tij, por ata ngrenë dyshime nëse ai do të bëjë diçka më shumë se Tsipras në planin e reformave

thuhet në shkrim.

Mitsotakis betohet se do të thyejë traditën shekullore greke të favoritizmit, ndonëse premtime të këtilla janë po aq të vjetra se vetë tradita në fjalë

vijon shkrimi. 

Aty përmblidhen problematikat e Greqisë, përfshirë rritjen e ngadaltë ekonomike. Gazetari grek që ka shkruar profilin sjell në vëmendje edhe çështjen e emigracionit grek që është rikthyer si problem, njësoj si në disa vende të rajonit tonë përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. 
Për ilustrim sillet një episod i Mitsotakis me dy gra në Serres që i treguan se fëmijët e tyre po mësojnë gjuhë të huaja në mënyrë që të largohen nga vendi. Opozitari grek jep një përgjigje që duket demagogjike: 

Unë dëshiroj që të rinjtë grekë të mësojnë gjuhë të huaja si një aset dhe nëse ata emigrojnë, ta bëjnë këtë për zgjedhje jo për nevojë

duke shtuar se rindërtimi i vendit kërkon përqendrim të burimeve njerëzore jo rrudhje të tyre. 

Përgjigja e Mitsotakis, ndonëse demagogjike është të paktën vullnet mirë dhe nuk është kategorike. Sepse vetë emigrimi është një dukuri e përgjithshme që nuk ka ilaç. Por ai është sfidë për vende të vogla si këto të rajonit tonë dhe që nuk është se janë të azhurnuara me zhvillimet apo perspektivën e shekullit që jetojmë. Shkurt: Greqia ka një problem me emigrimin dhe liderët e saj e pranojnë këtë gjë. 

E njëjta gjë shihet në Serbi. Presidenti serb, Vuçiç, ka folur shpesh së fundmi për katastrofën demografike, duke sponsorizuar financiarisht familjet me disa fëmijë. Pak ditë më parë, kryetari i sapozgjedhur i Akademisë Serbe të Shkencave, Vladimir Kostiç fliste me të njëjtin shqetësim, madje shkonte më tej. Sipas tij edhe migrimi i brendshëm, përqendrimi i popullsisë kryesisht në Beograd, çon në boshatisje të zonave rurale që janë në fakt pjesë esenciale e ruajtjes së identitetit kombëtar i cili shihet si më shumë se kurrë i nevojshëm për mbijetesë në një shekull që i rrafshon ato. 

Edhe Kosova, që ka në krye njerëz që thjesht shohin punët e tyre ka vlerësuar se emigrimi është problem serioz që duhet zgjidhur. 
Shqipëria bën dallim. Është rast përjashtimor me kryeministrin që ka. Z. Rama jo vetëm që nuk e sheh ikjen masive të shqiptarëve si problem, por përkundrazi, e konsideron atë si shprehje të lëvizjes së lirë. Duke harruar se ai lëvizje  e lirë e gjeti mes Nesh, nuk e solli. 

Është e vërtetë që njerëz që ikin do ketë përherë. Dhe se ata që ikin nuk ikin ngaqë nuk kanë punë në Shqipëri. Por në fund ikja është problem dhe do parë si e tillë në kompleksitetin e vet duke e klasifikuar si një ndër sfidat që duhen trajtuar. Sigurisht që kjo nuk bëhet as me manovra imazhi siç është krijimi i një ministrie për Diasporën. Qeveria e z. Rama  e ka më të thjeshtë që të pranojë policë të të gjitha kombësive që të kontrollojnë kufijtë për të mos lejuar ikjen e “shqiptarëve të padenjë” për Europën, ndërkohë që vetë e inkurajon ikjen si shprehje të lirisë. Një sjellje e ngjashme me atë të një skafisti që sapo sheh se po afron policia spiunon vetë klientët. 

Çështja këtu është se kryeministri në asnjë rast nuk ka pranuar të argumentojë me të dhënat që ka dhe statistikat që disponon se me çfarë lloj emigrimi kemi të bëjmë, cilat janë kategoritë që janë prekur më shumë dhe cilat pritet të jenë pasojat. Z. Rama ka detyrim ta bëjë këtë jo vetëm pse ka një përgjegjësi morale dhe politike, por sepse ikja në masë e njerëzve prek direkt një prioritet të shpallur të programit të tij: zhvillimin e Bujqësisë. 

Kryeministri ka zgjedhur të flasë në mënyrë relativizuese duke sjellë si kundërshembuj largimin e polakëve, rumunëve dhe numrin e atyre që kthehen. Por shifrat nuk është se po përmirësohen, ndërkohë që Rumania ka 20 milionë banorë kurse Polonia 39 milionë banorë. 
Natyra e problematikave të Shqipërisë i afrohet natyrisht atyre të vendeve fqinj dhe është mirë që të paktën të huazojmë prej tyre përgjegjësinë formale të drejtuesve në Serbi, Kosovë dhe Greqi ndaj shoqërive të veta. Retorikat, alibitë dhe invencionet skenike nuk hyjnë në punë në këtë rast pasi neglizhenca dhe ikja nga përgjegjësia në këtë rast, apo mosnjohja e tyre, është një formë bashkëqeverisjeje origjinale: bashkëqeverisje që të ikim sa më shpejt dhe pa probleme

Punë, shtet, mirëqenie. Kjo është deviza e këtij mandati. Do të duhet që ta gjenin veten shumë mirë të gjithë qytetarët në këtë devizë, por ja që nuk ndodh kështu. E kundërta madje. E kundërta ndonëse askush nuk ka patur iluzionin se z. Rama është ndonjë magjistar, profesion apo zanat që siç shprehet vetë nuk e ka me shumë qejf. Thjesht pritej të ishte më i sinqertë në pranimin e disa dështimeve siç është ky i krizës migratore, e shumëfishuar ca nga kjo sjellje politike, ca nga injoranca që dëshmohet kur liria e lëvizjes ngatërrohet(apo shitet) me lirinë për të mbijetuar dhe shpëtuar nga një Shqipëri me këtë fytyrë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.