Lajmet e rreme për një papë që gjithnjë ka dalë në mbrojtje të jetës

Postuar në 20 Maj, 2019 15:45
Claudio Magris

Fake News është prej kohësh një nga fjalët që e dëgjojmë shpesh. Në momentin që marrim një lajm, gjëja e parë që duhet të bëjmë është të pyesim nëse është fals apo jo. Teknikat e falsifikimit janë të shumta. Rasti më i rëndë është njoftimi për një ngjarje, një fatkeqësi apo sulm që nuk ka ndodhur kurrë; atribuimi i një krimi apo një manovre kriminale personave ose grupeve që nuk janë përgjegjëse për të ose përgjegjësia e të cilëve nuk është konstatuar me siguri, si në rastet e masakrave çnjerëzore. Gënjeshtra  të turpshme, por efektive në zhurmën e tyre imponuese.

Ekziston një teknikë tjetër efektive: censurimi i njoftimit të një ngjarjeje ose fakti, dhënia e një versioni të gjymtuar, pas heqjes së disa elementeve themelore; duke përmendur vetëm ato aspekte që i shërbejnë tezës që dëshiron të mbështetësh ose rezultatit që do të arrish me anë të informacionit në fjalë. Ky operacion kirurgjik shtrembëron rrënjësisht kuptimin e asaj që thuhet ose shkruhet. Nëse jepet lajmi se një njeri ka qëlluar me armë një tjetër, është e rëndësishme të dini nëse rastësisht ky i fundit ka pasur gjithashtu një pistoletë apo po përgatitej të hapte zjarr. Një shembull i deformimit të tillë përmes censurimit të disa elementëve është ai i agresioneve të njëanshme të mediave ndaj Papa Françeskut I, i sulmuar si kundërshtar i traditës së krishterë, sabotues i strukturës dymijëvjeçare të Kishës, të hierarkive dhe të vërtetave të saj.

Cila është thelbi i këtyre anatemimeve? Kur Papa Françesku flet për vuajtjet e njerëzve, të të gjitha qenieve njerëzore të ekspozuara ndaj vuajtjeve dhe padrejtësive të pahijshme, ai bën vetëm shpalljen, siç është detyra e tij, mesazhin e Ungjillit, fjalët e Jezusit, i cili ka thënë se do të refuzojë dhe do të dënojë ata që u kanë mohuar ndihmën të vuajturve, nevojtarëve, të uriturve, të eturve dhe të pastrehëve; sepse me këtë indiferencë, ata e mohojnë edhe atë vetë. Ideja e Papa Françeskut për Europën, e përsëritur disa herë nga ai, është ideja e një Evrope solidare, laike dhe të krishterë në atë që ka qenë krishterimi ai që hodhi poshtë absolutitetin totalitar të pushtetit dhe afirmoi të drejtat e patjetërsueshme të çdo individi përballë çdo pushteti. Në një ese të fuqishme të kohëve të fundit, Dario Antiseri, një dijetar dhe filozof liberal, e thekson me forcë këtë.

Por, kur Papa Françesku ngriti zërin në mbrojtje të emigrantëve, për shembull, viktima të të gjithëve dhe të përdorur shpesh nga të gjithë për propagandë politike të turpshme, ai u tall dhe u sulmua nga demagogë të egër dhe çnjerëzorë. Madje arritën deri aty sa e përkufizuan si agjent në shërbim të një projekti të lig për një rend të ri, që i nënshtrohet një financimi të madh spekulativ dhe të globalizuar, krijues i një njerëzimi të homogjenizuar dhe të paqartë. Papa Françesku bëhet kështu një personazh si në romanet e James Bond, një prej atyre “zontërinjve të të keqes”, i kamufluar, në krye të shoqatave misterioze pak a shumë sekrete, që planifikojnë shkatërrime apokaliptike.

Siç zbulojnë këto akuza ngjitëse, barbarizmi është shpesh edhe i mjerë. Për më tepër, të ngrihesh me zhurmë ndaj papëve - krejt ndryshe nga kritika e respektueshme, por edhe e dobishme ndaj një papati apo një tjetri – loja e preferuar në Luna Parkun e pistët në të cilën jetojmë. Katër gjuajtje - një grusht para, na ftojnë. Kjo i ka ndodhur edhe paraardhësit të Papa Françeskut, Benediktit XVI, i bërë objekt i shumë paragjykimeve të pahijshme, të cilave, ai si dijetar i madh dhe intelektual ndoshta e pati të vështirë t’u përgjigjej me vrazhdësinë që meritonin, njësoj si bariu që merr shkopin për t'i larguar ujqërit. Nuk e kam kuptuar kurrë, për shembull, se përse ata që kundërshtonin Benediktin XVI për qëndrimin e tij kundër martesave të së njëjtës gjini, nuk e ndien për detyrë për të gjuajtur së paku me domate, por ndoshta edhe objekte të tjera, dritaret e ambasadave të atyre vendeve ku - siç dokumentoi një fotografi e frikshme në “Corriere della Sera” disa vite më parë - homoseksualëve u është prerë koka.

Lajme të rreme janë edhe lajmet e pjesshme. Shpesh Papa Françeskun e akuzojnë për prishjen ose ndryshimin e traditës katolike. Rodolfo Quadrelli, intelektual, poet dhe katolik i lidhur ngushtë me traditën - të cilën ai gjithmonë shkruante me shkronjë të madhe – shkruante para disa vitesh se, si tradicionalistët e prapambetur, edhe progresistët e zellshëm e mohojnë vitalitetin e Kishës: të parët sepse e konsiderojnë të ezauruar dhe për këtë arsye të vdekur pas shekujve të parë, të dytët sepse e shohin fillimin te modernizmi, duke mohuar në bllok lidhjen me shekujt e mëparshëm.

Ka nga ata që e akuzojnë Papa Françeskun dhe katolikët e përfshirë në ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë - jo vetëm emigrantët e bllokuar në det ose që janë hedhur në brigje – se ka lënë pas dore vlerat dhe mbrojtjen e jetës në të gjithë spektrin e saj, që nga rrahjet e para të zemrës në barkun e nënës deri në të fundit në shtratin e vdekjes. Pse nuk përmendin fjalët dhe paralajmërimet e Papa Françeskut mbi abortin dhe praktikën që ai e ka cilësuar si "vrasje me dorën e një njeriu të paguar”, fjalë të qarta dhe që rrallë dëgjohen? Gjithashtu në këtë rast, mosveprimi ose censura e një aspekti të realitetit që merret në shqyrtim e ndryshon dhe e falsifikon atë realitet. Fake news, no news! 

/Corriere della Sera /TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.