Mbyllja e portaleve pa NIPT, propagandë nga AKEP

Postuar në 19 Maj, 2019 21:44

Më 15 tetor të vitit të kaluar, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare paralajmëroi 44 portale që të regjistroheshin pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit si dhe NIPT-in ta paraqisnin në faqen kryesore në opsionin kontakt. Në njoftimin zyrtar thuhej se portalet kishin vetëm 72 orë kohë për t'u regjistruar, në të kundërt AKEP do të mbyllte çdo portal online që rezulton i paregjistruar në QKB.  Në listën e publikuar përfshiheshin edhe media nga Kosova, fakt që krijoi edhe shumë pakënaqësi më pas. Por ndërkohë që kanë kaluar më shumë se 7 muaj nga ky njoftim, thirrja e AKEP nuk ka gjetur realizim në pothuajse 50% të portaleve. Vetëm me një vëzhgim të thjeshtë nga TEMA TV vërehet se 18 prej portaleve që ishin prezent në listën e AKEP nuk e kanë të publikuar niptin në faqen e tyre, ndërsa 8 faqe janë të bllokuara. TemA TV në një shkresë zyrtare dërguar AKEP lidhur me këtë çështje është informuar nga ky institucion se  pas njoftimit të dytë, portalet kanë reaguar pozitivisht dhe kanë paraqitur NIPTIN në faqen e tyre.

“AKEP ka konstatuar se një pjesë e subjekteve kishin NIPT-in, por nuk e kishin publikuar në faqen e tyre të internetit dhe nuk e kishin përditësuar në AKEP. Në një njoftim të dytë, AKEP ka verifikuar që poseduesit e portaleve kanë reaguar pozitivisht duke paraqitur numrat e tyre të NIPT-it”, thuhet në përgjigjen e AKEP.

Po ashtu, në përgjigjen e dhënë AKEP pohon se edhe portalet nga Kosova e kanë paraqitur NIPTIN në faqen e tyre.

“Të gjitha portalet e listës me posedues jashtë Shqipërisë kanë paraqitur numrin NIPT në AKEP, NIPT- in vendit ku ushtrojnë aktivitetin tregtar”, thuhet më tej në shkresë.

Ndërkohë, mediat online nga Kosova si Insajderi.com, Sovrani.info, lajmi.net, gazetaimpakt.com, ina.online.net, Botasot.info, ende nuk e kanë bërë publike në faqen e tyre NIPT-in, pasi që në fillim ky vendim është kundërshtuar nga këto portale duke e konsideruar madje skandaloz. Pavarësisht kësaj situate, Autoriteti i Komunikimeve  ende nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese madje në shkresë thekson se ka patur një bashkëpunim të mirë me portalet dhe për këtë arsye nuk ka qenë e nevojshme aplikimi i sanksioneve. 

Por me përgjigjen e vet Autoriteti zbulon se ka shkelur ligjin që mbron vet, ndërkohë që gënjen hapur dhe publikisht për listën e portaleve të cilëve iu kërkua publikimi I NIPT-it në faqe. Në një pjesë të përgjigjes, AKEP thotë se ai vetëm regjistron domaine dhe nuk mund të shqyrtojë përmbajtjen e faqeve.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) administron domainin “.al”, bazuar ne piken k) te nenit 8 te Ligjit Nr. 9918 date 19.5.2008 “Per komunikimet elektronike ne Republiken e Shqiperise” i ndryshuar dhe Rregullores Nr. 2 date 21.02.2008, “Per regjistrimin dhe administrimin e emrave te domain-eve nen “.al”” e ndryshuar. Pra AKEP regjistron vetem emra domainesh me .al. Portalet, jane faqe interneti tendertuar me domaine me “.al” ose jo me “.al”, sic jane .com, .info, .net, etj.

Ne nenin 2, pika 1, te Ligjit Nr. 9918 date 19.5.2008 “Per komunikimet elektronike ne Republiken e Shqiperise” i ndryshuar, citohet: “Ky ligj nuk zbatohet per permbajtjen e sherbimeve te ofruara nepermjet rrjeteve te komunikimeve elektronike”. Bazuar ne kete percaktim ligjor, AKEP nuk mund te shqyrtoje permbajtjen e faqeve te internetit apo permbajtjen e portaleve online, qofte ato te ndertuara me domain “.al”, qofte ato te ndertuara mbi domaine te tjera siç jane domainet .com, .info, .net, etj.

thuhet në përgjigje.

Po si e zbuloi dhe mbi çfarë të drejte ligjore AKEP autorizoi veten të konsideronte portale vetëm 44 faqet të cilat i shpalli si listë e të parregulltëve.

Lista e publikuar ne faqen web ka te beje me nje pune te nisur nga AKEP qe ne muajin dhjetor 2017 te perditesimit te te dhenave nga poseduesit e domaineve .al, pra shume kohe perpara se te publikohej ajo liste.  AKEP ne njoftimin e tij ka sqaruar qe nga analiza e problematikes se shfaqur rezultonte se nje pjese e domaineve nuk jane te regjistruar ne emrin e perdoruesit po jane regjistruar ne emer te Regjistruesve te licencuar nga AKEP, individe, etj..

vijon përgjigja.

Është e qartë se kemi të bëjmë me një Autoritet që vepron në mënyrë selektive, me urdhëra që i vijnë nga lart dhe mandej veprohet për të gjetur rrugët ligjore për të përligjur aktet. Pa folur këtu se AKEP gënjen kur thotë se nuk ka patur nevojë të marrë masa. Thjesht urdhëri i tij nuk u zbatua prej të gjithëve për shkak se është i pabazuar në ligj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.