Do zbatohet Ligji?! Një paralajmërim shumë më serioz sesa qeveria e mburravecëve

Postuar në 17 Maj, 2019 12:28

Politika është kthyer në një fatkeësi argëtuese në këtë vend. Përfaqësues të pushtetit, aksidente të tranzicionit që shfaqen në paradën e statistëve të vetëshpallur dalin përditë për të thënë gjëra pa kuptim dhe që është e qartë se nuk iu përmbahen dot. Një ndër figurat më komike, kurioze madje për nga lehtësia e shfaqjes dhe manipulimit të vetes me ide madhështore, është ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Sot ministri ka bërë një paralajmërim që duket serioz.

Kushdo që del nga binarët e arsyes dhe thjesht mendon që mund të cenojë të drejtën ligjitime dhe sovrane të qytetarëve shqiptarë për të votuar, të jetë nën kujdesin ligjor të Policisë, në mënyrë që asgjë të mos ngelet e paditur, e paevidentuar dhe e pandëshkuar në ato raste që ndërshkimi do të jetë i merituar.

Besoj se do të jetë pak ose aspak, por dhe sikur një rast i vetëm që dikush guxon të sabotojë ngjarjen më të rëndësishme, në momentin më të rëndësishëm të vendimmarrjes së popullit shqiptar që është votimi, do të japë llogari përballë ligjit

ka thënë ai nga Korça.

Është një parajmërim më serioz sesa vetë qeveria që e artikulon. Ka prova konkrete për këtë.  Kjo është një qeveri që ka si moto të vetën shtetformimin, ligjin. Por që përgënjeshtron atë sapo i duhet ta zbatojë ligjin, ta bëjë atë standard të jetës publike.

Kjo është një qeveri, ndoshta e para në histori, që e zbaton ligjin natën. Prishi një kishë në Dhërmi natën, hoqi ca mbishkrime nga Teatri Kombëtar natën, hoqi një tabelë dygjuhëshe në Finiq natën. Madje edhe studentët grevistë në Tiranë i nxori natën jashtë godinës.

Nata asociohet me shkeljen e ligjit jo me zbatimin e tij. Dita, pra vizibiliteti është domosdoshmëri për një shtet që këron që ligjin ta bëjë normë dhe kulturë. Veprimet nëse janë ligjore kryhen ditën. Dhe konfrontimi në kësi rastesh është i mirëpritur sepse nëse një qeveri ka në dorë ligjin, ndërkohë që qytetari ka të drejtën e vet në Gjykatë, marrëdhënia është transparente dhe nuk ka nevojë për errësirë. Mund të ketë padrejtësi, por këto nuk i zgjidh nata dhe fshehtësia, por Gjykata.

Cila qeveri mund të ndërtojë shtet bazuar mbi hilenë ndaj qytetarëve të vet? Asnjë qeveri.

Ky ministri që flet nga Korça në emër të ligjit, nuk diti p.sh, apo nuk ia mbajti, bashkë me eprorin e vet që të thoshte se Sahit Dollapi u godit në kushtet e një proteste dhe në mënyrë të ligjshme pasi ndodhej para një institucioni dhe nuk iu përgjigj kërkesës së policisë. Zotëria doli e kërkoi falje, ndërkohë që z. Dollapi ka të drejtën e ankimit në gjykatë. Po ku ndodh kjo? Vetëm në Shqipëri, ku protesta shihet nga qeveria si Instalacion ku çmimi i parë duhet t'i shkojë policisë. 

Po a mbaron vallë tallavaja e qeverisë së shokëve dhe miqve, e cila di vetëm të rrahë ndonjë shitës ambulant? Le ta gjejë ministri gjeneral i cili edhe vetë në detyrë u caktua pas një gallate administrative që nuk ka të dytë në histori.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.