Qetësia e rreme e kryeministrit

Postuar në 14 Maj, 2019 18:03

Dy konferenca shtypi të kryeministrit në tre ditë me plot 180 minuta sqarime për situatën politike dhe një status në rrjetet sociale me mesazhin "Kur do flasim?" 
Dy dalje të stërzgjatura me gazetarët në të cilat Edi Rama është përpjekur të përcjellë përshtypjen se është shumë i qetë, madje i relaksuar edhe me reporterët e terrenit. 

Jo vetëm minutat, por dhe mesazhet nënkuptojnë në fakt një situatë emergjence për kryeministrin. Ai ka përgjegjësinë kryesore për t'i dhënë zgjidhje situatës, të cilën deri në këtë fazë e ka menaxhuar me garancitë dhe despotizmin e Lleshit. Përfshirja emocionale e policisë në protestat e opozitës reflektoi një nervozizëm që nuk lidhet aq me efektivët në veçanti, sa me zyrat zyrat e pushtetit në tërësi.

Laku për zgjedhjet po ngushtohet ashtu dhe presioni ndërkombëtar që palët ta gjejnë vetë zgjidhjen përballë një ekuacioni të panjohur për zgjedhjet e 30 qershorit. Edi Rama ofroi bon sens për kundërshtarin, madje kafe dhe çaj për kryetarin e PD-së gjithmonë me predispozitën se është i hapur për dialog. Por le të kujtojmë që Zoti Rama e nisi karshillëkun ndaj protestave të opozitës me antimitingje që transmetoheshin me regjinë  e ERTV pa lejuar mediat. 

Eksperimenti i opozitës së re nuk funksionoi dhe tani kemi një situatë ndryshe, ku halli dhe stresi i përmbajtur i kryeministrit e detyrojnë të fshehë arrogancën. Ai është futur në kostumin e tij dhe predikon maturi nga zyra e hartave, duke çuar sinjale në fakt për kundërshtarin. Dialogu duket se ka nisur, ndonëse palët nuk janë ulur në tavolinë. Zoti Rama nuk flet për qytetarët, por ka përballë Lulin dhe tashmë zaret janë hedhur ndoshta nga vetë Edi Rama, i cili është duke shpresuar për epilogun e një tjetër farse demokratike. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.