Janë miq të qeverisë, jo të Shqipërisë

Postuar në 13 Maj, 2019 18:21

Nuk mund të vononte reagimi i miqve të qeverisë në Tiranë dhe jashtë. Ambasadat e huaja, Parlamenti Europian, kanë bërë thirrje në bllok që opozita të heqë dorë nga aktet e dhunës, mes të cilave figuron edhe një parrullë kundër ambasadorit të OSBE-së. Në këtë kor të kësaj kolonie dallon padyshim ambasada amerikane: 

Protestat paqësore janë thelbësore për demokraci të shëndetshme dhe e drejta e qytetarëve për t’u mbledhur dhe për të protestuar kundër qeverisë së tyre është themelore. Megjithatë, forca dhe dhuna nuk kanë vend në një proces demokratik. 
Ne dënojmë dhunën e pranishme gjatë protestave të 11 majit në Tiranë dhe përgjegjësit e saj. Dhuna çoi në plagosje dhe dëmtime të pronës, përfshirë edhe dëmtim të vendbanimit së Ambasadorit të OSBE-së.  
Këto veprime të dhunshme ishin të paligjshme dhe jodemokratike. Ne iu bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës, veçanërisht Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, që të dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore. Edhe autoritetet ligjzbatuese kanë përgjegjësi për të vepruar me vetëpërmbajtje, përfshirë edhe rastet kur iu përgjigjen provokimeve. Protestat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike dhe perspektivën e vendit për të bërë përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të zmbrapsen nga përplasjet dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv, që synon t’i japë fund ngërçit politik

shkruan kjo ambasadë. 

Selia diplomatike në fjalë sheh akte dhune, por pa ditur ose pa dashur të shpjegojë se çfarë u dhunua. Selia diplomatike harron se përfaqëson një vend që shpiku termin Pranverë Arabe, ku protetat e dhunshme përkraheshin si frymëzim demokratik. Selia diplomatike në fjalë  merr shqiptarët për budallenj përderisa vendi që ajo përfaqëson ka njohur një president të vetëshpallur nisur mga kritere krejt subjektive. A do ta njohë kjo ambasadë Lulzim Bashën nëse shpallet kryeministër? Sigurit që jo. Ambasada amerikane ka qenë përherë një gjë serioze për shqiptarët që as ja kërkojnë këtë gjë. Por është detyrim moral të paktën që të mbështetet kauza e zgjedhjeve të lira dhe të mos shpallet demokratike një qeveri që me raportet e DASh, pra eprorëve të diplomatëve të ambasadës është e korruptuar në çdo degë. 

Koha po dëshmon se rendi ndërkombëtar, morali i të cilit ndërtohet mbi ekuilibrin deklarativ të selive diplomatike nuk i qëndron kohës pikërisht sepse këto seli përçojnë një politikë kontrolli dhe jo promovimi të demokracisë. Nuk është e tepërt të thuhet se seli diplomatike si kjo e ShBA-së këtu në Tiranë kanë përfuar një tipar reaksionar, sa kohë konservojnë me çdo kusht stabilitetin në kurriz të demokracisë. 

Le të pyesim të gjithë: kë ndihmon mesazhi i sotshëm i ambasadës apo letra e PE-së? Për çfarë shërbejnë këto mesazhe veç se asistencë për qeverinë e z. Rama, më e korruptuara në Europë? Shqiptarëve jo, sigurisht. Qoftë edhe sepse ato u heqin atyre lirinë për të larë llogaritë me një shpërdoures besimi si kryeministri. 

Por e drejta e tyre për të diskredituar veten nuk mund të mohohet. Brrockullat në fjalë janë me zarar sepse janë skenar shtesë në stabilokracinë shqiptare që kërkon në krye të punëve një njeri që i ka duart në  cdo skandal të këtyre viteve. Dhe këta janë miqtë e Shqipërisë? Mjerë ne nëse e besojmë këtë akoma.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.