Recetat e mjekëve popullorë për spazmat e politikës

Postuar në 09 Maj, 2019 13:25

Carlo Bollino, një gazetar i pavarur por që batohet padashje për nga pushteti – kuptohet pa humbur objektivitetin – shkruan sot për arsyet se përse komuniteti ndërkombëtar nuk po negocion për krizën aktuale. Normalisht çështja kryesore është trajtimi i krizës si i tillë, pastaj arsyet e negociatorëve. Por mesa duket ka disa gazetarë që entuziazmohen nga indiferenca e shtirur e komunitetit ndërkombëtar për arsye nga më të ndryshmet.

Zoti Bollino thotë se arsyeja e parë pse të huajt nuk po merren më me Shqipërinë është se ajo i ka lodhur ata me problemet e veta kronike. Po çfarë do të thotë lodhje? Këtë zotëria nuk e sqaron por në të vërtetë ky “argument” nuk qëndron edhe aq, për shkak se ambasadorët e ndryshëm në Shqipëri kanë folur për vija të kuqe dhe për monitorim të vazhdueshëm dhe të hollësishëm të situatës.  Pra në këtë rast kemi thjesht një prirje për ta izoluar krizën shqiptare dhe për të mos i dhënë asaj dimensione të tjera ndërkohë që në Ballkan ka probleme më akute.

Zoti Bollino rendit edhe arsye të tjera, si kriza në Europë apo edhe fakti se SHBA dhe BE-ja po testojnë Shqipërinë për të parë sa e aftë është që të ecë, që ajo të notojë. 

Ky opinion duhet marrë në konsideratë  për koherencën, rastësore kuptohet, që ka me lëvizjet e pushtetit i cili po përpiqet të rithemelojë normalitetin publicitar si nevojë për bindur partnerët se në Tiranën politike ka një palë normale dhe një palë të çmendurish.

Nëse z. Bollino do kishte jetuar në Shqipëri në kohën e Enver Hoxhës, padyshim që do kishte bërë një vend të mirë në aparatin e Komitetit Qendror. Mund ta refuzonte, por patjetër që do ja kishin ofruar.

Ajo çfarë çalon në të gjithë këtë arsyetim, apo edhe në qëndrimin e aktorëve ndërkombëtarë është thjesht fakti se ai ndërtohet mbi potenacialin e krizës së provokuar nga opozita. Kjo krizë e tanishme po kalon në shinat e një lufte nervash dhe durimi, ku patjetër që pushteti ka më shumë avantazhe. Në këtë pikëpamje, por edhe nisur nga përvoja e ngjashme e z. Rama kur ishte në opozitë, ajo do ta ketë finalen e vet patjetër: ose përmes një akti spektakolar si 21 janari, ose përmes ngopjes së enës së durimit me përrallat e një qeverie që nuk e di më as vetë sesa po vjedh.

Sigurisht që kriza ka paradoksin e vet dhe këtu zoti Bollino mund ta ketë një pikë. Pacienti i kësaj krize çuditërisht është opozita, forca anemike që nuk ka kurajën jo të ngrihet, por as të pranojë me gojën plotë që në vitin 2017 bëmë një gabim fatal. Ajo nuk mobilizon dhe as ka energjinë për të çuar përpara një protestë të cilës nuk i duhen fytyrat e Klevis Balliut, por pulsi i dëshpërimit të një populli në kurth.

Ndaj nuk është çudi që raporti i forcave të shkojë drejt një kënetëzimi ku bashkëqeverisja do të shpërbëjë çdo momentum shprese për ta shndërruar Shqipërinë atë që ka qenë përherë: Zorrën qorre të Europës për të cilën kujtohesh vetëm kur ke ndonjë dhimbje akute. Por deri atëherë mjekët popullorë si z. Bollino do ta ngopin miletin me çajin e optimizmit për qeverinë që po i bëhet dita 1000.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.