Game of Thrones?! Kemi historinë e Bizantit

Postuar në 06 Maj, 2019 15:08
Matthew Walther

 

Nuk kam asnjë ide se pse njerëzit e ndjekin “Game of Thrones”, i cili e nisi sezonin e tij të tetë dhe të fundit në HBO katër javë më parë, me shifra rekord shikuesish. E them këtë jo thjesht sepse mendoj se çalon si show (edhe pse vetë kam qenë ndjekës), por sepse nëse do të vendosja të shpenzoja qindra orë të jetës sime zhytur në historinë më së shumti të papërfillshme të një mbretërie dhe njerëzve të saj - disa prej tyre krenarë dhe të bukur, disa të tjerë të egër - do të lexoja më shumë për Bizantin.

Druaj se Perandoria Lindore, pasardhësja mijëvjeçare e Romës së lashtë, që në kulmin e saj u shtri nga bregu i Spanjës në Levant, nuk ka marrë gjithmonë vëmendjen e shtypit. Në librin “Historia e Moralit Europian”, historiani anglo-irlandez W.E.H. Lecky e hedh poshtë Bizantin si "formën më të neveritshme që qytetërimi ka marrë ndonjëherë". "Nuk ka pasur asnjë qytetërim tjetër të qëndrueshëm që është privuar nga të gjitha format dhe elementet e madhështisë në shkallë të tillë", shkruan ai. "Historia e Perandorisë është një histori monotone e intrigave të priftërinjve, eunukëve dhe grave; është një histori helmimesh, komplotesh, mosmirënjohjejeje dhe vëllavrasjesh të vazhdueshme”.

Si të gjitha historitë më të mira, ajo nis si legjendë. Ne as që e dimë se kur ka nisur ekzistenca e qytetit të madh apo cila është origjina e emrit të tij të bukur. Thuhet se themeluesi i saj ishte Mbreti Buzas, sunduesi i Megarës, një lord që erdhi nëpërmjet Egjeut gati 700 vjet para lindjes së Krishtit. Në tetë shekujt e ardhshëm do të ndryshonte sundim disa herë, duke u kthyer në një krahinë persiane, një qytet grek, dhe më pas romak.

Në vitin 330, Konstandini i Madh e zhvendosi kryeqytetin e tij nga Qyteti i Përjetshëm, në vendin ku Briri i Artë (zona e Haliçit në Stamboll) takon Bosforin. Aty qytetërimi do të lulëzonte për më shumë se një mijëvjeçar, shumë kohë pasi Perëndimi i ishte dhënë barbarizmit dhe vetë Roma ishte kthyer në një një “pellg” princash laikë dhe religjiozë. Rrugët u ndriçuan me llampa me vaj. Gratë nisën të përdornin pirunin, ndërsa burrat të luftonin me armët e zjarrit. Njerëz të të gjitha racave jetonin së bashku dhe flisnin gjuhë të ndryshme. Gratë që u “kthyen” në burra u shpallën shenjtorë. Perandorët u rrëzuan dhe në disa raste u rikthyen në pushtet për t'u rrëzuar përsëri, si Justiniani II, i cili mbretëroi nga viti 685 derisa i prenë hundën 10 vjet më vonë (duke marrë edhe emrin e ri Rhinometus). Pasi u dëbua, u martua me motrën e një njeriu të pushtetshëm dhe e kaloi Detin e Zi me një anije peshkimi. Atje ngriti një ushtri dhe rimori fronin në vitin 705, kur nisi një seri luftërash kundër ish-aleatëve të tij. Atij iu pre koka në vitin 711 dhe iu dërgua si dhuratë një gjenerali që ai vetë e kishte shkarkuar. Ky ishte qytetërimi i artë që do të frymëzonte ekstazën mistike të poetëve.

Do të ishte interesante që pasi i lexon, të shohësh te Bizanti mishërimin e plotë të idealeve të krishtera të bashkëpunimit mes altarit dhe fronit. Por religjioni bizantin ishte në të njëjtën kohë më i paprekshëm dhe më spiritualizues sesa ai i Perëndimit, me murgjit plot vendosmëri dhe nxënësit e tyre të përkushtuar. Krerët e Kishës Latine luftuan dhe shpesh siguruan pranimin pa asnjë kundërshti të  fuqisë së përkohshme; në Lindje, ndërsa murgjit e malit Athos i gëzoheshin asaj që ata këmbëngulnin se ishte drita e pakrijuar e vetë Perëndisë, patriarkët në qytetin e shenjtë u dorëzuan para perandorëve të tyre, të cilët e bënë veten arbitrat e fundit të doktrinës së kishës. Në muzgun e perandorisë, në fillim të shekullit të XV, përfaqësuesit ortodoksë në Këshillin e Firences u udhëzuan nga sovranët e tyre - të cilët kishin nevojë për trupa dhe para - për të afirmuar mësimin katolik mbi filioque*, formën e shenjtërimit në meshë, purgatorin  dhe epërsinë e papatit romak. Pas rënies së Konstandinopojës, në vitin 1453, sundimtarët e rinj osmanë, të cilët e kuptuan rrezikun e bashkimit ortodoks me Romën, nxitën ato kisha që dëshironin të largoheshin. Kjo përçarje ka vijuar deri në ditët e sotme.

Një nga gjërat për të cilat mund të bien dakord shumë në lidhje me qytetërimin bizantin është roli i luajtur nga gratë - dhe jo vetëm ato të rangjeve të larta. Është e pamundur të imagjinohet në historinë e asaj që ne tani e quajmë "Evropa Perëndimore" diçka si karriera e jashtëzakonshme e Perandoreshës Theodora. Vajzë e një stërvitësi arinjsh dhe një akrobateje, ajo mbeti jetime që në moshën 5-vjeçare dhe ndoqi rrugën e prindërve.

Disa nga argëtimet që përfshinte profesioni i saj duken mjaft të çuditshme, madje pornografike – një prej tyre kishte të bënte me shtrirjen lakuriq, ndërsa skllevërit mbulonin trupin e saj me elb, që më pas konsumohej nga patat. Pas disa vitesh jashtë vendit, tashmë një grua e re, ajo u kthye në Konstandinopojë, ku Justiniani I i ndryshoi ligjet që rregullonin martesat e aktoreve dhe e mori për grua. Perandoresha Theodora njihej për bamirësinë e saj - ndër të tjera ajo shfaqi një interes të madh për t’u përmirësuar jetën prostitutave dhe grave të tjera të shtresës së ulët – dhe për guximin e saj. Gjatë një revolte në vitin 532, burri i saj ishte në prag të largimit nga pallati mbretëror, por ajo e ndaloi. "Çdonjeri që ka ardhur në jetë do të vdesë herët a vonë. Si mundet që një perandor t’i lejojë vetes të kthehet në një të arratisur?", i tha ajo. "Mos e mbajtsha kurrë me dëshirë rrobën perandorake dhe mos pafsha dritë dielli nëse nuk e kam këtë titull”.

Disa vite më parë, një matematikan sovjetik propozoi një teori që është bërë e njohur si "Kronologjia e re". Sipas dr. Anatoli Fomenko, i cili është ende anëtar i Akademisë Ruse të Shkencave të Natyrës, gjithçka që dimë për datat historike është e rreme, rezultat i një komploti apo një serie komplotesh të thurura nga (kush tjetër?) Kisha Katolike. Piramidat për shembull, u ndërtuan në Mesjetë dhe mbreti Solomon, i cili jetoi jo më shumë se gjysmë mijëvjeçari më parë, është identik me Sulejmanin e Madhërishëm. Nëse spekulimet e profesorit rus do të provoheshin disi, do të detyroheshim të ndryshonim mendim për shumë gjëra të mëdha.

Bizanti nuk do të ishte një prej tyre. Nëse Basili II (perandori bizantin i  dinastisë maqedonase, v. pasues i Kostandinit VII), Halil Pasha dhe murgjit ortodoksë e kanë treguar veten aq fantastikë sa Aegon Targaryen dhe Lord Spider dhe Sparrows i “King’s Landing”, unë veçse do të lutesha, si Yeats, që ata të bëhen bashkë në artificën e përjetësisë.  

/The Week/ TemaTv

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Sulejmani i Madherishem otoman nuk eshte identik me mbretin biblik Solomon. Me Solomonin identik wshtw ligjevenesi Athinas Soloni.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.