Flakë që riafirmuan rrënjët kristiane të Europës*

Postuar në 26 Prill, 2019 13:45
Ernesto Galli della Loggia

 

Ka mjaftuar zjarri – për fat vetëm i pjesshëm – në katedralen e Notre Dame për të nxjerrë lakuriq skizofreninë ideologjike dhe pasigurinë kulturore të klasave të arsimuara dhe drejtuese të Europës. Që është pra, shkaku kryesor i paralizës që e pengon prej vitesh Bashkimin Europian të bëhet një subjekt politik. Flakët nuk ishin shuar ende kur kori unanim kishte nisur të këndonte. “Ishte një pjesë e jona, ishte historia jonë, letërsia jonë, imagjinari ynë kolektiv, një pjesë e destinit francez”, deklaronte Emmanuel Macron; i bënte jehonë, por me tone lirike, rivalit të vet në krahun tjetër, kreut të së majtës radikale “La France insoumise”, Jean- Luc Mélenchon, laik dhe mason(cilësim jo pa rëndësi që e kam huazuar nga Le Monde që e vë në dukje me të drejtë): “Kjo godinë është pjesë e familjes sonë, katedralja jonë e përbashkët, anija me të cilën lundrojmë në valët e kohës”.

Edhe këtu në Itali(sikurse në Shqipëri shën. Resp) analistë dhe komentatorë ranë dakord për këtë linjë pavarësisht orientimit politik. Kështu lexuam që në Notre Dame banonte “shpirti i Europës”, se “moderniteti” zë fill nga katedralja “që bëhet hapësirë publike, qendër kulturore, pol tubimi”. Jo vetëm: ngjarja dramatike e Parisit zbulon një “ndjenjë të përbashkët përkatësie”, “energjish të fshehura” që na bënte të ndiheshim “më të bashkuar”, sepse na zbulon se “kemi histori, kulturë dhe besim të përbashkët”.

E gjitha shenjtërisht e vërtetë: po të më kërkonin të komentoja nuk do kisha shkruar dot ndryshe. Megjithatë shtrohet një pyetje që nuk mund të lihet në heshtje, ose më mirë dy të tilla.

E para: të gjitha këto konsiderata dhe pohime të sipërcituara dhe mijëra të tjera të ngjashme që kemi dëgjuar apo lexuar në këto ditë, mos vallë aludojnë – jo dhe aq në mënyrë të mbuluar do të thosha me pasion të madh argumentues – për ekzistencën e një diçkaje që quhet identitet?

E dyta: mos vallë zbulohet fare hapur se ky është një identitet Kristian?

Ja pra. Por siç e dimë, është fakt se këto dy fjalë, “identiteti Kristian”, përbëjnë një nocion të paartikulueshëm për diskursin publik të Europës zyrtare. Për rrymën dominuese politiko-kulturore të kontinentit tonë, për politikën dhe për intelektualët që kanë vlerë, për mediat që ndjekin këtë orientim, vepron ndalimi i Korrektesës Politike.

Nuk ishte rastësi që rreth 15 vjet të shkuara, në prezantimin e një projekti për Kushtetutën e BE-së, ishin të shumtë ata që propozuan përmendjen e “rrënjëve kristiane”, si pjesë e rrënjëve shpirtërore të entitetit të ri që po kërkohej të themelohej, krahas trashëgimisë greko-romake dhe iluminizmit dhe për këtë arsye pati kundërshtime dhe protesta.

Me invokimin e shpirtit thelbësisht laik, kompleksiteti I historisë që nuk mund të përmbyllet në formula, apo edhe mijëra motive të tjera, i hapi rrugë dyshimeve, ngatërresave dhe kundërshtive të çdo lloji. Derisa, për të mos u prishur qejfin miqve tanë hebrej(që sigurisht as nuk do ishin mërzitur aspak), por veçanërisht për të mos irrituar shumë, shumë të irritueshmit, fqinj dhe mysafirët tanë myslimanë, u ra dakord që të mos bëhej asgjë. E mbështetur nga një opinion i madh të arsimuarish, asambleja e të zgjedhurve vendosi se Europa nuk kishte rrënjë historiko-kulturore(ose nuk mund të thoshte se i kishte) dhe se thjesht evokimi i dimensionit të identitetit ishte dicka jo përfshirëse, me tendencë raciste; duke e menduar thuajse si përmendjen e një preteksti të papranueshëm në Kushtetutë.  

Themi që elitat janë shkëputur nga njerëzit e zakonshëm dhe aq më e thellë është kjo shkëputje kur në zemrën e tyre të parët e dinë shumë mirë si qëndrojnë gjërat. E dinë mirë pra se i janë nënshtruar një konformizmi të përhapur, një irenizmi(diskursi paqëtues) të themeluar mbi vetëturpërimin që ata vetë kanë kontribuuar që të rrënjoset.

Zjarri në Notre Dame ka shërbyer megjithatë si detonator i bagazhit emotiv që është grumbulluar heshturazi për vite me radhë si pasojë e qindra të vdekurve dhe të lënduarve nga atentatet islamike, nga prerja e kokave dhe të tjera tmerre të ISIS. Nuk ka asgjë më ndikuese sesa perceptimi i zgjatur i pranisë së rrezikut dhe një armiku për t’u bërë të vetëdijshëm për identitetin e vet dhe për të ndjerë nevojën e manifestimit të tij.

Sigurisht, flakët e Parisit i detyrohen një incidenti, por ka mjaftuar kërcënimi për të parë të shkrumbuar një nga ikonat e kristianizmit të kontinentit, që në një pjesë të madhe të opinionit publik europian të verifikohet një reagim që shkon përtej çdo ndarjeje tradicionale politike apo konfesionale. Një gulç i vetëndërgjegjësimit identitar: “Jemi kjo gjëja këtu, ky vend, edhe kjo kishë, dhe nuk jemi të gatshëm të rimohojmë atë që jemi”. Pa mburrje, por edhe pa asnjë hezitim. Duke treguar megjithatë se deri në ç’pikë është formuar te njeriu europian i rrugës një ndjesi e përbashkët, një lëmsh sentimental dhe psikologjik, vite dritë larg ideve aktuale dhe paragjykimeve të elitave politike dhe medio-kulturore. Të cilat për më tepër, duke dhënë prova të një skizofrenie befasuese më shumë sesa të një oportunizmi, u përshtatën menjëherë.

Thuajse po ato elita që për Kushtetutën e BE-së ishin të bindura se nuk duhej të përmendte asnjë fjalë mbi “rrënjët kristiane”, po ato që kishin shkuar larg kur për vite me radhë digjnin temjanin në altarin e “laicitetit”, apo predikonin domosdoshmërinë e refuzimit absolut të çdo tematike identitare, befas u shfaqën duke deklamuar traditën fetare, rolin e saj qendror në të shkuarën dhe të tashmen tonë.

Ngado ta shikosh, duhet veçse të gëzohemi, natyrisht. Është e pashmangshme të pyesim veten nëse kjo klasë e tillë politiko-intelektuale, kaq e pasigurtë në bindjet e veta, kaq e gatshme për t’u rreshtuar me humorin e ndryshueshëm të publikut, do të arrijë ndonjëherë të përmbushë me sukses sipërmarrjen e vështirë të ndërtimit të një atdheu europian.

Burimi: Corriere della Sera

Përshtati shqip: ResPublica

*Titulli: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.