Legjitimitet i pamundur

Postuar në 25 Prill, 2019 15:55
Skerdilajd Zaimi

 

Opozita e drejtuar nga Lulëzim Basha ka ndërmend të bllokojë sot rrugët nacionale. Është një formë e mosbindjes civile që është paralajmëruar nga Partia Demokratike.

Është një akt i radhës, dramatik në përmbajtje, por që ka edhe komedinë e vet. Do flasin Basha, Monika Kryemadhi e të tjera, fytyra të njohura  të politikës dhe sistemit të korruptuar që sot duket se pranohet si komod vetëm nga një njeri: Edi Rama. Por zoti Rama është student ekselent i politikës autike të tipit: Shqipëria ka rilindur sepse ashtu e shoh unë. Puna juaj se nuk kuptoni gjë.

Pavarësisht kësaj, pavarësisht komenteve relativizuese për protestën e Bashës, ajo sjell me vete dy elementë që duhen mbajtur parasysh: së pari, përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së do të jenë në protestë pa mantelin e deputetit. Pra si qytetarë. Dhe qytetarëve mund t’u bësh thirrje për përmbajtje, por nuk i ndalon dot në të drejtën e tyre.

Së dyti, që kjo protestë, pavarësisht mekjes së saj, pra pafuqisë për të imponuar spektaklin e dorëheqjes së kryeministrit, në të vërtetë e ka vënë në dukje aspektin sistemik të krizës. Dhe e ka bërë këtë, qoftë edhe duke shfaqur para syve tanë disa politikanë që nuk janë të aftë të kenë një plan B.

Sot që flasim, pushteti ka një problem të vetëm themelor: legjitimitetin e zgjedhjeve. Pra si të zhvillohen disa zgjedhje që të quhen normale. Opozita mungon dhe ajo e shpikura nuk e përmbush dot boshllëkun, sepse është aktore e kurdisur në një teatër të luajtur trashë. Ndërkombëtarët janë vetëdiskredituar me qëndrimet e tyre prej mantenutash të oborrit dhe recetave që përsërisin papushim e që nuk shërojnë askënd.

Vetë ambicia e pushtetit për t’i legjitimuar zgjedhjet konfirmon qasjen taktike të z. Rama dhe vizionin e tij për politika të çastit. Në fund të gjithë e kanë të qartë se nëse zgjedhjet do të kalojnë pa asnjë incident, ato nuk kanë për të prodhuar zgjidhje të situatës. Në krye të bashkive do vijnë hajdutët e radhës që e kanë mirë me kryetarin. Edhe sikur opozita të marrë pjesë, edhe sikur ajo të bojkotojë.

Vetë opozita nuk po arrin dot të afirmohet si alternativë, por ka luajtur një rol të dobishëm për ta ekspozuar si askush tjetër më parë sistemin ku deri më dje bënte pjesë. Opozita shqiptare ka katalizuar me bojkotin e vet, me djegien e mandateve dhe sidomos me paaftësinë për ta shndërruar këtë momentum veprimesh në klimë optimizmi, një krizë besimi ndaj të gjithë politikës. Ky është shërbimi më i madh që PD-ja dhe LSI-ja i ka bërë vendit që tashmë e ka eminent kërkesën për ndryshim radikal dhe forca të reja.

Klasa e tanishme politike përfaqëson të shkuarën, atë të shkuar e cila po kërkon të instalohet përmes projektit të një kaste dhe me të cilën llogaritë, shoqëria shqiptare duhet t’i ketë jo vetëm politike, por edhe penale. Sidomos penale. 

Kjo krizë ka vjetëruar dhe zhvlerësuar çdo mesazh politik që autorizohet nga fytyrat e vrerosura të tranzicionit shqiptar, sepse e ka ftilluar edhe më indiferentin që të ndajë fjalët nga veprat e zullumqarëve të Shqipërisë. Për këtë arsye përpjekja për legjitimtet në zgjedhje nga ana e z. Rama ndërtohet në premisa të rreme, siç edhe ndërtohet në fakt e gjithë narrative e tij.

Mund të kërkojmë dy arsye të afërta për të krizë: së pari Marrëveshja e 17 majit 2017 që i dha një goditje fatale opozitës parlamentare dhe së dyti përpjekja e PD-së dhe LSI-së për të vrarë protestën e studentëve.  

Është e qartë pra se PD-ja dhe LSI-ja nuk kanë moralin që të imponojnë ndryshimin e kërkuar, as të realizojnë spastrimin e duhur. Ndaj nuk është e papritshme që të jenë ngjarje “jashtëpolitike” ato që mund të gjenerojnë zhvillime të reja. Të mbajmë parasysh se z. Rama, por as opozita, nuk e kishte llogaritur aksidentin DH Albania me paçavuret e falsifikimit, njësoj sikundër z. Berisha nuk e kishte parashikuar aksidentin e Gërdecit. Por ishin këto ngjarje dhe jo vetëm opozitarizmi i partive që tradhëtoi të gjithë dënglat e ligjërimit të rremë të pushtetit në Shqipëri.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Karagjoze jeni ...doni Destabilitet ..dhe vete te fshigeni si minjt ...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.