Presidenti ofrohet për negociimin e krizës politike

Postuar në 16 Prill, 2019 23:37

Në një intervistë për RTSh-në, Presidenti I Republikës Ilir Meta, ka nënvizuar dy gjëra: së pari se djegia e mandateve nga opozita është marrëzi dhe së dyti se kriza i ka rrënjët në vitin 2008 dhe ndryshimet kushtetuese të atij viti.

Në thelb kreu I shtetit ka ofruar opsionin e negociimit të krizës aktuale duke sugjeruar në këtë mënyrë se faktori ndërkombëtar nuk duhet të ketë më rolin që ka patur dikur në kësi çështjesh.

Qasja e Presidentit është në dukje e barazlarguar nga palët në konflikt, pasi Meta kritikon opozitën për mandatet, por dakordësohet me ofertën e saj për rishikim të Kushtetutës dhe sistemit zgjedhor.

Në këtë kuptim, Meta ka vijëzuar atë që është drafti eventual për një diskutim mes palëve, edhe pse për reformën zgjedhore dhe sistemin zgjedhor ka probleme të mëdha, për vetë interesat që ndërthuren aty.

Duhet kuptuar se palët do të ulen në tryezë me oferta maksimaliste dhe me synime po maksimaliste. Kreu i PD-së, Lulzim Basha nuk mund t’i lejojë vetes një Pazar dypalësh personal me kryeministrin, ai ka hapur një process zgjedhor në PD pas të cilit do të duhet të mbahet fort edhe kur vjen puna te diskutimi për sistemin zgjedhor dhe listat e hapura apo të mbyllura. Zoti Basha thjesht nuk mund të pranojë më marrëveshje që lejojnë kanale për interesat e kryetarëve në mënyrën sesi ato rregullohen nga ndryshimet e vitit 2008.

Me këto synime duket se vjen edhe LSI-ja e cila sheh se me rregullat në fuqi ka përherë një fitimtar. Dhe në këtë rezultat që shihet nga të gjithë qëndron dobësia e z. Rama, i cili ndoshta nuk ka dashur as vetë që të fitonte kaq sa fitoi në vitin 2017. Shifrat e tanishme i dedikohen edhe sistemit elektoral dhe mënyrës së llogaritjes së mandateve, ndërkohë që në një shpërndarje më të mirë të tyre, nuk do të kishim ndoshta këtë situatë nga këta aktorë dhe as z. Rama nuk do t’i dihej të shpikte bashkëqeverisjen me popullin. E cila nuk po funksionon sepse është formulë artificiale

Zoti Meta ka gjetur momentin që të vetëfaktorizohet si njeriu që ofron zgjidhjen e krizës në kushtet kur ajo është bërë e domosdoshme.  Është e pritshme që pas kësaj daljeje në skenë ai të ketë përllogaritur edhe interesat e partisë së tij, të cilën e ka lënë të hardalloset pa sens nën drejtimin e bashkëshortes së vet dhe Petrit Vasilit.

Mbetet për të parë nëse do të pranojë apo jo mazhoranca. Nëse po, atëherë duhet nënkuptuar se zoti Rama do të lëshojë diçka te reforma në drejtësi, apo më saktë do ta tepsizojë atë, pasi me sa kuptohet në qeveri Timonin edhe mund ta mbash vetëm. Por në Drejtësi, asnjëherë sepse bëhet shumë e rrezikshme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.