Perëndimi po bie vërtet

Postuar në 15 Prill, 2019 11:47
Sergio Romano

 

Kur shpërthyen revoltat arave besuam se dukuria në fjalë do të kufizohej në bregun jugor të Mesdheut, apo se ndoshta ajo ishte provokuar nga mbërritja e brezave të rinj në vende ku drejtuesit e vjetër(Ben Ali në Tunizi, Gheddafi në Libi, Mubarak në Egjipt dhe Bashar al-Assad në Siri) nuk kishin ditur të ofronin qytetarëve të vet një të ardhme më të mirë. Gabonim për shkak të një arsyetimi defektoz. Më pak se dhjetë vjet më vonë, Lindja e Mesme e Madhe(nga Alegjeria e Bouteflikas, në Pakistan, duke kalur nëpër Libinë e Sarrajit dhe Haftarit, në Sudanin e Al Bashirit, Nigerinë e Boko Haram dhe Somalinë e milicive Al-Shabab), është ende e tronditur nga përhapja e një humori të rënë popullor, grushte shteti dhe në shumë raste, sulme terroriste. Secila prej këtyre krizave ka motivimet e veta të veçanta, por njëkohësia e tyre është befasuese.

Pyes veten nëse shumë prej këtyre dukurive i detyrohen në fakt, të paktën pjesërisht, teknologjive që na lejojnë të shohim në kohë reale gjithçka që ndodh në të gjithë planetin. Çdo vend I mbulon dhe frenon depresionet dhe mëritë e veta, por rebelët, kudo që janë, mësojnë çdo ditë, duke ndezur televizionin apo duke mësuar nga një kompjuter, si mbushet një shesh, si vendoset një bombë, si përmbyset një regjim.

Natyrisht që ka edhe arsye të tjera. Në 74 vitet që lamë pas, nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kemi qenë spektatorë të momenteve të gjata, gjatë të cilave kemi besuar se ndoshta ka qenë e mundur krijimi i një rendi ndërkombëtar.

Gjatë Luftës së Ftohtë, dy armiqtë e mëdhenj ishin të vetëdijshëm për efektet që do të kishte një konflikt bërthamor për fatet e njerëzimit dhe i imponuan vetes, me shumë mençuri, rregullat e një armëpushimi të gjatë. Secili prej të dy grupeve kërkonte të zgjeronte zonën e vet të ndikimit, por dinte të ndalonte dhe reflektonte kur vinte momenti për të moderuar ambiciet e veta dhe për të nënshkruar traktate që do të largonin rrezikun e luftës.

Sot shumë vende sillen pafytyrësisht sikur rreziku bërthamor të ketë pushuar së ekzistuari. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, SHBA, në vend që të nxiste në formimin e një rendi të ri ndërkombëtar, u sollën si fitimtarët dhe kanë krijuar kështu kushtet për mosmarrëveshje të reja; ndërkohë që Rusia e Vladimir Putinit i ka pritur provokacionet amerikane me po kaq qetësi dhe mungesë reflektimi. Kombet e Bashkuara janë, që nga dita e parë e ekzistencës së tyre, një organizatë joperfekte, por disa ndërhyrje të “kaskave blu” kanë ndarë rivalët dhe konservuar krizat. Sot OKB-ja ka humbur tërësisht dobinë e vet, por është e vështirë të shpresosh se mund të bëhet institucioni i madh mbi të cilin kishim shpresuar kaq shumë.

Çështja madhore e kësaj gjendjeje është ndoshta, rënia e Amerikës në skenën ndërkombëtare. Si fuqi ushtarake, ky vend po paguan çmimin e luftërave të humbura apo të fituara në dukje(Irak, Afganistan) dhe të operacioneve të pakujdesshme ushtarake si ato kundër Gheddafit në Libi në vitin 2011. Ishin vënë re shenja të kësaj rënieje gjatë mandatit të dytë të Barack Obamës, kur presidenti, në gusht të vitit 2012, hoqi një “vijë të kuqe” në terrenin e luftës siriane dhe kërcënoi me ndërhyrje ushtarake nëse Bashar al Assad do të përdorte armët kimike; por ky kërcënim përfundoi me një zgjidhje më pak ushtarake dhe më pak efikase.

Pas zgjedhjes së pasardhësit të tij, rënia e SHBA është akoma më e dukshme. Vendi që Madeleine Albright e kishte përkufizuar si “të domosdoshëm” është bërë i paparashikueshëm. Donald Trump luhatet vazhdimisht mes thirrjeve izolacioniste dhe kërcënimeve momentale për ndërhyrje. Do të ndërtojë një mur kundër imigracionit në kufirin me Meksikën, njofton tarifa të reja kundër mallrave që vijnë nga Kina, ndryshon opinionin nga një ditë në tjetrën për liderin koreano-verior, hap një front kundër BE-së duke akuzuar Komisionin se i jep Airbusit ndihma shtetërore, ekzalton dobinë e NATO-s, por negocion me anëtarët e saj europianë si ortakë i dashuruar, denoncon traktate të dobishme për botën si ai për klimën dhe instalimin e raketave me rreze të mesme veprimi, krijon kaos në jetën e përditshme të vendit të vet me pretekste financiare që kanë provokuar frenimin e bilancit kombëtar.

Ky kuadër nuk do të ishte i plotë, nëse nuk do të pranonim se kaosi botëror ka të tjerë autorë. Pas një periudhe gjatë së cilës kishin qenë modeli i demokracisë liberale për vendet në zhvillim, sot, thuajse të gjithë vendet anëtare të BE-së po kalojnë krizë ekzistenciale. Demokracia përfaqësuese vuan nga një mosbesim i përgjithshëm. Uniteti kombëtar është i kërcënuar si në Britaninë e Madhe, ashtu edhe në Spanjë. Regjimet sovraniste ndjekin një politikë ngushtësisht lokale. Mund të bashkëpunojnë për të kapur ndonjë karrige në Parlamentin Europian, por nuk bien dot dakord për një politikë ndërkombëtare koherente. Organizmat e Bashkimit Europian janë përthithur nga kura e sëmundjeve që përçojnë. Edhe pas rënies së Perandorisë, Britania e Madhe kishte ruajtur një ndikim të konsiderueshëm në kolonitë e veta të dikurshme në Afrikë dhe Azi. Sot Britania e Madhe duket e dënuar që të mbytet në rërën e paqëndrueshme të BREXIT.

Afrika është afër dhe do të ishte një burim i çmuar për të gjitha vendet europiane që kanë lënë gjurmë të kalimit të tyre. Por Afrika i është falur Kinës. Pas fitore elektorale të Netanyahut dhe bekimit të Trump, Izraeli ngjan se po përgatitet të aneksojë disa territore të pushtuara duke e bërë praktikisht të pamundur perspektivën e një shteti arab në Palestinë. Amerika Latine, sikurse në momente të tjera të historisë së saj, është një terren pjellor për caudillot e rinj. Ndërkohë që Japonia(deri më tani më perëndimorja e shteteve aziatike) është viktimë e një krize demografike kërcënuese që sipas një sondazhi të Financial Times, do ta privojë vit pas viti nga një popullsi e barabartë me atë që jeton në një qytet mesatar. Ndoshta Oswald Spengler mund të shtonte një kapitull në librin e tij “Perëndimi i Perëndimit”.

Burimi: Corriere della Sera

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.