Negociimi i një marrëveshjeje të dytë

Postuar në 13 Prill, 2019 16:53

Dje në mediat serbe doli lajmi se ministri i Mbrojtjes Aleksandër Vulin do të futet në grevë urie sepse sipas tij opozita po krijon probleme me sjelljen e vet. Sot mediat serbe shtojnë se Vulin dhe këshilltarët  bashkiakë të Beogradit kanë vendosur të shtyjnë grevën. Një lajm i tillë paralajmëron një taktikë të re të pushtetit në vende si këto të rajonit tonë, ku kredenciali i qetësisë dhe stabilitetit është hipotekë mbi hipotekat. Qoftë edhe duke kompromentuar parimet e të ashtuquajturit sistem demokratik.

Ky lloj lajmi ka jehonën e vet në Tiranë ku ambasadorja gjermane Susanne Schütz ka deklaruar se çdo akt dhune do të përbënte vijën e kuqe. Mesazhi shkon për opozitën shqiptare e cila në fakt ka dorëzuar apo djegur mandatet parlamentare. Çfarë do të bëjë vija e kuqe e shpallur nga ambasadorja ndaj një opozite që po deklaron daljen nga sistemi dhe shpall ambicien për shembien e tij?

Padashur ambasadorja na bën me dije se mes palëve ka negociata që po ndërmjetësohen nga të huajt që po duan ta mbajnë situatën nën kontroll dhe të lënë që palët të arrijnë formalisht një marrëveshje politike.

Zonjës ambasadore aq i bën nëse një marrëveshje është e  mirë apo jo për vendin. Në fund të fundit ajo është këtë për interes të vendit të vet, jo të Shqipërisë. Përndryshe ajo do të matej mirë të bënte mesazhe apo ftesa të tilla pas përvojës thuajse asgjësuese për PD-në të marrëveshjes së majit 2017. Sepse hyrja në Parlament e opozitës në kushtet kur prova e saj kryesore për goditjen e qeevrisë është skadenca e afatit të zgjedhjeve lokale, në thelb është marrëveshje pa asnjë përfitim. Jo për PD-në, por për qytetarët që do vihen përballë teatrit politik të zakonshëm.

Vetë i votoni -, mund të na thotë zonja në fjalë.

E vërtetë, por edhe ju jepni një dorë në këtë manipulim. Ndaj më mirë ambasadorja do të duhej të mbante vendin e vet pa shpallur vija të kuqe.

Për ta kuptuar më mirë dhe qartë se këta diplomatë që betohen me dorë në zemër se e duan shumë Shqipërinë, janë këtu thjesht për interesa të tjetërkujt, mjafton deklarata e diplomatit të ambasadës amerikane në Tiranë, Brian Beckmann, sipas të cilit media në Shqipëri sulmon investitorët e huaj. Është hera e parë që ka një akuzë të tillë dhe zotëria nuk ka pranuar të akuzojë me emër dhe konkretisht, por ka lëshuar akuzë në përgjithësi mesa duket sepse nga biznese të caktuara ka patur ankesa. 

Zotërisë në fjalë nuk i mbetet veç të thotë se media është kazan, sikurse ambasadores nuk do t’i keqkuptohej fjala nëse do të thoshte se Fajin e ka Saliu. Nuk do të çuditej kush më edhe sikur këta diplomatë të dalin e të protestojnë kundër opozitës në bulevardin e Tiranës, apo para selisë së PD-së, meqenëse trupi diplomatik në Shqipëri është de facto një parti politike më vete.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.