Të iku perimetri!

Postuar në 11 Prill, 2019 14:50

Sa herë i duhet të justifikojë diçka për ta interpretuar se nuk është ajo që duket, kryeministrit i kthehen në bumerang teorizimet që bën lartë e poshtë. Të gjithë e dëgjuam sesi u shfaq si turist televiziv në Porta a Porta duke thënë se protestat e opozitës  shtrihen në një perimetër  jo shumë se kilometër në qendër të Tiranës, me pasoja mbi imazhin e vendit në prag të sezonit turistik.

Ja çfarë ka deklaruar Rama për t’u mbushur mendjen gazetarëve italianë se protesta e opozitës është një anormalitet i imponuar në 1 km katror.

“Në Itali 24 orë për të mbrojtur Shqipërinë, pas cënimit të rëndë që i’u bë përmes shfaqjes së turpshme të dhunës partiake të 16 shkurtit e në vazhdim, e cila kërcënon investitorët e planet e tyre dhe turizmin që punëson e ushqen dhjetëra mijëra njerëz. Për Shqipërinë. Ndaj jam këtu për t’u dëshmuar se ato pamjet e foto negative që keni parë së fundmi… është një protestë që zhvillohet në një perimetër prej një kilometri. Jashtë këtij perimetri, jeta vazhdon”-u shpreh Rama.

Por tashmë na rezulton se perimetri i pasigurisë është më tepër se aq, shkon deri në Rinas ku janë vendosur forcat e ushtisë. Edhe këtë zotëria e quan normalitet demokratik, duke postuar shembuj nga vende të tjera të Europës ku patrullon ushtria. Ndryshimi është i madh, Europa është e kërcënuar nga terrorizmi, ndërsa aeroporti i Belindës nga bandat që sfidojnë policinë e Lleshit dhe shtetin e Skëndërbeut.

“Forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Europës dhe botës demokratike, si reagim ndaj akteve cënuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato. Ndërkohë beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë”-shkruan Rama sot.

A do zbrisnin në një aeroport të tillë turistët që zotëria thotë se po i tremb opozita me protesta? Oshkuri i turistit që kemi për kryeministër nuk mban më megjithë përpjekjen e tij për t’i veshur benevrëkë europianë një vendi që ka nisur ta quajë të ardhmen çështje perimetri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.