Akti Rubio-Mendez/SHBA të rishikojë strategjinë në Mesdheun Lindor!

Postuar në 10 Prill, 2019 11:44

Zbulimi i rezervave të mëdha të gazit në Qipro dhe mundësia e madhe e zbulimit të rezervave edhe më të mëdha në Egjipt, kanë diktuar rishikimin e strategjisë së SHBA-së në Mesdheun Lindor. Prania e sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo në samitin trepalësh të këtyre vendeve pak javë më parë vuri në dukje rolin e tyre në strategjinë amerikane.

Por ndryshimi duket se po vjen edhe në planin legjislativ. Dy senatorë amerikanë, anëtarë të Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Mendez dhe Marco Rubio kanë ndërmarrë një nismë ligjore për atë që mund të quhet riformësim i strategjisë në këtë zonë të botës. Akti I Partneritetit dhe Sigurisë Energjetike në Mesdheun Lindor vë në dukje rolin themelor të të trija vendeve, Izraelit, Greqisë dhe Qipros për stabilitetin në rajon duke e parë atë si shtyllë për garantimin e interesave amerikane.

Në dokumentin e prezantuar të dy senatorët parashikojnë se vendimi i Turqisë për të blerë sistemin mbrojtës S-400 nga Turqia mund të çojë në vendosjen e sanksioneve ndaj këtij vendi, që deri më tani ka qenë konsideruar si aleat kyç për SHBA-në. Kujtojmë këtu se ish-presidenti Obama zgjodhi Turqinë dhe Egjiptin për të nisur turin e vet të parë në Lindjen e Mesme. Përmes këtij akti të dy senatorëve që më parë duhet miratuar nga vendimmarrësit amerikanë do të mundësohet ndër të tjera:

  • Heqjen e ndalimit të shitjes së armëve ndaj Republikës së Qipros
  • Do të autorizohet krijimi i një qenedre të SHBA-së për energjinë në Mesdhe për të lehtësuar bashkëpunimin mes Izraelit, Greqisë dhe Qipros
  • Do të autorizohet ndihma ushatarake për Greqinë në 3 000 000 dollarë
  • Autorizimi i arsimimit dhe trajnimit ushtarak ndërkombëtar për Greqinë dhe Qipron me financim vjetor deri në 2 milionë dollarë për secilin vend
  • Ndalohet transferimi i avionëve F 35 drejt Turqisë për sa kohë Turqia do të ndjekë planet për blerjen e sistemit S-400 nga Federata Ruse
  • Do t’i kërkohet Administratës Trump të dorëzojë në Kongres një strategji për përmirësimin e sigurisë dhe bashkëpunimit energjetik me vendet e Mesdheut Lindor sikurse për raportimin e aktiviteteve malinje ruse dhe vendeve të tjera në rajon

Vështirë se ky rajon do të merrte ndonjëherë vëmendje të tillë nga SHBA nëse në Qipro nuk do të ishte zbuluar rezerva e gazit. Nëse dokumenti do të miratohet, roli I Greqisë në rajon do të ndryshojë dhe me gjasë, Turqia e Erdoganit do të vihet nën presion të shtuar edhe ushtarak në Egje. Eventualiteti i sanksioneve ndaj Ankarasë shtron pikëpyetje qysh tani për marrëdhëniet preferenciale të Tiranës zyrtare me Presidentin turk i cili edhe së fundmi ka shtuar kontaktet dhe po ecën drejt një bashkëpunimi strategjik me Rusinë.  Është e qartë se në një zonë ku interesat po ridimensionohen të ketë riorganizime gjeopolitike dhe kundrejt tyre të ketë reflektim edhe në rajone staelitore.

Shqipëria është një ndër këta të fundit, por për zgjedhje personale të kryeministrit dhe më e befasuesja, pa asnjë përfitim konkret deri më tani. Që nga viti 2013 investimet turke nuk kanë njohur ndonjë rritje, pa folur për tërheqjen e konsorciumit turk nga aeroporti i Vlorës. Është ky ndryshim për shkak të energjisë që ka zbehur interesin e SHBA-së edhe për çështjen e Kosovës dhe tolerimin e idesë së ndarjes së kufijve apo shkëmbimit të territoreve. Thjesht çëstje prioriteti dhe rëndësie.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.